Tre kandidatë për FBOXK

Federata e Boksit e Kosovës (FBOXK) i ka kryer të gjitha përgatitjet për mbajtjen e Kuvendit Zgjedhor, i cili mbahet të shtunën në Shtëpinë e Sporteve në Prishtinë.
Në këtë Kuvend Zgjedhor do të votohet për zgjedhjen e kryetarit të FBOXK-së për mandatin e ri katërvjeçar dhe të drejtë vote kanë 39 delegatë të këtij kuvendi.
Deri në pasditen e së premtes, në FBOXK zyrtarisht janë paraqitur dy kandidatë për kryetarë. Bëhet fjalë për kryetarin aktual, Ramadan Selimi, si dhe Ramadan Jashanica, i cili aktualisht është kryetar i klubit të boksit Fushë-Kosova.
Ramadan Selimi është propozuar të kandidohet për kryetar nga Bordi i FBOXK-së, kurse Ramadan Jashanica është kandiduar për kryetar me pëlqimin e klubit të boksit Fushë-Kosova.
Ndërsa edhe Aziz Salihu pritet të jetë kandidat për kryetar të Federatës së Boksit të Kosovës, të cilën mundësi nuk e përjashton as kryetari aktual Ramadan Selimi.
Sipas tij, nëse Salihu, dëshiron të kandidoj për kryetar, duhet të kandidohet nga ndonjë klub tjetër, pasi që klubi nga vjen ai – Prishtina - nuk është nën ombrellën e FBOXK’së
“Ka gjasa që Salihu të kandidohet të shtunën, sepse unë kam kërkuar nga disa delegatë të kuvendit, pra përfaqësuesit e klubeve tjera ta propozojnë Aziz Salihun për kandidat dhe të shkohet më pas me votim”, theksoi Selimi.
Vetë ish-legjenda e boksit Aziz Salihu është i bindur se do të mund të kandidohet për kryetar, nëse jo nga Prishtina, atëherë nga klubi i Lipjanit.
“Unë dua të kandidohem në emër të klubit tim, Prishtina. Nëse kjo nuk më lejohet, atëherë klubi i Lipjanit do të më kandidojë. Edhe kryetari Ramadan Selimi më ka premtuar se do të bëjë çmos të ma mundëson të kandidohem, prandaj nuk besoj se Selimi i humb premtimet”, tha Salihu për Express.
“Unë do të shkoi aty, dhe nuk besoj se dikush do të më nxjerr prej krahu jashtë, sepse të gjithë e dinë se Aziz Salihu është sportist i merituar dhe e meriton të kandidohet për kryetar, sepse jam njëri ndër themeluesit e federatës”, shtoi Salihi.
Ai paralajmëroi se nëse Selimi arrin të rizgjedhjet kryetari i FBOXK-së, do t’ia zgjasë dorën dhe do t’i urojë fitoren. Nëse arrin të bëhet kryetar, Salihi premton se do ta ndërkombëtarizojë boksin kosovar dhe se do të bëjë të mundur pjesëmarrjen e boksierëve kosovarë në Lojërat Olimpike të vitit 2012.