Tregu i energjisë, në 2020 kishte 35 pjesëmarrës të regjistruar nga tregtuesit tek prodhuesit

Tregu i energjisë elektrike kishte të paktën 35 pjesëmarrës të regjistruar në regjistër me funksione që nisin nga prodhuesit e deri tek furnizuesi apo tregtues. Po kështu është edhe furnizuesi i shërbimit universal. Shifrat u raportuan nga Operatori i Sistemit të Transmetimit. Referuar këtyre të dhënave shumica e kompanive të regjistruara kanë dy funksione ndërkohë që nuk mungojnë edhe ato me tre licenca ku përfshihet edhe prodhimi.
Rritja e numrit të pjesëmarrësve në tregun e energjisë ka pasur një vëmendje të veçantë viteve të fundit duke e parë atë të lidhur me procesin e liberalizimit që ka nisur nga konsumatorët e lidhur në tension 35 kilovolt dhe që së shpejti pritet që të kalojnë në tregun e lirë edhe konsumatorët e lidhur në tension 20 kilovolt. Kjo kategori parashikohet që të kalojë më lehtë fazën e tranzicionit nga tregu i rregulluar në atë të lirë pasi ka më shumë konsum dhe gjeografikisht është vendosur në zona ku e ka më të lehtë bashkëpunimin me njëri tjetrin.
Në fazat e para të liberalizimit problematika që ngritën bizneset ishte ajo e pamundësisë për të gjetur furnizues ndërkohë që këtë funksion për një periudhë dy vjeçare mund ta ushtrojë Furnizuesi i Mundësisë së Fundit që është pjesë e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Tregu i energjisë pritet të shkojë drejt konsolidimit me të gjitha hallkat nëse do të shtojmë këtu edhe futjen në funksion të bursës së energjisë. Kjo e fundit parashikohet që të jetë funksionale në tremujorin e tretë të këtij viti. Në një intervistë të pak kohëve më parë drejtori ALPEX Sokol Dishnica bëri me dije se tashmë janë plotësuar një pjesë e mirë e detajeve që mundësojnë nisjen e funksionimit të bursës ndërkohë që mbetej për t’u prokuruar pjesa e sistemit që do të ketë kjo e fundit.
Nisja nga funksionimi e bursës është cilësuar nga pjesëmarrësit e tregut si një aspekt i rëndësishëm që do t’i shërbejnë transparencës dhe konkurrencës në treg.