E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE, Wollfarth: Nëse s’ka kompromis, ngërçi do vazhdojë deri në 2013-ën

Analiza e Wollfarth: “Duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël”.

TIRANË Në raportin vjetor të mbajtur përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, në Vjenë, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, paralajmëron se, në rast se nuk do të ketë sinjale të qarta për dialog dhe reformë konkrete zgjedhore, atëherë ngërçi politik do të zgjasë deri në zgjedhjet e 2013-ës. Wollfarth parasheh edhe një debat të mundshëm politik për zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. “Duke pasur parasysh zgjedhjen e Presidentit në vitin 2012 dhe një ashpërsim të mundshëm të debatit politik, para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, dritarja e mundësive për reforma, duke filluar nga tani deri në mesin e viti 2013, është e vogël. Nëse liderët politikë shqiptarë nuk shfrytëzojnë plotësisht atë çka mbetet nga 2011-a dhe viti 2012, ekzistojnë të gjitha shanset që ngërçi politik të vazhdojë deri në zgjedhjet parlamentare të vitit 2013. Për ta shmangur një skenar të tillë, liderëve politikë në Tiranë, do t'u duhet të përmbushin angazhimet e marra”, thuhet në raportin e përgatitur nga Ambasadori i OSBE-së.

Ngërci

Në një raport prej 10 faqesh, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Ëollfarth, i bën një radiografi zhvillimeve kryesore të vendit në 12 muajt e fundit. Mesazhi që ambasadori i OSBE-së jep është mjaft i qartë. "Mjaft kohë është humbur deri tani. Nëse vërtet doni t'í tregoni publikut shqiptar dhe partnerëve tuaj ndërkombëtarë se i merrni seriozisht përgjegjësitë dhe detyrimet tuaja, atëherë na duhet të shohim një kthim të menjëhershëm dhe të qëndrueshëm në gjuhën e dialogut, si dhe një vullnet të sinqertë për kompromis, me qëllim çuarjen përpara të axhendës së reformave", shkruan ambasadori i OSBE-së.

Viti që vjen, sipas tij, do të ndajë se ku do të duan ta çojnë Shqipërinë liderët e saj politikë. “... në drejtim të reformave, progresit dhe prosperitetit kombëtar apo do ta zhysin në një spirale zvarritjesh, amullie dhe mllefi politik. Çështja është shumë e thjeshtë. Zgjidh e merr!”, thekson në raportin e tij, Wollfarth. Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, nuk merret me vlerësime mbi zgjedhjet e 8 majit, duke qenë se për këtë ka një raport të OSBE/ODIHR-it. “Sa u përket zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore të muajit maj 2011, ky raport nuk do t'i hyjë ndonjë vlerësimi të hollësishëm të procesit zgjedhor, pasi ajo që duhet thënë thuhet në raportin përfundimtar të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve. Të gjitha palët politike duhet ta lexojnë raportin e OSBE/ODIHR-it në tërësinë e tij, duke shmangur tundimin për të përzgjedhur elementët që u pëlqejnë apo ato që nuk u pëlqejnë. Rekomandimet që përmban ky raport, si edhe ato të raportit të vitit 2009, tani duhet të shndërrohen në një reformë të suksesshme zgjedhore. Kuptohet se, që të ndodhë kjo, duhet të demonstrohet një dialog politik shumë më i madh ndërpartiak”, thuhet në raport. Një reformë e plotë, sipas tij, duhet të jetë: a) teknikisht e shëndoshë; b) e konsultuar gjerësisht dhe e panxituar; dhe c) sa më konsensuale.

Rregullorja

Në raport, merren në analizë dhe shumë fusha të tjera, që nga parlamenti, ku theksohet nevoja për një rregullore sa më konsensuale, çështjet që lidhen me luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, pronave, e deri tek liria e mediave.“Megjithëse pati një sërë përpjekjesh të koalicionit qeverisës për të reformuar rregulloren e brendshme të Kuvendit, këto ndryshime u duk sikur kishin si objektiv vetëm disa fusha të kufizuara të jetës parlamentare dhe, përveç kësaj, nuk u miratuan me konsensus. Duhet bërë një rishikim i plotë i disa rregullimeve legjislastive dhe rregulloreve të brendshme si: ligji për statusin e deputetit, ligji për punën e Kuvendit në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, dhe rregullorja e brendshme e Kuvendit, për t'u dhënë mundësi të gjithë parlamentarëve, të përmbushin në mënyrë efikase detyrat e tyre. Këto ndryshime duhet të miratohen me konsensusin e të dyja palëve”, thuhet në raportin e ambasadorit të OSBE-së.

Gërdeci

Në raportin e tij, Ambasadori i OSBE-së ka prekur edhe procesin gjyqësor për shpërthimin e Gërdecit, për të cilin thuhet se “nuk është zhvilluar në përputhje me parimet e gjykimit të drejtë”. “Çështja gjyqësore e Gërdecit në lidhje me shpërthimin në një punishte të çmontimit të municioneve afër Tiranës, në vitin 2008, në të cilin mbetën të vrarë 26 vetë, ka vazhduar pa ndonjë shenjë përfundimi. Procesi gjyqësor, në këtë rast, nuk është zhvilluar në përputhje të plotë me parimet e gjykimit të drejtë. Ndonëse një i akuzuar duhet të ketë të drejtën themelore të mbrojtjes ligjore, mosparaqitja e përsëritur e avokatëve mbrojtës në seancat gjyqësore përbën një abuzim të qartë me procesin ligjor. Vonesat e mëtejshme, veçse do të cenojnë besimin aq të nevojshëm të publikut, te shteti i së drejtës. Autoritetet e sistemit të drejtësisë duhet të bëjnë të pamundurën për të garantuar zhvillimin dhe përmbylljen, në afate të arsyeshme, të seancave gjyqësore të hapura për publikun dhe të një gjykimi të drejtë”, thuhet në raport. Kjo situatë, sipas tij, meriton disa përgjigje konkrete, në mënyrë që të nxirren edhe disa mësime.

N.P

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›