Tregu i sigurimeve i rikthehet rritjes
Tregu i sigurimeve në muajin shkurt i është rikthyer rritjes. Statistikat zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se vlera e primeve të shkruara bruto për dy muajt e parë të vitit 2010 ishte 1.38 miliard lekë, me një rritje prej 10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Duket kështu se rënia vjetore e shënuar në muajin janar ishte
alarm i rremë për një rënie të tregut të sigurimeve, si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë. Në dy muajt e parë të vitit 2010, rritjen më të theksuar e shënoi aktiviteti i jetës, që shënoi rritje të vlerës së primeve me afro 25%, ndërsa pjesa tjetër e tregut të sigurimeve u rrit me rreth 9%. Vazhdon të rritet me ritme më të larta pagesa e dëmeve. Për dy muajt e parë të vitit 2010, shoqëritë e sigurimeve paguan 314 milion lekë dëme, me një rritje prej më shumë se 32% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2009. Megjithatë, raporti dëme-prime ngelet ende në më pak se 23%, nivel ky shumë më i ulët krahasuar me mesataren në evropiane.
Last Updated on E Marte, 30 Mars 2010 18:07