Tre kandidatët e Kushtetueses dalin sot përballë deputetëve
Tre juristët e emëruar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, për të qenë anëtarë të Gjykatës Kushtetuese, do të përballen sot me deputetët e mazhorancës, për të paraqitur profilin e tyre. Në Komisionin Parlamentar të çështjeve ligjore, sot në orën 09:00 zhvillohet seanca dëgjimore me Vangjel Kostën, Altina Xhoxhajn dhe Bashkim Dedjen. Për rreth 60 minuta, deputetët do të pyesin tre anëtarët e emëruar për të gjithë veprimtarinë e tyre profesionale dhe njerëzore. Në dosjen që do të diskutohet sot nga deputetët, janë të depozituara edhe CV-të e tre anëtarëve të sapodekretuar nga kreu i shtetit. Në mbledhje nuk do të jenë prezentë parlamentarët e opozitës, por vetëm ata të Partisë Demokratike dhe deputeti i LSI-së, Nasip Naço, anëtar i Komisionit të Ligjeve. Pas zhvillimit të seancës dëgjimore, Komisioni i Ligjeve dërgon relacionin përkatës dhe Kuvendi në seancë plenare jep pëlqimin e tij, procedurë që zhvillohet me votim të fshehtë dhe me shumicë të thjeshtë. Sipas Kushtetutës së Republikës, “Gjykata Kushtetuese përbëhet nga 9 anëtarë, të cilët emërohen nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit”. Gjyqtarët emërohen për 9 vjet, pa të drejtë riemërimi nga radhët e juristëve me kualifikim të lartë dhe me përvojë pune jo më pak se 15 vjet në profesion. Përbërja e Gjykatës Kushtetuese përtërihet në çdo tre vjet në një të tretën e saj, sipas procedurës së caktuar me ligj. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese vazhdon në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij”.
ProfiletBashkim Dedja njihet si ish-student i Dhjetorit. Fillon punën si gjyqtar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë për tre vjet. Më pas zgjidhet gjyqtar në Gjykatën e Apelit, Durrës. Prej më shumë se dhjetë vjetësh mban këtë detyrë. Në muajin korrik të vitit 2008, kreu i shtetit i propozoi Kuvendit dy emra të rinj në postin drejtues të ILDKP-së, të cilët ishin Adriatik Llalla dhe Bashkim Dedja. Ky i fundit nuk mori votat e deputetëve të majtë për ta drejtuar këtë institucion. Në muajin janar të vitit 2009, Bashkim Dedja, bashkë me dy gjyqtarë të tjerë, u kontestua nga partitë për të qenë pjesë e Kolegjit Zgjedhor. Altina Xhoxhaj ka qenë anëtare e Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Aktualisht punon si gjyqtare në Gjykatën e Shkallës së Parë, Tiranë. Në muajin maj të vitit 2008, Presidenti i Republikës e dekreton për anëtare të Gjykatës së Lartë. Por, një muaj më pas, Kuvendi e rrëzon me 72 vota kundër dhe 56 pro, me argumentin se ajo bashkë me katër kandidaturat e tjera nuk ishin përfshirë nga Presidenti në një proces konsultimi paraprak me Kuvendin. Vangjel Kosta ka qenë anëtar në Gjykatën e Lartë. Prej 8 vitesh ka punuar pedagog në Shkollën e Magjistraturës. Aktualisht ushtron profesionin e avokatit. Vangjel Kosta ka qenë në listën e kandidaturave për Gjykatën e Lartë në muajin korrik të vitit 2008, por që u skualifikua që në raundin e parë nga Presidenti Topi.
#