E Diel, 1 Nëntor 2026

Tregtarët abuzojnë me cilësinë dhe çmimin e floririt



Mënyra e llogaritjes së vlerës së arit, e përdorur si lëndë e parë, përcaktohet me udhëzimin e ministrit të Financave. Ndryshimi i vendos të gjitha bankat në pozita të njëjta në treg, si në import, ashtu dhe në furnizimet brenda vendit, duke hequr mundësinë e shtrembërimit të konkurrencës. Banka e Shqipërisë aktualisht nuk shet lingota floriri. Sipas kësaj praktike, lingotën e floririt kjo bankë do t'ua japë bankave të nivelit të dytë, që do t’i furnizojë tregtarët e floririt me çmimin e bursës. Në këtë mënyrë argjendarët nuk do të paguanin TVSH-në mbi bazën e lëndës së parë, por vetëm mbi përpunimin e floririt. Ligji u hartua në këtë mënyrë sipas ekspertëve të Financave, pasi pritej që tregtarët do të lehtësohen nga një barrë e lartë fiskale, ndërsa nga ana tjetër, shteti do të mund të përfitonte nga zhdukja e kontrabandës së floririt dhe vjelja e taksave dhe tatimeve. Por duket se një gjë e tillë, edhe pse detyrohet me ligj, nuk është aplikuar. Ligji, që duket se nuk po funksionon, është propozuar nga vetë Shoqata e Argjendarëve, e cila i ka sugjeruar Ministrisë së Financave ndjekjen e shembullit të Turqisë për funksionimin e tregut të floririt. Ashtu si valutat, edhe ari në të gjithë botën shitet sipas çmimit që ofron bursa e tregjeve ndërkombëtare. Në Shqipëri jo vetëm që nuk ka të tilla referenca, por për të njëjtin karat në dyqane të ndryshme ka çmime të ndryshme. Vetë tregtarët pohojnë se situata është e tillë për shkak se burimet e furnizimit (grosistët) janë më së shumti nga tregu i zi. Aktualisht, shumica e dyqaneve të floririt punojnë me fatura blerjeje, por ato janë fiktive, pasi origjina e blerjes së floririt është tregu i zi, pra malli kontrabandë. Vetë tregtarët e kësaj linje shprehen se nëse zhduket tregu i zi, atëherë të gjithë do të jenë të detyruar të tregojnë origjinën e vërtetë të blerjes së mallit, në mënyrë që organet tatimore të kenë mundësinë të verifikojnë subjektet që kryejnë importin dhe në këtë mënyrë t'i vjelin detyrimet, që ai duhet të paguajë për shtetin.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›