E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dialog për korrupsion

Bashkimi Europian ka paralajmëruar lansimin e një dialogu për rend dhe ligj mes Kosovës dhe BE’së që pritet të nisë në fund të muajit të ardhshëm. Pjesë e këtij dialogu do të jenë kryesisht Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme. Analistët thonë se ky dialog është i panevojshëm.

Kosova ka numrin rekord të institucioneve të thirrura për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Megjithatë, duket se kjo qasje nuk po merret si serioze nga Bashkimi Europian.

Për këtë arsye, BE’ja ka paralajmëruar lansimin e një dialogu për rend dhe ligj ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Europian, dialog që pritet të nisë në fund të muajit maj.

Në një prononcim për Europën e Lirë, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se në këtë dialog do të jenë të përfshira kryesisht Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme. Megjithatë, nuk janë dhënë detaje për formatin, kohëzgjatjen dhe temat e mundshme të dialogut.

Ditë më parë, në një intervistë për Express, Shefi i Zyrës së BE’së në Kosovë, Samuel Zbogar ka drejtuar kritika ndaj institucioneve të Kosovës sa i përket luftës së korrupsionit.

Ai pati thënë se nuk mjafton që vetëm të themelohen institucione të cilat e luftojnë korrupsionin, por që një institucion i tillë të jetë efikas dhe të prodhojë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Për më shumë, Zbogar pati thënë se sipas të gjitha gjasave, korrupsioni do të jetë ndër temat kyçe gjatë negociatave për studimin e fizibilitetit që do të mbahen në fund të muajit të ardhshëm.

Njohës të proceseve integruese europiane, për Europën e Lirë, kanë thënë se një dialog i tillë mes Kosovës dhe BE’së është totalisht i panevojshëm, pasi që Kosova tashmë i ka të gjitha institucionet e duhura për të luftuar korrupsionin.

Shenoll Muharremi, ish-kreu i Agjencisë për Integrime Europiane, ka thënë se krijimi i një mekanizmi të ri për luftën kundër korrupsionit është i panevojshëm. Për më shumë, ka thënë ai, si resurset e Kosovës, por edhe të BE’së janë të limituara.

“Në rastin e Kosovës, duke pasur parasysh që ne e kemi një grup koordinues të përbashkët për sundimin e ligjit, ku merr pjesë Qeveria, ICO’ja, EULEX’i, Shtetet e Bashkuara dhe shumë aktorë të tjerë. Pastaj e kemi dhe EULEX’in si mision për sundim të ligjit. Ne duhet t’i zbatojmë standardet euvropiane për sundim të ligjit dhe mendoj se kemi mjaft mekanizma ekzistues, përmes të cilëve mund t’i zbatojmë këto”, ka thënë Muharremi.

Ndërkaq, Merita Mustafa nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për Euvropën e Lirë se pengesa kryesore për funksionimin adekuat dhe sipas standardeve europiane të Policisë, gjyqësorit dhe prokurorisë është mungesa e vullnetit politik në ekzekutivin e vendit.

“Tani i mbetet vetëm Qeverisë sonë që ta ndryshojë qasjen dhe të ketë vullnet politik për t’i bërë gjërat ashtu siç duhet, në mënyrë që të kemi një vend me një të ardhme më të sigurt, e cila na e siguron ndoshta dhe të ardhmen në Bashkimin Europian”, ka thënë Merita Mustafa.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›