E Shtunë, 31 Tetor 2026

Numërimi i votave jashtë Kosovës - kusht i OSBE-së, serbët kundërshtojnë

Përfaqësuesit e Ministrisë për Kosovë, në qeverinë e Serbisë, kanë deklaruar se OSBE që do të duhej të asistojë në Komisionin republikan zgjedhor (KRZ) të Serbisë në zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë, ka parashtruar disa kushte të caktuara dhe kjo ministri do të kërkojë që me ta të sqarohet qeveria e Serbisë.

Por kjo sipas serbëve në veri të Kosovës nënkupton sikur zgjedhjet të mbaheshin në një shtet tjetër, e jo në Serbi dhe për këtë, ky kusht sipas tyre është i papranueshëm.

Këshilltari i ministrit për Kosovë, Vllada Joviqceviq tha në seancën e KRZ se OSBE parimisht është pajtuar që të asistojë në KRZ në zbatimin e zgjedhjeve në Kosovë, por OSBE ka vënë kushte që janë”në kufij të legalitetit”. Sipas fjalëve të tij, OSBE, për shkak të sigurisë së votimit, ka kërkuar që votat të numërohen jashtë territorit të Kosovës, që këshillat zgjedhore të kenë vetëm kryesuesin dhe dy anëtarë pa përbërje të zgjeruar, sikurse që simbolet e Serbisë mund të theksohen vetëm brenda vendvotimeve, raportojnë mediat serbe.

OSBE ka kërkuar që vendvotimet fizikisht të grupohen në 19 lokacione në të cilat ishin 80 deri 100 vendvotime, ndërsa në mjediset serbe para se gjithash në veri të Kosovës,të hapen edhe disa vend shtesë. Joviceviq tha se OSBE ka pranuar që të gjitha procedurat tjera të kryhen sipas ligjit të Serbisë dhe shtoi se Ministria do të kërkojë që për kushtet e vendosura të deklarohet Qeveria e Serbisë.

Komisioni republikan zgjedhor (KRZ) i Serbisë, ka aprovuar mbrëmë në seancë udhëzimet për zbatimin e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 6 maj në Kosovë, sipas të cilave votat nuk do të numërohen në territorin e Kosovës, por në Rashkë të Serbisë. Sipas vendimit të KRZ do të organizohen që anëtarët e këshillave zgjedhor në seli të komunës së Rashkës të hapin kutitë e votimeve, dhe të vlerësojnë rezultatet për zgjedhje presidenciale dhe parlamentare dhe pastaj materialet të bartin në selinë e KRZ.

I ashtuquajturi Këshilli nacional serbë në veri të Kosovës, sot ka kundërshtuar vendimin e qeverisë së Serbisë dhe e Komisioni zgjedhor që votat e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 6 maj në Kosovë të numërohen në Rashkë, ka deklaruar për agjencinq serbe të lajmeve Beta, kryetari i këtij këshilli Milan Ivanoviq. Ai ka thënë se një vendim i tillë që votat të numërohen jashtë Kosovës është i papranueshme për serbët e Kosovës.

"Ky vendim do të thotë se procesi zgjedhor, në këtë pjesë, po zhvillohet jashtë territorit të Serbisë, ashtu siç do të ishte në diasporë apo në një tjetër shtet dhe për këtë shkak këto zgjedhje si të tilla do të ishin të papranueshme", ka thënë Ivanoviq.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›