Tregu i punës kërkon diplomë profesionale

Të diplomuarit në shkollat profesionale të mesme të Kosovës, do ta kenë më lehtë të inkuadrohen në tregun e punës. Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka paralajmëruar nxjerrjen e një diplome që do të jetë e pranueshme për tregun në vend dhe në përputhje me nivelin profesional të maturantëve të profesionaleve.
Me këtë veprim të MASHT-it pritet të hiqet dilema e kompanive dhe ndërmarrjeve që hezitonin të marrin në punë të diplomuarit në këto shkolla për shkak të mospajisjes së tyre me diplomë. Certifikata që iu ndahet maturantëve të shkollave profesionale pas përfundimit të shkollës, nuk është marrë si e denjë për t’i punësuar këta maturantë nga bizneset e ndryshme, shkruan "Zëri"
Këtë e kanë konfirmuar vetë zyrtarë të ministrisë. Kjo edhe është arsyeja që udhëheqës të Njësisë për Vlerësim dhe Standarde përmendin si një nga shkaqet që është kërkuar amandamentimi i ligjit të maturës dhe pritet t’i bëjë zgjidhje këtyre të diplomuarve. Nga zyra ligjore e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë është dërguar në Kuvend kërkesa për amandamentimin e ligjit për provimin përfundimtar, atë të maturës. /Indeksonline/