E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çani, “Bobo Vieri shqiptar” te Empoli



Edgar Çani do të luajë me fanellën e Empolit sezonin e ardhshëm të Serisë B. Duke parë “bollëkun” e sulmuesve në shtëpinë e Palermos, drejtori sportiv i klubit italian të Serisë, Valter Sabatini, vendosi ta huazojë sulmuesin e ri shqiptar. Në fakt, për Çanin, të konsideruar në Itali si “Bobo Vieri shqiptar”, nisur edhe nga karakteristikat e tij, ishte i interesuar edhe Padova, por mesa duket Empoli e ka fituar konkurrencën për të siguruar shërbimet e Edgarit, i cili e mbylli sezonin e kaluar në radhët e Askolit, Sipas faqes së specializuar italaliane calciomercato.com, sulmuesi shqiptar pritet të transferohet në Toskana pas ndeshjes së Kupës së Italisë (të shtunën) ose dhe më vonë, por para javës së parë të kampionatit, e programuar më 23 gusht. Në forcë te Palermo ishte edhe Samir Ujkani, por portieri i Kombëtares shqiptare u huazua te Novara e Serisë C1 për të fituar më shumë eksperiencë.

Sandërlendi i Canës vazhdon goditjet

Pas dy goditjeve të mëdha me Lorik Canën (nga Marseja) e Darent Bent (nga Totenhemi), Sandërlendi bleu për 7 milionë euro nga Uigani mesfushorin Li Katermole, futbollist i Kombëtares angleze U-21. Te klubi i Canës do të vijë edhe lojtari i përfaqësueses së Paraguajit, Paulo da Silva, 29 vjeç.

Beqiraj, 16 minuta ndaj Uellsit

Fatos Beqiraj ka luajtur 16 minuta për Përfaqësuesen A të Malit të Zi, e cila të mërkurën mposhti 2:1 Uellsit, në miqësoren e luajtur në Podgoricë. Sulmuesi kosovar i Buduçnostit hyri në fushë në minutën e 74-t, duke zëvendësuar Gjaloviçin, kur rezultati ishte 2-1. Për 20-vjeçarin nga Peja ishte ndeshja e tretë në fanellën A të Malit të Zi.

Bajrami e Fejzullahu shënojnë për U-21 të Suedisë

Kosovarët Emir Bajrami e Erton Fejzullahu kanë shënuar nga një gol në miqësoren e Kombëtares U-21 të Suedisë, të fituar 4-2 ndaj Danimarkës, të luajtur të mërkurën në Kopengagen. Bajrami realizoi në minutën 27-të për 1-0, ndërsa Fejzullahu në të 46’ për 2-0. Për sulmuesin e ri të Nec Nijmegenit ishte ndeshja e parë fanellën e Përfaqësueses skandinave. Përveç dy shënuesve kosovarë, titullar luajti edhe kosovari i tretë Agon Mehmeti. Mesfushori i Elfsborgut, Bajrami u zëvendësua pas pjesës së parë, ndërsa Fejzullahu e Mehmeti në të dytën.

Hetemaj debuton me humbje

Përparim Hetemaj ka debutuar me humbje në Përfaqësuesen A të Finlandës, e cila u mposht 1:0 nga Suedia, kundërshtari i Kombëtares së Shqipërisë për sfidën kualifikuese të tetorit. Mesfushori i Aek-ut, luajti në 45 minutat e pjesës së dytë duke shfaqur cilësitë e tij. Në minutën 77 në fushë u inkuadruar edhe sulmuesi shqiptar i Arminia Bielefeldit, Berat Sadiku. Golin e fitores për Suedinë e cila ishte mikpritëse e realizoi Elmander në pjesën e parë.

14 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›