Programi Kombëtar i Depistimit Dentar, kontrolle falas për fëmijët në Ungrej të Lezhës

TIRANË, 23 maj/ATSH/ Programet e depistimit në shkolla po shndërrohen në një mburojë parandaluese për shëndetin e fëmijëve, duke garantuar jo vetëm zbulimin e hershëm të problemeve, por edhe një të ardhme më të sigurt për brezat e rinj.
Programit Kombëtar i Depistimit Dentar është një prej këtyre kontrolle, që ndihmon në kapjen e hershme të problemeve dentare te fëmijët, për të garantuar një shëndet oral të mëtejshëm për grupmoshat nga 0-18 vjeç.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale informoi sot se ky program depistimi është përqendruar në Ungrej të Lezhës ku fëmijët e këtij komuniteti po përfitojnë kontrolle dentare falas, me fokus parandalimin, diagnostikimin e hershëm dhe edukimin për kujdesin ndaj shëndetit oral.
Elson Frroku, Drejtor i NJVKSH Lezhë shprehet se bashkëpunim me klinikën stomatologjike universitare në Ungrej kanë ardhur ekipe mjekësh për të depistuar dhe për të bërë ndërhyrjet e nevojshme te gjithë fëmijët nga 0-18 vjeç.
“Të gjithë institucionet kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën në mënyrë të atillë që kjo grupmoshë të marrë shërbimet e duhura stomatologjike dhe shëndetësore për të pasur një komunitet sa më të shëndetshëm dhe sa më të informuar për shëndetin publik në tërësi”, tha ai.
Aurora Gjeloshi, drejtoreshë e Arsimit në bashkinë Lezhë, u shpreh se kjo bashki ka në fokus fëmijët dhe ofrimin e shërbimeve 360 gradë për ta.
“Përveç të gjitha shërbimeve që ne ofrojmë në bashki, jemi shumë të lumtur që kemi bashkëpunimin e institucioneve të tjera për të mundësuar më shumë shërbime për fëmijët. Pas njësisë Ungrej, kjo nismë do të vijojë edhe në njësitë e tjera”, tha ajo.
Ndërkohë, doktoresha Elva Duro bëri të ditur se një ekip nga Klinika Stomatologjike Universitare është angazhuar për depistimin pranë dy njësive arsimore.
“Kemi ardhur për të realizuar depistimet e nevojshme, për të parë nga afër gjendjen shëndetësore të fëmijëve dhe për të dhënë këshilla mbi masat parandaluese dhe profilaktike për kujdesin oral”, u shpreh Duro.
Programi Kombëtar i Depistimit Dentar ofron kontrolle periodike edukimi shëndetësor për ruajtjen dhe kujdesin e dhëmbëve si dhe shërbime konkrete, si fluorizimi, pastrimi i gurëzave, si dhe trajtimet urgjente apo mjekimet e patologjive të indeve të buta.
/e.i/r.e/ /a.g/