E Diel, 1 Nëntor 2026

Grabitet në portin e Durrësit anija tregtare

30/01/2009  Pronari i mjetit, denoncim pas 3 ditësh. Dyshohet shitja në ndonjë port fqinj

DURRES- Është grabitur në portin e Durrësit një anije tregtare e tonazhit të vogël. Lajmi është konfirmuar nga burimet zyrtare të policisë së Durrësit, të cilët kanë theksuar se një ditë më parë shtetasi Fatmir Abazi ka bërë denoncim lidhur me këtë ngjarje të pazakontë.

Grabitja

Nisur nga pohimet në polici mësohet se anija “Adriana” pronë e 38-vjeçarit Fatmir Abazi është vjedhur më datë 25 janar 2009. Anija 1.5 tonëshe ka qenë e vendosur tek Kalata Lindore për riparim, ndërkohë që pronari Abazi e ka konstatuar zhdukjen e anijes tre ditë para se t’i drejtohej Policisë së Shtetit për të bërë denoncimin. Sipas 38-vjeçarit, Abazi së bashku me anëtarë të ekuipazhit e kanë kërkuar gjithandej në port anijen e tyre tashmë të humbur dhe kur janë bindur se nuk gjenden gjurmë të saj kanë bërë denoncim. Anija ishte sistemuar në Kalatën Lindore për riparim dhe ishte nxjerrë në tokë prej disa kohësh. Lajmi i zhdukjes së anijes së pari ka vënë në gjendje alarmi efektivat e sigurisë portale, të cilët kanë nën kontroll të gjithë hapësirën portuale. Tashmë sektori përkatës në polici ka hapur një dosje më vete dhe agjentët e saj kanë marrë në pyetje pronarin, specialistët që kanë kryer riparimin si dhe shumë persona të tjerë që kanë mjetet e tyre në këtë pjesë të portit së bashku me punonjës që shërbejnë në Kalatën Lindore. Dyshimet paraprake e kanë shtyrë policinë të shkojë drejt një mundësie vjedhjeje nga persona ende të paidentifikuar për ta shitur mjetin e tonazhit të vogël tek tregtarët e skrapit. Megjithatë, policia nuk ka lënë jashtë hetimit edhe nxjerrjen jashtë portit të anijes për ta shitur në ndonjë port fqinj. Kapitaneria e portit si dhe strukturat e tjera kanë kërkuar ndihmën e porteve fqinje për të mësuar nëse anija “Adriana” mund të jetë futur në ujërat e Adriatikut për të lundruar drejt ndonjë gjiri a porti tjetër. Zvarritja në tre ditë e denoncimit ka vënë në vështirësi grupin hetimor, pasi personat që kanë nxjerrë nga porti anijen kanë pasur kohën e mjaftueshme ta transportin për ta fshehur në ndonjë gji në brigjet e përtejme të Adriatikut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›