Tregu i punës në Itali, si do të punësohen emigrantët sipas protokollit të ri
Ervin KOÇI
Punësimi në Itali për të gjithë shtetasit shqiptarë që janë të interesuar për këtë treg pune, që këtej e tutje do të funksionojë mbi bazën e një skeme të re. Sipas një protokolli të nënshkruar mes qeverive të dy vendeve, asaj shqiptare dhe asaj italiane, kjo e fundit do të favorizojë emigrantët shqiptarë duke vënë në dispozicion të shtetit shqiptar kuota shtesë. Gazeta “Albania” ka siguruar ekskluzivisht dokumentin e ri të “Protokollit ekzekutiv të Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Republikës së Italisë dhe Qeverisë të Republikës së Shqipërisë në fushën e punës”. Në numrin e sotëm gazeta publikon skemën e re se si do të funksionojnë rregullat për punësimin në Itali sipas këtij protokolli nënshkruar mes dy ministrive të të dyja vendeve në sektorin e punës. Sipas këtij protokolli, mbi bazën e kushteve të tregut të punës dhe sipas legjislacionit kombëtar italian në fuqi, pala italiane do të shqyrtojë miratimin e dhënies së një kuote të rezervuar hyrjesh për shtetasit shqiptarë. Por më parë, për të gjithë shtetasit shqiptarë që do të pranohen “ekstra”, duhet që të më parë ata të jenë bërë pjesë e kualifikimeve si për kurse pune, ashtu dhe për kurse të gjuhës.
Lista e punësimit
Shtetasit shqiptarë që kërkojnë të ushtrojnë një aktivitet pune pranë një punëdhënësi në Itali, qoftë ky edhe punësim sezonal, mund të përfshihen në një listë të hartuar nga pala shqiptare sipas kritereve të këshilluara nga pala italiane. Lista do t’i përcillet në mënyrë telematike nga pala shqiptare asaj italiane, ku kjo e fundit do ta përhapë sipas mënyrave të parashikuara nga dispozitat ligjore italiane. Shtetasit shqiptarë të regjistruar në këtë listë duhet të tregojnë se e njohin mirë gjuhën italiane dhe se kanë marrë pjesë në kurse të formimit profesional ose gjuhësor në vendin e origjinës. Vetëm atëherë ata do të mund të merren në punë në Itali, duke u shënuar në listë jashtë kuotës për të cilën qeveria italiane do të bëjë përjashtime.
Bashkëpunimi
Përsa i përket këtij protokolli, palët kontraktuese do të shkëmbejnë rregullisht informacione në lidhje me dy tregjet e punës. Autoritetet kompetente do të bashkëpunojnë për rregullimin dhe organizimin e flukseve të punonjësve ndërmjet dy vendeve dhe do të lehtësojnë punësimin dhe futjen e shtetasve të palës tjetër në tregun e brendshëm të punës, në rast mungese të krahut të punës vendase. Palët kontraktuese marrin përsipër që të lehtësojnë takimin midis kërkesës dhe ofertës së punës edhe nëpërmjet mbështetjes dhe asistencës së organizmave kompetentë në këtë sektor në të dyja vendet, për të drejtuar operacione mbikëqyrjeje të ofertave të punës të disponueshme në njërin apo tjetrin vend. Palët kontraktuese, në përputhje me legjislacionin e tyre kombëtar, do të nxisin formimin e punonjësve që do të jenë kandidatë për të lëvizur në vendin tjetër, me qëllim që të japin personel të kualifikuar që t’u përgjigjet profileve profesionale të kërkuara nga tregu i punës i vendit pritës.
Formimi profesional
Në këtë protokoll dypalësh rëndësi i kushtohet formimit profesional dhe kualifikimit të emigrantëve që janë kontingjent për tregun e punës në Itali, i cili duhet që më parë të bëhet në Shqipëri. Në protokoll thuhet se, “palët kontraktuese do të nxisin pjesëmarrjen e kandidatëve të mundshëm për emigracion në kurse formimi profesional dhe të gjuhës italiane të organizuara në Shqipëri”. Hyrja, qëndrimi dhe aktiviteti i punonjësit që do të emigrojë, do të kryhen në përputhje me ligjet në fuqi në vendin pritës.
Të drejtat
Një hapësirë të veçantë protokolli i ri i punësimit në Itali u kushton dhe të drejtave të emigrantëve, në mënyrë të veçantë mbrojtjes dhe sigurimit të tyre në punë, si dhe garantimit të fitimeve të tyre. Sipas protokollit, “punonjësit e palëve kontraktuese, të cilët kanë hyrë dhe qëndrojnë në territorin e vendit tjetër për arsye pune, mund t’i transferojnë fitimet e tyre në vendin e origjinës, në përputhje me ligjet në fuqi të vendit pritës”. Po kështu, shtetasit e të dyja palëve kontratuese që ushtrojnë një aktivitet pune në territorin e palës tjetër, gëzojnë të njëjtat të drejta dhe të njëjtat mbrojtje të cilat i kanë dhe punonjësit e vendit pritës. Këto janë si për kushtet e punës, mbrojtjes shoqërore, përfitimeve shoqërore, të drejtat themelore të punonjësve, të gjitha në përputhje me ligjet në fuqi në vendin pritës.
Zbatimi i Marrëveshjes, dy shtetet me protokoll të përbashkët
Mënyrat e zbatimit të kësaj marrëveshjeje do të përcaktohen nga protokollet ekzistuese që do të hyjnë në fuqi sipas procedurave të brendshme të parashikuara nga secili prej dy palëve kontratuese. Palët kontratuese mundet që me anë të marrëveshjeve të përbashkëta të mbyllin protokolle të tjera që do të hyjnë në fuqi sipas procedurave të brendshme të parashikuara nga secila prej dy palëve kontratuese. Marrëveshja ka një kohëzgjatje të përcaktuar, me përjashtim të denoncimit për të cilin njëra prej palëve kontraktuese mund ta njoftojë palën tjetër në rrugë diplomatike. Denoncimi hyn në fuqi vetëm pasi të kenë kaluar 60 ditë që prej njoftimit të tij. Të dyja palët kontraktuese marrin përsipër, secila në territorin e vet kombëtar, që të nxisin përhapjen e gjerë të dispozitave të kësaj marrëveshje. Marrëveshja do të hyjë në fuqi ditën e parë të muajit të dytë mbas marrjes së njoftimit të fundit, me anën e të cilit të dyja palët do t’i bëjnë të ditur njëra-tjetrës përmbushjen e procedurave të brendshme, të nevojshme për hyrjen e saj në fuqi.
Protokolli i ri i punës, si rregullohet hyrja e shqiptarëve në Itali
Ky protokoll rregullon hyrjen në Itali për arsye pune pranë një punëdhënësi sezonal dhe josezonal, të shtetasve shqiptarë në përputhje me ligjet italiane në fuqi. Protokolli lidhet dhe me faktin e hyrjes në territorin e Republikës së Italisë për arsye pune të shtetasve që nuk i përkasin BE-së. Por protokolli në fjalë u përket vetëm shtetasve shqiptarë kandidatë për të kryer një punë pranë një punëdhënësi, sezonal ose josezonal, në territorin italian. Me qëllim që të lehtësohet rregullimi dhe organizimi i flukseve të punonjësve shqiptarë bë drejtim të Italisë, pala italiane do t’i japë palës shqiptare informacione të hollësishme mbi ofertat e punës që vijnë nga punëdhënësit italianë, nëpërmjet hyrjes në sistemin kombëtar italian të shkëmbimeve ndërmjet ofertës dhe kërkesës së punës. Ajo do të japë gjithashtu, edhe informacione që kanë të bëjnë me legjislacionin italian në çështjet e kushteve të punës, banesës dhe sigurisë shoqërore në Itali. Informacione të hollësishme do të përmbajnë edhe kontrata e punës që punëdhënësi do t’i paraqesë punonjësit. Nga ana tjetër, autoritetet shqiptare do t’u bëjnë të ditur autoriteteve italiane se deri në çfarë mase mund të përmbushen këto nevoja. Lista e kandidatëve e përpunuar për këtë qëllim do të ketë parasysh kriteret e përcaktuara nga Ministria Italiane e Solidaritet Social dhe do të përfshijë, ndër të tjera, informacione në lidhje me arsimin e punonjësve, me kualifikimin e tyre dhe përvojën profesionale, si dhe nivelin e tyre të gjuhës italiane.
Mbarimi i leje-qëndrimit, si bëhet informimi i kandidatëve për t’u larguar
Kandidatët për një ofertë pune do të informohen se me të mbaruar afati i lejes së tyre të qëndrimit për arsye pune, sezonale ose josezonale, duhet të largohen nga territori italian. Kjo gjë bëhet në përputhje me ligjet kombëtare italiane në fuqi, duke iu vendosur në pasaportën e tyre vula e daljes mbasi t’u kenë dorëzuar lejen e qëndrimit organeve të Policisë Kufitare italiane. Konsultimet e parashikuara zhvillohen midis autoriteteve kompetente dhe palëve të interesuara. Për të gjitha aspektet që nuk janë rregulluar nga marrëveshja ose nga protokolli në fjalë, palët i referohen legjislacionit italian në lidhje me çështjen e hyrjes, të punësimit dhe të qëndrimit të punonjësve të vendeve që nuk i përkasin Bashkimit Europian, si dhe mënyrave të zbatimit të ndërmarra nga autoritet italiane kompetente.
14 Gusht 2009