Tre inspektorët sot merret masa e sigurisë

TIRANE-Virgjil Joti, kryeinspektor i Inspektoratit Qendror Teknik të Karburanteve (IQTK) dhe dy vartësit e tij, inspektorë në këtë institucion, të arrestuar nën akuzën e korrupsionit, pritet të përballen sot me gjyqtarin e gatshëm në Gjykatën e Tiranës për t'u njohur me masën e sigurisë. Prej tri ditësh, kryeinspektori Joti si dhe inspektorët Luan Qato e Kastriot Llakaj ndodhen të izoluar në qeli, pasi u prangosën në kuadër të operacionit të koduar "Bojaxhiu". Tre nëpunësit e institucionit që ndodhet në varësinë direkte të Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës akuzohen se i kishin vënë një "gjobë" të majme një importuesi gazi të lëngshëm. Të dyshuarit kishin kërkuar nga subjekti "Kalaja" sh.a shumën e 20 mijë eurove në këmbim të dhënies së lejes së kryerjes së kontrollit teknik për zhdoganimin e dy anijeve me gaz të lëngshëm. Pronari i subjektit që importonte gaz nga Algjeria, Azerbajxhani dhe Arabia nuk ka hezituar, por është drejtuar në zyrat e njësisë së specializuar task- force duke bërë denoncimin, që është pasuar me arrestimin e Jotit dhe dy vartësve të tij. Të dyshuarit pritet të kërkojnë sot lirimin nga gjykata, por ende nuk dihet nëse do të vënë ndonjë garanci pasurore.
(d.b/BalkanWeb)
(d.b/BalkanWeb)