Treguesi i kompektivitetit, Berisha: Analizë për ministritë
Kryeministri Berisha ka vlerësuar sot treguesin global të kompektivitetit të publikuar një javë më parë nga forumi ekonomik global ku Shqipëria renditej në vendin e 78-të duke ngjitur 10 vende nga viti i kaluar. Duke folur në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Berisha theksoi se ky tregues do të jetë një analizë pune për ministritë dhe institucionet. Sipas tij në bazë të studimit të fundit secili ministër do të shohë analizën e punës së dikasterit që drejton.
“Treguesi i ri i kompetivitetit që llogaritet duke vlerësuar gjithë veprimtaritë që ju mbuloni zotërinj ministra. Ka 12 shtylla, është tregues që bazohet në një sërë treguesish të tjerë. Aty janë treguesit e agjencive që ju mbuloni, fushat janë të palëvizshme. Ndalem këtu se është e rëndësishme që ne në dritën e kësaj analize të analizojmë punën tonë, secila ministri, agjenci”- theskoi kryeministri.Sipas tij, në analizën e tij sipas sektorëve ministrat do gjejnë të dhëna që janë tejkaluar dhe kjo është në meritën e reformave, por do gjejnë të tjera ndaj të cilave duhet të mbahen qëndrimet agresive për t`i ndryshuar.
Duke iu referuar më tej këtij treguesi, shefi i qeverisë theksoi se renditja e Shqipërisë në vendin e 78-të është mjaft shpresëdhënëse për ekonominë e vendit. “Përveç kësaj ngjitje të admirueshme që ka bërë Shqipëria ka disa të dhëna të tjera që janë vërtet shumë domethënëse. Janë një seri treguesish me të cilat Shqipëria renditet në vendin e 9-të në botë dhe kjo është barra e rregullimeve shtetërore. Ne jemi në 10 vendet me barrën më të vogël të ndërhyrjes shtetërore dhe kjo përbën një arritje të madhe” ka shtuar Berisha.
Më tej kryeministri Berisha theksoi se gjithashtu qeveria shqiptare renditet në grupin e 20 qeverive më të mira në përpjekjet e saj për ta lidhur në raport të drejtë prodhimin me prosperitetin. “Kjo renditje dëshmon zemrën e dhimbusur të kësaj qeverie, dëshmon fytyrën sociale të reformave tona. Ne jemi nga më të paktat që ka rritur me 3 përqind të GDP-së faturën sociale” ka shtuar Berisha.
Më tej Berisha theksoi se treguesi i kompektivitetit e pozicionon Shqipërinë në vendin e 9 për sa i përket nisjes së biznesit dhe në vendin e 15-të, në mbrojten e investimeve në tërësi ndërsa ka shtuar se politika e rritjes së pagave ka dhënë rezultatet e saj.