E Hënë, 2 Nëntor 2026

Tregu i fondeve të investimeve arrin 69 miliardë lekë, përpjekje për diversifikim të portofolit

TIRANË, 17 shtator/ATSH/ Tregu i fondeve të investimeve shënoi rritje dhe zgjerim gjatë gjysmës së parë të vitit 2025.

Me një rritje të ndjeshme të vlerës së aseteve neto dhe të numrit të investitorëve, ky treg po konsolidohet si një alternativë e besueshme dhe me potencial të lartë investimi.

Referuar raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), vlera neto e aseteve të tregut, arriti në fund të 6-mujorit të parë të vitit mbi 69 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 7724 milionë lekësh ose 12,59%, krahasuar me fundin e vitit 2024.

Investimet kryesore janë përqendruar në titujt qeveritarë, konkretisht bono thesari dhe obligacione, të cilët përbëjnë 83,84% të totalit të investimeve.

Ndërsa 5,79% e investimeve janë orientuar drejt tregjeve financiare ndërkombëtare, duke reflektuar një përpjekje për diversifikim të portofolit dhe kërkesën për mundësi të reja investimi.

Në treg operojnë 6 shoqëri administruese, 4 prej tyre me kapital vendas dhe 2 me kapital të huaj.

Struktura e tregut me një përzierje të shoqërive me kapital vendas dhe të huaj, kontribuon në krijimin e një mjedisi konkurrues dhe dinamik për zhvillimin e këtij sektori në ekonominë shqiptare.

Numri i fondeve në total është 18, nga të cilat 4 janë fonde investimi alternative, që ofrojnë mundësi investimi më të specializuara dhe me risk më të lartë, por edhe me potencial më të madh fitimi.

Numri i investitorëve që kanë investuar në këtë treg arriti 41 418, duke shënuar një rritje prej 9,61% krahasuar me fundin e vitit 2024.

/r.e/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›