Greva e urisë dhe psikoza e humbjes së besimit
A është i përtypshëm për opinionin publik vendimi i këtyre zotërinjve të shëndoshë, të pasur e të pushtetshëm, për një sakrificë ekstreme, me uri dhe të ftohtë? (Milionerë të uritur, çfarë sarkazme!). Nuk është e rastit që në këtë skenë, disa kuptojnë egoizëm, disa hipokrizi, disa të tjerë ndoshta janë mallëngjyer nga vuajtja fizike e liderëve. Por çfarëdo të jetë, e rreme a e vërtetë, "vetëflijimi" i 10 deputetëve është një pikë uji në oqean, përballë sarkazmës therëse të problemeve të qytetarëve, që janë vuajtësit e vertetë në këtë vend.
Grevë urie deputetësh, duket goxha gjetje. Punë e paqme për të fituar interes popullor, por që rrezikon të dështojë.
Rrezikon të dështojë, sepse krijimi i përshtypjeve revolucionare me mënyra të tilla, do kish ndodhur patjetër në çdo vend të botës, por jo në Shqipëri.
Sepse ne shqiptarët jemi të lodhur e të çoroditur përgjithësisht, çka do të thotë se është e vështirë të gjesh mënyra për të na trazuar ndërgjegjet e vrara nga realiteti i vrazhdë, në krijimin e të cilit, në vite kanë kontribuar jo pak edhe liderët në grevë urie.
Përfundimisht dua të them që kjo grevë duket e pamenduar mirë, pasi ajo është thirrur, veç të tjerash, në sfondin e mallkimeve të jetës shqiptare, ndërsa ngjarje tronditëse trokasin çdo ditë në këtë vend).
Politkanët tanë duhet të kenë të qartë se përballë tyre qëndron sfida e vështirë e riparimit të psikozës së dërmuar të njerëzve për shkak të humbjes së besimit. Për më tepër, kur dihet se ajo që u mungon klithshëm qytetarëve, është bindja për ndershmërinë dhe sinqeritetin e njerëzve që bëjnë politikën përditë.
Është pikërisht kjo mungesë ajo çka i ka zhytur ata në zhgënjim të thellë.
Që vizioni njerëzor të shndërrohet në "frymë" dhe të sjellë lindjen e shpresës,siç ndodhi, të themi me Obamën, pikë së pari, duhen zgjedhur të drejtojnë ata njerëz që janë të aftë për të qenë të ndershëm....
Sepse deri tani, në skenën shqiptare të ngjarjeve, ndershmëria dhe sinqeriteti i politikëbërësve ka qënë diçka fort më e rrallë në tranzicionin tonë, madje edhe më e rrallë se grevat e urisë.
Sidoqoftë, kjo grevë ka anën e saj pozitive, që është ndriçimi i të vërtetës së hidhur që, fatkeqësisht, kufiri i mbarimit të tranzicionit ndodhet ende larg.