E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vangjel Dule: Post ministri në qeveri? Pyesni Edi Ramën

TIRANE- Kryetari i PBDNJsë, Vangjel Dule sqaroi për “Gazeta Shqiptare”, se ende nuk është përcaktuar asnjë post ministror për PBDNJ-në. Ai konfirmoi se takimet me kryeministrin e zgjedhur Edi Rama kanë qenë të shpeshta, por ende nuk ka ndonjë lajm të ri për përfshirjen në qeveri. E ndërsa PS ka vendosur të ndajë mandatin e deputetit me atë të ministrit, nuk dihet nëse këtë do e zbatojë edhe vetë kreu i PBDNJ-së, i cili është i vetmi me mandat deputeti në partinë që drejton. I pyetur për mungesën e tij në disa takime të koalicionit, Dule tha se “jo në çdo takim mund të jetë kryetari”, duke mohuar të ketë ndonjë problem mes tij e Ramës. 

Zoti Dule, ju dje keni pasur përfaqësuesin tuaj në takimin me kryetarin e PS dhe njëherësh kryeministrin e ri, zotin Rama. Ju keni munguar në disa takime; ka ndonjë problem? 
Jo, nuk ka asnjë problem. Jo në çdo takim mund të jetë kryetari. Tanimë partitë duhet të funksionojnë ndryshe. 

A keni diskutuar ju me kryeministrin për postin ministror që do të merrni, pasi ju keni fituar një mandat deputeti dhe në bazë të marrëveshjes ju takon? 
Kjo është një çështje që nuk na takon neve ta themi, por përgjegjësia qeverisëse është një përgjegjësi që do të ndahet. Për momentin nuk ka asnjë lajm. Kryeministri ka përgjegjësi kushtetuese dhe çdo gjë do të vendoset dhe diskutohet në vijim. 

Ju, nuk keni bërë asnjë bisedë me zot in Rama? 
Nuk flasim për takime. Ato janë shumë të shpeshta. Ne po flasim për lajme dhe tani nuk ka asnjë lajm të ri. 

Po për strukturën e re të qeverisë, nuk pati asnjë konsultim me ju zoti Rama? 
Ai është ekskluzivitet i kryeministrit. Nuk hyjmë ne në këto çështje. 

Po ju vetë si parti , ende nuk keni diskutuar se cilat keni si prioritet, për të cilat doni të jepni edhe ekspertizën tuaj në qeverisjen e vendit? 
Ato janë çështje programore. Aty fillon debati. Është tjetër histori. Në programin e qeverisë, ku ne kemi detyrimin dhe të drejtën të shprehim dhe pretendojmë përfshirjen e elementeve tona prioritare.
(m.a/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›