Tregohet Ferizaj
Dy orë pas mbylljes së votimeve, simpatizantët e Partisë Demokratike dhe ata të Lidhjes Demokratike kanë vërshuar rrugët e qytetit të Ferizajt.
Më shumë arsye për festë patën militantët e PDK’së. Kandidati i tyre, Agim Aliu mori mbi 40 përqind të votave të qytetarëve të Ferizajt, në zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës.
Njerëzit e LDK’së festuan për shkak se kandidati i tyre, Adem Salihaj arriti të hynte në balotazh, duke marrë 24 për qind të votave.
Heshtje mbretëroi në selitë e partive të tjera.
Lëvizja Vetëvendosje, e cila shpresonte se do të hynte në balotazh, nuk ia doli. Faton Topalli mori vetëm 16 për qind.
AAK’ja është dukur më e disponueshme, pasi Naim Ferati dyfishoi votat e kësaj partie. Derisa në zgjedhjet e fundit, partia e Ramush Haradinajt kishte marrë më pak se 5 përqind me Rrahim Sadikun, të dielën mori 10 për qind.
AKR’ja e Behgjet Pacollit, ndërkaq, u radhit në këndin e humbësve të mëdhenj. Në zgjedhjet e fundit, kjo parti kishte marrë 15 për qind të elektoratit, e tash nuk ia doli t’i marrë as 5 për qind.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Ferizajt u përshkruan me parregullsi teknike, por asnjë nga partitë nuk tha se votat u vodhën siç ndodh rëndom në vend.
Votat e kandidatëve
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka mbajtur konferencën e fundi në ora 22 dhe ka dhënë rezultatet preliminare, me të cilat konfirmohet se PDK dhe LDK do të shkojnë në balotazh.
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka ka thënë se rezultatet e shpejta kanë ardhur pasi kanë zbatuar projektin “K-vote”, ku janë dhënë në formë elektronike rezultatet përmes internetit.
Nga këto rezultate, kandidati i PDK’së, Agim Aliu ka marrë më së shumti vota prej konkurrentëve për të udhëhequr Ferizajn.
Ai është renditur i pari me 40 për qind yë votave apo 4 mijë e 446 vota më shumë sesa kandidati i LDK’së, Adem Salihaj, i cili ka fituar 24 për qind të votave.
Kandidati i Vetëvendosjes është renditur i treti me 15 për qind të votave. Ai ka marrë 2 mijë 227 vota më pak se kandidati i LDK’së, ndërsa 6 mijë e 944 më pak se PDK’ja.
Ish-kandidati i AKR’së, tash i AAK’së, Naim Ferati është renditur i katërti me 3 mijë e 43 vota.
Ndërsa kandidatët e tjerë nuk kanë arritur as pesë për qind të votave.
Ramadan Hasani i AKR’së, Bujar Ademi i PD’së, Ramadan Emini i LB’së dhe Rrahim Sadiku i pavarur kanë arritur t’i mbledhin rreth dhjetë për qind të votave.
Ecin tutje
Partitë politike e kanë pranuar rezultatin e zgjedhjeve në Ferizaj, derisa kandidatët e dy partive politike kanë shpallur hyrjen në balotazh ende pa u shpallur rezultatet preliminare.
Kandidati i PDK’së, Agim Aliu ka thënë se gara ka qenë korrekte dhe ka fituar demokracia.
Ai nuk është ankuar në ndonjë problem gjatë ditës së votimeve, derisa ka thënë se koncepti i PDK’së ka dalë fitues.
Edhe kandidati i LDK’së, Adem Salihaj pas publikimit të rezultateve është ankuar se PDK’ja ka tentuar të prishë procesin zgjedhor, por se nuk ia ka dalë.
Ai ka thënë se në balotazh vendimtare do të jenë koalicionet që do të lidhin partitë mes vete.
“Fitoja në balotazh do të vendoset nga koalicionet që do të lidhin partitë politike. LDK’ja është e hapur për koalicione”, ka thënë Salihaj.
Kandidati i tretë, Faton Topalli i Vetëvendosjes nuk ka treguar nëse partia e tij do t`i pranojë rezultatet, ndërkohë ka paralajmëruar se kanë hartuar rreth njëzet ankesa, të cilat do t`i drejtojnë në PZAP.
Edhe ky kandidat ka akuzuar PDK’së se ka pasur përpjekje që ta prishë këtë proces zgjedhor.
Ana tjetër, Naim Ferati i AAK’së është shprehur i kënaqur, për siç ka thënë ai, “kulturën që demonstruan qytetarët e Ferizajt ditën e sotshme”.
“Ne falënderojmë qytetarët. Gara e AAK’së nuk përfundon këtu. Ne kemi hyrë në një maraton që nuk do të përfundojë sot”, ka thënë Ferati i AAK’së.
Pak votues
Kryetarja e KQZ’së, Valdete Daka ka treguar se procesi zgjedhor në Ferizaj ka kaluar pa probleme të mëdha, të cilët do të mund ta prishnin procesin zgjedhor.
Ajo ka treguar se në numri i përgjithshëm i votuesve për Kryetar të Ferizajt është 29 mijë e 190 votues apo 30.55 për qind e votuesve.
“Kjo është pjesëmarrje shumë më e ulët se sa ajo në zgjedhjet e kaluara. Por, procesi ka kaluar pa ndonjë problem që do të mund ta prishte atmosferën e mirë zgjedhore. I falënderoj së pari qytetarët e Ferizajt që kanë treguar një kulturë të lartë demokratike”, ka deklaruar Daka.
Ndryshe, të gjitha vendvotimet janë hapur dhe mbyllur me kohë.
Por, numri i vogël i votuesve është përmendur gjatë gjithë ditës nga shoqëria civile.
Sipas tyre, ky numër tregon se qytetarët janë të zhgënjyer dhe kanë filluar të mos iu besojnë proceseve të tilla zgjedhore, ndonëse procesi në Ferizaj ka kaluar pa ndonjë problem të madh.
“Sipas nesh, kjo është një pjesëmarrje shumë e vogël dhe befasuese”, tha Bardhyl Metaj nga koalicioni “Demokracia në Veprim”.
Gjatë tërë ditës ka pasur raporte se interesimi i qytetarëve për të dalë në votime ka qenë i ultë. Deri në orën 15, kanë votuar vetëm 18 për qind, ndërsa deri në orën 11 vetëm 8 për qind.
Votat preliminare
Agim Aliu PDK me 11418 vota apo 40,74 për qind;
Adem Salihaj i LDK’së me 6751 vota apo 24,09 për qind;
Faton Topalli i VV’së me 4474 vota apo 15,96 për qind;
Naim Ferati i AAK’së me 3043 vota apo 10,86 për qind;
Ramadan Hasani i AKR’së 1364 vota apo 4,87 për qind;
Bujar Ademi i PD’së me 729 vota apo 2,60 për qind;
Rrahim Sadiku, kandidat i pavarur 140 vota apo 0,50 për qind dhe
Ramdan Emini i LB’së me 110 vota apo 0,39 për qind të votave
Rezultatet e votimeve
Në 124 vendvotime në komunën e Ferizajt kanë votuar vetëm 30.05 për qind e votuesve. Nga 95 mijë e 449 votues kanë votuar 28385 votues.
Sipas rezultateve të KQZ’së, fletëvotime të vlefshme kanë qenë 28009 copë, ndërsa vetëm 369 janë shpallur të pavlefshme. Sikurse edhe herëve të kaluara, edhe kësaj radhe kanë votuar 588 votues me kusht.