17 milionë € për Behramin

Manchester City vazhdon të insistojë për Valron Behramin. Klubi Citizens është i interesuar ta përforcojë mesfushën dhe për këtë i ka bërë ofertë prej 17 milionë euro (15 milion funta) West Hamit për yllin kosovar.
Lajmin e kanë bërë të ditur mediat angleze, të premten. Sipas tyre, “David Beckhami i Zvicrës”, edhe pse ka shkëlqyer që prej transferimit të tij në Upton Park, mund të shitet për të krijuar fonde të nevojshme financiare për West Hamin, që është skuadër e rrezikuar për të rënë nga Premier Liga.
Ndonëse pronarët e rinj të West Hamit kanë thënë se nuk do ta shesin asnjërin ndër futbollistët kryesorë të ekipit, mediat angleze vlerësojnë se një shumë e tillë prej 17 milionë eurosh mund të jetë tunduese për menaxherin Gianfranco Zola, i cili kërkon ta përforcojë ekipin e tij.
Behrami, i cili i kushtoi West Hamit 5 milionë funte në 18 muaj më parë, është shumë i popullarizuar në mesin e tifozëve dhe është dëshmuar si futbollist me vlerë, pasi mund të luajë në çdo pjesë të mesfushës, sikurse dhe në mbrojtje.
Edhe Manchester United në garë
Sipas medieve angleze, Valon Behrami, serish mund të jetë në radarin e Manchester United. Kampioni i Premierligës, spekulohej se po kërkonte me ngulm reprezentuesin e Zvicrës, në fillim të këtij muaji, në kërkim të përforcimit të mesfushës.
Fillimisht mendohej se West Ham nuk dëshiron ta shesë ish-futbollsitin e Lazios. Mirëpo, sipas medieve angleze, Behrami mund edhe të shitet. Kjo mund ta alarmojë Sir Alex Fergusonin, i cili pavarësisht spekulimeve për krizën financiare në klub, vazhdon të insistojë se ka fonde të mjaftueshme për blerje.