Tre mosketierët e futbollit shqiptar
Prej vitit të largët 1987 vetëm Flamurtari i Vlorës njihej në historinë e futbollit shqiptar si ekipi që kishte mundur të kalonte dy ture të kupave të Europës. Por tani kur nuk pritej, kur futbolli ynë vendas kishte prekur pothuajse fundin me atë problematikën e tij të vështirë e të ndërlikuar, ende të pazgjidhshme, Flamurtarit, dikur të lavdishëm për ato përballjet e tij titanike ndaj gjigantëve të tillë si Barcelona apo Partizani i Beogradit, i bashkëngjiten në piedestalin e ngritur për të në kupat europiane, edhe ekipi i Kukësit me Skënderbeun e Korçës, të cilët me kualifikimin e tyre në turin e tretë, mund të quhen si mosketierët e rinj të futbollit shqiptar në arenën ndërkombëtare. Ngjarja duket e madhe dhe gati e pabesueshme kur i rikthehesh argumentit të mësipërm të rënies së pandalshme të futbollit tonë në vend! Pikërisht nga një futboll i tillë pa cilësi dhe të braktisur nga spektatorët ishte e vështirë dhe gati e pamundur të prisje një arritje të tillë si ajo e Kukësit apo dhe e Skënderbeut! Privilegji i shortit të Ligës së Kampioneve të Europës i ka dhënë mundësinë ekipit korçar që të kalojë drejt e në turin e dytë, duke eliminuar kështu, tani për tani, vetëm një kundërshtar, ndërkohë që mrekullinë e vërtetë duhet ta shohim tek ajo çfarë po ndodh me ekipin e Kukësit, që si nëpër ato historitë e rralla të qëmtuara nga futbolli botëror, meriton një vëmendje të posaçme. Sepse, ndryshe nga Flamurtari i hershëm i asaj buje të famshme ndërkombëtare për vetë përmbajtjen e bukur e cilësore të lojërave të saj brenda e jashtë vendit në përplasje me yje të shndritshëm të botës së atëhershme futbollistike, sot ky formacion i Kukësit vjen më i thjeshtë dhe më pragmatist se kushdo tjetër. Për këtë mjafton të shohësh rrugët gjithë dredha e të papritura, gati si një xhungël të futbollit tonë, ku kuksianëve modestë iu desh të çajnë nga kategoria më e ulët deri në më të lartën, pa u ndalur në asnjë stacion, derisa kapën me sukses të madh edhe skenën europiane të futbollit, atë që edhe për shumë skuadra të traditës shihet ende si një ëndërr! Në këtë rast thuajse kontradiktor e paradoksal në të cilin gjendet futbolli ynë vendas dhe me atë se çfarë po arrin Kukësi por edhe Skënderbeu në arenën europiane, analiza e menjëhershme e suksesit do të ishte e nxituar për të dalë në përfundime logjike të drejta, por ajo që ia vlen të thuhet dhe asesi nuk mund të anashkalohet tani për tani, kur Kukësi i ka kaluar dy ture në Europë, duke shmangur dy kundërshtarë të vendeve jo fort pa emër për trashëgiminë e tyre të emancipuar, është se ky ekip por dhe ai korçar, kanë ditur ta përballojnë gjithshka nëpërmjet pasionit të madh të qyteteve të tyre për sportin dhe përkushtimit e sakrificës së jashtëzakonshme të iniciativës private dhe aspak shtetërore të njerëzve të tillë të mirënjohur në mbarë opinionin tonë sportdashës si, Safet Gjici, Agim Zeqo dhe Ardian Takaj. Është ky mirëkuptim i qytetarëve me investimet e pakursyera e pa interes të biznesmenëve në fjalë që përbën themelin e suksesit të deritanishëm, ndërkohë që stafi teknik i zgjedhur e i sponsorizuar prej tyre, me emra drejtuesish gjithashtu pasionantë, me përvojë futbollistike e të ditur, si Sulejman Starova, Mirel Josa e Armando Cungu, kanë bërë të mundur vënien në shina të sigurta të formacioneve që krahas Flamurtarit të 1987-s, po shkruajnë një histori tjetër të këndshme të futbollit tonë në arenën ndërkombëtare. Fasada e futbollit tonë duket paksa e zbukuruar tani prej ngjyrave që po përpiqen t’i japin kuksianët dhe korçarët, por pas kuintave, po të përqendrohesh pak, do të shohësh se mbeturinat e pista nga e kaluara gjenden ende aty, në kalbëzim e ndotje të mëtejshme. Edhe pse sezoni i ri është në prag, kur nuk duhet veçse një muaj që të nisë gara më e rëndësishme futbollistike në vend, shumica e skuadrave janë ende në ajër, pa ditur se ku ta kapin fillin që iu është këputur prej kohësh. Kur skuadra më e famshme e kampionateve tona, Tirana, nuk ka mundur të sigurojë deri tani asnjë lojtar cilësor në formacion, sepse punëve të saj nuk i del për zot asnjeri, kjo nuk do shumë koment për të bërë ndaj këtij futbolli që në vend të drejtimit dhe organizimit modern e bashkëkohor, vazhdon të ecë i nëpërkëmbur e kuturu, si një somnambul!? Ashtu si edhe në vitet e shkuara, edhe këtë herë skuadrat tona do ta nisin sezonin e ri pa e pasur ende statusin përkatës ligjor, çka i pengon ato në rrugën e gjatë nga ku do të përshkohet gara, starti i së cilës nis në fundgushtin e ardhshëm. Tani për tani, ato çfarë kanë shfaqur Kukësi e Skënderbeu, përbëjnë veçse një episod të këndshëm në këtë rrjedhë të gjatë e të vështirë realiteti të futbollit shqiptar...