E Diel, 1 Nëntor 2026

Tre javë për regjistrimet në çerdhe dhe kopshte, aplikimet online vetëm në Njësinë 2, nisin në qershor

Prindërit që duan të kalojnë fëmijët nga çerdhja në kopsht më 1 shtator kanë në dispozicion edhe disa ditë kohë.

Bashkia e Tiranës vijon me procesin e aplikimit, ndërsa Drejtoresha e Çerdheve dhe Kopshteve Zhaneta Beqiri sqaron detajet edhe për prindër që aplikojnë për herë të parë.

“Prindit në momentin që sjellin fëmijën ose e marrin në ambientin e çerdhes, plotësojnë një formular ku shprehin dëshirën e tyre për një nga kopshtet e njësisë së vet ku ato mendojnë se fëmija do të vazhdojë frekuentimin e kopshtit. Nëse prindër kanë ndryshuar vend banim gjatë kësaj periudhe e shoqërojnë vendbanimin e ri me një certifikatë familjare. Prindërit që do të duan shërbim për herë të parë në çerdhe do të paraqiten për të bërë procedurën e aplikimit dhe duhet të kenë me vete certifikatën e fëmijës, certifikatë familjare dhe dy vërtetime që janë në marrëdhënie pune”, u shpreh Beqiri.

Me përfundimin e këtij aplikimi, do të vijohet me fëmijët e kopshteve, ndërsa online do të jetë vetëm për 32 mijë familjet e njësisë Nr.2.

“15 qershor deri në datën 5 korrik do të paraqiten në ambientet e kopshteve me të njëjtin dokumentacion që aplikimi online të jetë vetëm për kërkesat e njësisë 2. Do aplikojnë tek platforma: efëmijët.Tirana.al. Në momentin që ezaurohen vendet në ato objekte dhe ka vende të lira në objektet e njësive të tjera, prindërve që kanë aplikuar u lind e drejta për të bërë zgjedhje në njësi”, tha ajo.

Numri i kërkesave për të marrë shërbim, mbetet i lartë në raport me kapacitetet ndaj ju bëhet thirrje prindërve të vlerësojnë me prioritet procesin e aplikimit.

Gazetare: E. Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›