E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tre vetëhelmime në 24 orë, vdesin 2 gra

30/01/2009  Nëna e 2 fëmijëve u grind me bashkëshortin, tjetri jetonte në varfëri. Rëndë një 18-vjeçar

DURRËS- Tre vetëhelmime kanë ndodhur në harkun kohor të 24 orëve të fundit në qarkun e Durrësit, dy prej të cilave me pasojë vdekjen. Nëna e dy fëmijëve Etleva Habibi dhe Nurie Bushi nuk i kanë shpëtuar vdekjes edhe pse atyre u është afruar ndihma e kualifikuar mjekësore në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Ndërkohë që në të njëjtin pavijon të intoksikologjisë në Tiranë 19-vjeçari Redion Gega ende nuk ka dhënë shenja jete.

Vetëhelmimet

Burime policore zyrtare të Durrësit kanë deklaruar se Etleva Habibi, 30 vjeçe, e lindur në Pjezë të Shijakut dhe banuese në ish-Kënetë të qytetit të Durrësit është dërguar në spitalin e Durrësit nga bashkëshorti saj Fatmir Habibi dhe familjarë të tjerë. Në orët e mbrëmjes burrë e grua janë grindur mes tyre, ndërsa nëna e dy fëmijëve pas sherrit është futur në dhomën e saj të gjumit. Ndërsa është menduar se grindja kishte përfunduar bashkëshorti i saj ka parë në shtratin e tij se gruaja përpëlitej dhe nxirrte shkumë nga goja, ndërsa fytyra e zbehtë nuk jepte shenja jete. Në të tilla rrethana shtetasi Fatmir Habibi ka kërkuar ndihmën e pjesëtarëve të tjerë, të cilët e kanë dërguar në Durrës dhe më pas në Spitalin Ushtarak 30-vjeçaren. Policia ka thënë se megjithë ndihmën mjekësore Habibi nuk ka mundur t’i shpëtojë vdekjes, ndërkohë që do të kryhet autopsia për të mësuar se ç’lloj helmi ka konsumuar. Në të njëjtën natë në spitalin e Laprakës ka përfunduar një tjetër urgjencë nga Durrësi, por edhe në këtë rast mjekët megjithë reaniminim e plotë nuk e kanë mbajtur dot në jetë 47-vjeçaren Nurie Bushi, lindur dhe banuese në lagjen numër 17. Nisur nga hetimet paraprake për të mësuar shkaqet e plota që kanë shtyrë Bushin të konsumojë fostoksinë, thuhet se 47-vjeçarja vuante nga depresioni. Grupi hetimor ka nxjerrë si konkluzion se Nurie Bushi ka pirë helm për të shpëtuar nga varfëria ekstreme e familjes, varfëri që e kishte shtyrë atë të vetëhelmohej. Bluzat e bardha pas këtyre ngjarjeve të rënda i janë rikthyer sallës së renimacionit për të mbajtur në jetë të riun Redion Gega. 18-vjeçari ka pirë helm si pasojë e depresionit të shkaktuar nga një akuzë që rëndonte mbi të. Ai kishte shtatë muaj që qëndronte në gjendje “arresti shtëpie” për shkak të hetimit të nisur lidhur me një vjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›