E Diel, 1 Nëntor 2026

Vëllezërit Lamçe: “Shufrat e Kërrabës i blemë në tregun e zi”

Hetuesit dyshojnë se shufrat kanë kaluar në disa duar. Firma e Genci Lamçes mblidhte flori në tregun e paligjshëm

Habjon Hasani

Tiranë – Ekspertët kanë vërtetuar se dy shufrat e arit, të sekuestruara në shtëpinë e vëllezërve Lamçe, i përkasin thesarit të vjedhur në Kërrabë në vitin 1997. Hetuesit kanë pyetur për këtë fakt edhe të arrestuarit e operacionit të dy ditëve më parë, por prej tyre është mësuar se shufrat i kanë blerë në tregun e zi dhe nuk kanë pasur kurrfarë dijenie se ato i përkisnin asaj sasie të metalit të shtrenjtë të vjedhur nga rezervat e shtetit. Vëllezërit e arrestuar, Astrit dhe Genci Lamçe, kanë deklaruar dje paradite para hetuesve se një pjesë të mallit ata e kanë blerë në tregun e zi, duke mohuar se kishin lidhje direkt me floririn e vjedhur në Kërrabë. Duket se ky variant është dukur i besueshëm edhe në sytë e hetuesve, të cilët e kanë të qartë se tregu i floririt është një treg me tipare të forta informale, ndërsa këtë metal të çmuar mund ta gjesh edhe në qendër të Tiranës, duke u shitur në mënyrë krejt klandestine dhe joligjore. Nga hetimet paraprake mësohet se firma “Genci Bizhu”, në pronësi të Genci Lamçes, ka kryer marrëdhënie tregtare import-eksporti të floririt me Greqinë, Italinë dhe Turqinë, ndërsa po hetohet nëse pjesë e tregut është edhe Kosova. Në shtëpinë-depo të Lamçeve u gjetën dy shufra floriri me vulë të pronësisë shtetërore, për të cilat organet zyrtare të Policisë janë deklaruar se i përkasin thesarit të Kërrabës, por hetuesit dyshojnë se ndonëse këto shufra u janë sekuestruar vëllezërve Lamçe, ato mund të kenë kaluar në disa duar. Marrja në pyetje e dy vëllezërve mund të japë shkëndijën e parë për të mbërritur deri te personazhet që i kanë hedhur në treg të zi këto shufra, gati tetë vite pas vjedhjes së bujshme.
Hetimi
Mbrëmjen e së mërkurës, rreth tri orë pasi ishin arrestuar, Astrit dhe Genci Lamçe kanë refuzuar në mënyrë kategorike të merreshin në pyetje në mungesë të avokatëve të tyre. Ky qëndrim i detyroi hetuesit që ta kryenin seancën e pyetjeve vetëm dje paradite, ndërsa dy vëllezërit kanë theksuar se ata kanë zhvilluar një aktivitet ligjor import-eksporti të metaleve me vlerë, kryesisht floririt dhe se një sasi e këtij metali të çmuar është blerë në treg të zi. Të arrestuarit nuk e kanë mohuar në mënyrë të prerë të kenë lidhje me origjinën e dy shufrave, duke u deklaruar se ato kanë qenë një kontingjent normal i sasisë së floririt që ata kanë blerë në treg të zi. Ndonëse hetuesit po kuotojnë edhe pistën e shitjes së këtyre shufrave nëpërmjet personave të tretë apo të katërt, ata njëkohësisht po hetojnë edhe për ndonjë lidhje të drejtpërdrejtë të dy vëllezërve Lamçe, me shpërndarësin kryesor të tyre.
Dogana
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, gjatë tetë muajve të parë të këtij viti janë zhdoganuar vetëm 270 kilogramë flori. Drejtuesit e këtij institucioni pranojnë kontrabandën që bëhet në këtë mall, por sipas tyre, nuk mund të bëhet një vlerësim real i këtij fenomeni, pasi bëhet fjalë për një mall të çmuar, që transportohet në sasi të vogël dhe që është vështirë të kontrollohet. “Në 8-mujorin e vitit 2008, sasitë e zhdoganuara janë modeste, arrijnë deri në 270 kg, me një vleftë prej 400 milionë lekësh të rinj. Përsa i përket evazionit, është e vështirë të bësh një vlerësim real se sa mund të jetë, sepse baza e kontrollit është vetëdeklarimi nga individë ose subjekte të posaçme. Është një mall i çmuar me peshë të vogël, i cili është vështirë që të kontrollohet fizikisht te individë apo subjekte të posaçme nëse nuk ke një informacion paraprak që sjell dyshime mbi këto persona”, - tha për disa media Përparim Dervishi. Kreu i Doganave bëri të ditur se zhdoganimi i floririt bazohet mbi vetëdeklarimin dhe për të nxitur subjektet që të ndjekin rrugën ligjore, është ulur masa e detyrimit që ata duhet të paguajnë në doganë për vetëdeklarimet. Floriri futet në Shqipëri kryesisht nëpërmjet doganave të Rinasit, Durrësit dhe Shkodrës. Sipas të dhënave zyrtare, janë pesë subjekte private që merren me importin e floririt, ndërsa pjesa tjetër janë individë.

26 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›