E Diel, 1 Nëntor 2026

Sindikata e Policisë: Të dorëhiqet Nishani, disa policë bashkëpunojnë me krimin



Sindikata e Policisë ka kërkuar dje dorëheqjen e ministrit të Brendshëm, Bujar Nishani, veprim që duhet të bëhej, sipas saj, fill pas masakrës së Durrësit, ku 4 efektivë të Policisë gjetën vdekjen në operacionin për kapjen e të shumëkërkuarit Dritan Dajti. Gjatë një prononcimi për mediat, kryetari i Sindikatës, Valentin Macaj, ka deklaruar se aksioni që shpuri në vrasjen e katër oficerëve të Policisë në Durrës është dekonspiruar, e për këtë, Nishani, si kreu i dikasterit, duhet të japë dorëheqjen. "Është anashkaluar përgjegjësia e drejtuesve dhe shitja e informacionit, ndaj ministri Nishani duhet të dorëhiqet", - tha ai. Më tej ai u ndal në problemet që shfaqen sot në forcat e Policisë, ku theksoi se ka dyshime për përfshirje të policëve në grupe kriminale. Për këtë ai ka propozuar edhe ngritjen e një Task-Force për të kontrolluar pasuritë e tyre.
Një ditë më parë Sindikata e Policëve kërkoi rikthimin e ligjit për pensionet suplementare të policëve të rënë në krye të detyrës. Përmes një komunikimi me mediat, Sindikata i është drejtuar me disa kërkesa qeverisë, duke kërkuar prej saj të mbajë premtimet që bën për policinë. Janë gjithsej 6 policë që kanë rënë në krye të detyrës në vitin 2009, ndërsa ata ende nuk kanë përfituar siguracionin e jetës, thanë drejtues të Sindikatës. Ata kanë kërkuar shtesë page për vjetërsinë në punë edhe në radhët e efektivëve të Policisë. Apeli i sindikatës vjen një ditë pas takimit të kreut të qeverisë, Sali Berisha, me drejtues të Policisë së Shtetit, ku premtoi rikthim të ligjit dhe status të ri për policët e rënë në krye të detyrës.

15 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›