Tregjet e Komunikimit
Kriza e tanishme e tregjeve financiare dallon prej të mëparshmeve edhe ngaqë pllakosi pikërisht kur modeli i tregut po këshillohej universalisht e me të madhe, si model për të organizuar të gjitha sferat e shoqërisë, duke përfshirë edhe shkëmbimin e informacionit dhe vetë demokracinë si sistem, ku zgjedhësit i “blejnë” përfaqësuesit e tyre, duke i paguar me vota.
Nuk është për t’u habitur që dogma e laissez faire, e trumbetuar deri në shurdhim këto njëzet vjetët e fundit jo vetëm nga e djathta neoliberiste, por edhe nga organizmat ndërkombëtare të zhvillimit, tani po vihet në dyshim deri edhe nga partizanët e vet më të flaktë. Me pak përjashtime të njohura, të gjithë janë të një mendjeje që shteti nuk mund të mbahet forcërisht larg tregjeve, dhe që tregjet vetë nuk e kanë atë aftësi vetërregulluese pothuajse magjike që iu atribuohej deri më sot.
Si do të pasqyrohet ky ndërrim paradigme në tregjet e shkëmbimit të informacionit, veçanërisht në kontekstin e sotëm kur teknologjitë e televizionit numerik, Internetit, realitetit virtual dhe telefonisë celulare po e revolucionarizojnë komunikimin?
Deri më sot, në shoqëritë perëndimore pluraliste edhe komunikimi është organizuar sipas parimit të shkëmbimit të lirë të informacionit, gjithnjë të modeluar sipas tregut të lirë të mallrave dhe të parasë. Shkëmbimi i lirë i informacionit, nga ana e vet, lyp njohjen dhe garantimin e të drejtës së fjalës nga shteti, siç edhe është arritur gjerësisht, madje edhe në vendet ish-socialiste të Lindjes, duke përfshirë edhe Shqipërinë. Mirëpo e drejta e çdo individi dhe institucioni për të shkëmbyer informacion sipas dëshirës dhe interesit nuk garanton cilësinë e informacionit, as funksionimin harmonik të sistemit. Që këtej, mund të pyetet nëse ekziston rreziku që edhe modeli i shoqërisë së hapur dhe pluraliste, ku njerëzit komunikojnë lirisht në tregun e ideve dhe të informacionit, të pësojë kolaps të ngjashëm me atë të tregjeve financiare.
Për t’iu qasur rrezikut për zhvlerësim dramatik të informacionit dhe paralizë të komunikimit, më parë duhet përcaktuar më mirë se çfarë shkëmbehet pikërisht gjatë komunikimit; meqë idetë dhe format mund të shumëzohen praktikisht pa shpenzime materiale, njëlloj si kopjet e një kënge në MP3, ose videot muzikore në YouTube.
E vetmja mënyrë për t’u pasuruar në këtë lloj tregu, ku shitësit mbeten në zotërim të mallit edhe pasi ua kanë përcjellë blerësve, është kontrolli i informacionit. Nga ana tjetër, koncepti i komunikimit si treg mbështetet mbi idenë se vlera e çdo mesazhi që shkëmbehet është vërtetësia, ose raporti me të vërtetën, si realitet ose si pikësynim.
Një nga arsyet e kolapsit të tregjeve financiare thuhet se ishte shumëfishimi artificial i letrave me vlerë, nëpërmjet instrumentesh “ekzotike”, të krijuara në zanafillë për të administruar riskun. Disa studiues të tregjeve financiare kanë parë një ngjashmëri midis këtij shumëfishimi vlerash fiktive, dhe shumëzimit të informacionit të përcjellë me anë të komunikimit elektronik. Nga ana tjetër, vetë tregjet financiare po varen dhe kushtëzohen gjithnjë e më tepër nga shpejtësia me të cilën transmetohet dhe përpunohet informacioni; deri në atë shkallë sa tashmë reagimi ndaj lajmeve, nëpërmjet blerjes ose shitjes së letrave me vlerë, t’u besohet gjithnjë e më shpesh kompjuterëve të programuar ad hoc. Firmat e mëdha financiare dhe të brokerimit kanë investuar shuma kolosale në këtë sektor të shkëmbimeve të kryera automatikisht nga kompjuterë të fuqishëm, të cilët komunikojnë drejtpërdrejt me agjencitë e specializuara në fushën e informacionit financiar, si Bloomberg.
Informacioni i tepërt në qarkullim, njëlloj si paraja e printuar për të korrigjuar zhbalancime të tregjeve, shkakton inflacion; dhe në sistemet e komunikimit inflacioni nuk mund të shfaqet veçse si zhvlerësim i së vërtetës. Ndërsa në lëmin e shkëmbimeve në bursë po dëgjohen gjithnjë e më shpesh zëra që ftojnë për vetizolim të operatorëve ndaj përmbytjes informacionale, ose për shkëputje nga dialogu i pandërprerë, sekondë pas sekonde, me rrymën e të dhënave të rastësishme, në lëmin e komunikimit kjo do të përthyhej si nevojë e publikut për të pasur më shumë kontroll ndaj rrjedhës së informacionit.
Institucionet publike, në këtë kontekst, do të përpiqeshin të mbronin kanalet e informacionit nga zhurma, veçanërisht nga ajo lloj zhurme parazitare që mëton të paraqitet si informacion – propaganda politike, reklamat dhe në përgjithësi profkat, ose mesazhet nga burime që nuk duan aq t’ia dijnë për të vërtetën, sa robëtohen për të mbajtur vëmendjen e publikut të gozhduar në to ose larg burimesh të tjera, potencialisht subversive për statu quo-në. Për shembull, mendohet se 80-85% e postës elektronike që qarkullon në Internet është spam, ose mesazhe që orvaten t’u shesin marrësve mallra të çfarëdoshme; çka e rëndon tej mase Internetin si medium komunikimi, edhe pse shumë shpërndarës spam-i e konsiderojnë veprimtarinë e tyre si të përligjur nga e drejta e fjalës. Shpërndarja e mesazheve të tilla është fitimprurëse për autorët, edhe pse, sipas një studimi të kryer tani së fundi nga disa universitete në Kaliforni, vetëm 1 në çdo 12 500 000 mesazhe arrin të finalizohet me shitjen e produktit.
Për vende të vogla si Shqipëria, ku publiku ka fuqi blerëse relativisht të ulët dhe ende nuk është kushtëzuar si duhet nga mekanizmi i reklamës, kanalet e informacionit nuk mbingarkohen aq nga spam-i komercial, sesa nga spam-i politik, ose nga orvatjet këmbëngulëse të partive dhe të grupeve politike për ta përdorur çdo instancë të komunikimit publik si mjet përçimi të mesazheve të tyre. Kjo shpjegohet edhe me faktin e njohur që në vende të tilla kapja e pushtetit politik është mënyrë gati legjitime për t’u pasuruar, po aq normale sa edhe shitja e pijeve freskuese, gomave të kamionëve, shampove për qen, sigurimeve për jetën, aksioneve dhe shërbimit të pastrimit të qilimave në vende kapitaliste të zhvilluara. Nëse tregu i shkëmbimit të informacionit, duke përfshirë këtu edhe mass mediat, kapet nga forcat politike dhe grupet e interesit që lidhen me to, atëherë barazia e partnerëve në komunikim ekziston vetëm në letër, meqë në praktikë disa prej partnerëve janë më të barabartë se të tjerët – për të parafrazuar Orwellin.
E vërteta, si vlerë e çdo transaksioni komunikativ, realizohet në aktin e shkëmbimit; prandaj mediat dinjitoze dhe që e ruajnë besueshmërinë në publik janë burime pasurish të paçmuara për kulturën dhe shoqërinë. Përkundrazi, kolapsi i informacionit dhe zhvlerësimi katastrofik i së vërtetës e transferojnë pushtetin nga publiku te zhurmuesit e informacionit, ose super-profkatarët. Prandaj shteti e ka për detyrë jo vetëm t’u garantojë të drejtën e fjalës individëve dhe institucioneve, por edhe t’i mbrojë kanalet e komunikimit nga zhurma dhe spam-i, politik dhe ekonomik, duke ua kufizuar elitave në pushtet mundësinë për t’u riprodhuar lirisht nëpërmjet komunikimit publik.
Komunikimi i vjetër njëdrejtimsh, i themeluar mbi shtypin, radion dhe më pas televizionin, i ngjante një lloj teatri të përgjithshëm, ku publiku ndiqte lojën e parive në skenë duke u identifikuar me këtë apo atë palë në konfliktet, reale apo të sajuara. Modeli i ri, i mbështetur në Internetin, telefoninë celulare dhe konceptin e rrjetëzimit (networking) i përgjigjet më mirë idealit pluralist dhe demokratik që frymëzon çdo veprim social dhe institucion. Nëse më parë publiku rrezikohej nga monopolizimi i burimeve të informacionit nëpërmjet kontrollit ekskluziv, sot ky kontroll po realizohet gjithnjë e më tepër nëpërmjet zhurmës. Nëse njëqind kumrije mjaftojnë për ta luajtur mendsh njeriun, po t’i besojmë fjalës së popullit, atëherë njëqind mijë kumrije, të shumëfishuara nga njëqind mijë pasqyra dhe altoparlante, mjaftojnë për ta futur krejt shoqërinë në komë informacionale.
Kriza e tashme financiare i përgënjeshtroi të gjithë ata që shpresonin, ose hiqeshin sikur shpresonin në virtytin vetë-rregullues të tregjeve, ose të filozofisë së laissez faire. Edhe ish-Presidenti legjendar i Federal Reserve, Alan Greenspan, i thirrur para pak ditësh për të dëshmuar rreth krizës financiare para Komitetit për Mbikëqyrjen dhe Reformën Qeveritare të Dhomës së Ulët të Kongresit Amerikan, u shtrëngua të pranojë se u kishte besuar së tepërmi aftësive vetëkorrigjuese të tregut të lirë, dhe nuk kishte arritur të parashikonte fuqinë vetëshkatërruese të huave hipotekare të papërligjura. Megjithatë, kjo humbje besimi në aftësitë vetëregulluese të modelit ekonomik të laissez-faire nuk ka pse të përthyhet vetvetiu si humbje besimi në sistemin kapitalist në përgjithësi; sa kohë që vetërregullimi nuk ka pse të mbahet si virtyt ekskluziv i modeleve ekonomike. Çka u konfirmua, në rrethanat e tanishme, ishte vetëm nevoja për rregulla dhe mekanizma rregullues të egoizmit, konkurrencës, grykësisë dhe idhujtarisë së parasë. Tregjet e komunikimit, në botën mbarë, janë duke nxjerrë mësimet përkatëse.