E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrugët e Vlorës i trembin turistët

Qarkullimi me makina në të gjithë qytetin është kthyer në një torturë të vërtetë

Edhe pse turizmi është industria kryesore e Vlorës, infrastruktura e qytetit sa vjen e rrënohet, duke dëmtuar direkt të ardhurat nga kjo industri, që është tashmë në vështirësi për shkak të krizës ekonomike globale.

Qyteti, të cilit natyra i ka falur bukuri të pashoqe, shfaqet krejtësisht kaotik në këto ditë të para të sezonit turistik. Problemi më i madh, apo të paktën më i dukshmi dhe më i prekshmi, është ai i rrugëve gjithë gropa, që në ditët me diell “prodhojnë” pluhur e në ditët me shi baltë.

Kohës i kanë rezistuar vetëm trotuaret e para viteve ‘90, që të “sakatuara” nga ndërhyrjet dhe amortizimi vijojnë t’u shërbejnë vlonjatëve. Ndonëse janë bërë një sërë investimesh, rrugët janë amortizuar shumë shpejt, duke e lënë qytetin e Vlorës në gjendje të mjerueshme. Aktualisht në çdo rrugë të Vlorës, qoftë kryesore, apo në brendësi të lagjeve, gjen gropa të mëdha e kanale, ku kalimi i automjeteve, por edhe i këmbësorëve, është i vështirë. Që nga hyrja e qytetit në Pusin e Mezinit e deri në dalje të tij në drejtim të rivierës joniane, rrugët e bashkisë janë tërësisht të amortizuara.

Problem mbeten edhe rrugë të tjera në qytet, ku qarkullimi është tejet i dendur, sikundër është rruga e spitalit, e cila të çon edhe në fshatrat e Lumit të Vlorës apo në drejtim të varrezave të qytetit. Rruga mbi Bashkinë e Vlorës është e shkatërruar, ajo te spitali psikiatrik totalisht e amortizuar, si dhe shumë rrugë kryesore brenda qytetit janë në gjendje të mjerueshme. Qytetarët ankohen për gjendjen aktuale të qytetit. Ata ankohen për situatën e krijuar në qytet, ndërsa akuzojnë bashkinë se të gjitha rrugët e rikonstruktuara rishtas janë në gjendje të keqe.

Nga ana e bashkisë, përgjegjësia për infrastrukturën e rënduar të qytetit u delegohet punimeve për ujësjellësin dhe linjën elektrike 20 kilovoltëshe. Por Vlora është në një kaos infrastrukturor dhe të penalizuarit mbeten qytetarët dhe sipërmarrësit në fushën e turizmit.

Por problemet nuk janë vetëm brenda qytetit. Edhe rruga nacionale Fier-Vlorë është sivjet në gjendje tepër të keqe. Problemet fillojnë që nga Ura e Mifolit. Kjo urë 30-vjeçare është e amortizuar dhe në çdo 10 metra të saj janë hapur gropa dhe çarje. Megjithëse ndërmarrja “Rruga Ura” është munduar të mbulojë gropat, ajo vazhdon të jetë e amortizuar. Po ashtu, aksi rrugor nga Novosela deri në Vlorë është totalisht i amortizuar dhe gropat me madhësi të ndryshme janë në çdo metër katror. Por më problematike është hyrja e qytetit të Vlorës, ku rruga nga Pusi i Mezinit e deri në qendër, një gjatësi prej 3 kilometrash, është thuajse e pakalueshme dhe shumë automjete presin në radhë dhe i hapin rrugë njëri-tjetrit për të gjetur pjesën më të mirë të mundshme të rrugës.

Nga kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, është premtuar se data 30 qershor do ta gjejë Vlorën në gjendje të mirë me rrugë të asfaltuara dhe infrastrukturë të rehabilituar. Aktualisht ka filluar puna për asfaltimin e disa akseve brenda në qytet. Në rrugën që të çon në spitalin rajonal po punohet për mbylljen e gropave dhe kanaleve që janë hapur nga ndërmarrja e ujësjellësit, që për shtrimin e tubacioneve të reja ka “shqepur” rreth 54 kilometra rrugë nëpër qytet. “Aktualisht në shumë rrugë po punohet për të mbyllur gropat dhe kanalet. është asfaltuar rruga e Ujit të Ftohtë nga Rrapi e deri te hyrja e tunelit. Po ashtu, te lagjja “10 Korriku” kanë filluar të mbyllen kanalet dhe gropat, si dhe të asfaltohet”, tha një zyrtar i bashkisë, pa dhënë sqarime pse këto punime po bëhen vetëm tani që sezoni turistik ka filluar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›