E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poshtërim i ri për shqiptarët

Nga Fejzi Hajdari

Edhe çfarë tjetër duhet të ndodhë që faktori politik shqiptar, BDI dhe të gjitha partitë e tjera që do të vijnë e do të ikin nga pushteti në Maqedoni, ta kuptojnë pozicionin real të pafuqisë dhe “ndikimin zero” në vendimmarrje? Talljet e kreut shtetëror maqedonas lidhur me pritjen për presidentin e Republikës së Kosovës u vërtetuan, konform pohimeve mediale të paradokohshme. Sjellja e këtillë e kreut shtetëror maqedonas filloi me mosftesën e presidentit të Kosovës për pjesëmarrje në ceremoninë e inaugurimit të presidentit maqedonas, duke vazhduar tani edhe me ftesën për vizitë nënçmuese për takim me Fatmir Sejdiun.

Në fakt, lojërat e këtilla ofenduese për zyrtarët kosovarë datojnë nga më herët. Pritje “nënçmuese” atëbotë iu përgatit edhe ish-kryeministrit kosovar, Bajram Kosumi. Nëse kronologjikisht i hidhet një vështrim pritjeve të zyrtarëve të lartë shtetërorë të shteteve fqinje, lehtë dilet te konkluzioni se kreu shtetëror maqedonas vetëm për krerët shtetërorë shqiptarë, qofshin ato të Kosovës apo Shqipërisë, përgatit pritje apo vizita të këtilla “surprizë”.

Kjo sjellje e kreut shtetëror maqedonas përfundimisht duhet të ndezë alarmin shqetësues për subjektet politike shqiptare. Kështu, jo vetëm që bie popullariteti i partive shqiptare në pushtet, por krijohet edhe një imazh impotence për politikën shqiptare në përgjithësi në Maqedoni. Kësisoj, edhe elektorati shqiptar humb besimin te politika shqiptare e këtushme.

Vazhdimi i kësaj sjelljeje nënçmuese për ndjenjat e të gjithë shqiptarëve pa dallim në Maqedoni, gjithsesi do të ketë pasoja. Ato mund të jenë nga më të ndryshmet, por e përbashkëta do të jetë: radikalizimi i situatës.

Lehtë mund të ketë një lloj riciklimi të situatës së para-konfliktit të armatosur të 2001, gjë të cilën askush nga strukturat serioze politike nuk do ta dëshironte për momentin. Kjo gjendje nuk do të ishte në interes të asnjë qytetari të Maqedonisë, sidomos kur kihet parasysh momenti tepër i brishtë i tanishëm: liberalizimi i vizave, kontesti rreth emrit të Maqedonisë, fillimi eventual i bisedimeve me strukturat e BE etj.

Veprimet e fundit të kreut shtetëror maqedonas nxjerrin në pah edhe pozitën indiferente dhe inferiore të ministrave shqiptarë, si dhe të funksionarëve të tjerë shqiptarë në përgjithësi. Fuqia e tyre, siç duket, është më pak se simbolike. Kjo dëshmon se gjithçka e ka në dorë, sa i përket marrëdhënieve të këtilla politike, kryeministri Nikolla Gruevski, i cili e kontrollon pushtetin, qoftë nëpërmjet farefisit të tij të përfshirë në institucionet e sistemit, qoftë nëpërmjet militantëve partiakë.

Faktori politik shqiptar, siç duket, po vihet para milimetrit të fundit të Vijës së kuqe. Shqiptarët përfundimisht duhet të heqin dorë nga politikanët që veprojnë nga sallonet dhe kancelaritë, sepse kanë nevojë të ngutshme për politikanë të aksioneve konkrete në terren.

Ndoshta, ky veprim i kreut shtetëror maqedonas dëshmon edhe për dyfytyrësinë politike, që aty-këtu mund të lexohej edhe nga prononcimet e disa politikanëve shqiptarë, të cilët me “argumentet” e tyre përpiqeshin ta arsyetonin mospjesëmarrjen e presidentit Sejdiu në inaugurimin e presidentit maqedonas. Të mos harrojnë zotërinjtë se edhe politika ka parimet e veta, të cilat popullata i respekton, pavarësisht nga fakti se politikanët nuk i respektojnë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›