E Diel, 1 Nëntor 2026

Trembet Italia: Apeli mund të rikthejë Moxhin në futboll

Nëse nuk mund të dënohej për çështjen e kartave zvicerane (me të vërtetë që nuk u dënua), mund të mos dënohet edhe për çështjen "Calciopoli". Të martën, Luçiano Moxhi ka prezantuar në gjykatën federale të "Figc" (Federata Italiane) apelimin 16-faqesh, në të cilin ish-drejtori i përgjithshëm i Juventusit hedh poshtë të gjitha vendimet e gjykatës sportive. Moxhi kërkon anulimin e skualifikimit 5-vjeçar, si dhe dëmshpërblim 50 mijë euro, sepse kur më 22 qershor 2006 u thirr si i pandehur nga prokurori Palazi, nuk ishte më anëtar i Federatës Italiane, pasi kishte dhënë dorëheqjen që më 16 maj. Këtu duket se nis edhe kundërsulmi i Big Luçianos. Nga vendimi i të njëjtit trup gjykues të Gjykatës Federale, që më 27 tetorin e vitit të kaluar ka anuluar skualifikimin 14-mujor të Moxhit për të ashtuquajturin "Calciopioli-2", është gjykuar edhe çështja e kartave zvicerane që zotëronte Luçiano, të cilat u ishin dhënë disa arbitrave që të mundnin të flisnin në fshehtësi të plotë.

"Dënimi me një vit e dy muaj i është hequr, tha avokati Pako D‘Onofrio, sepse ajo tezë rrëzohet, pasi Moxhi ka qenë i pa teseruar. Që këtu vjen edhe vendimi për të apeluar rrëzimin e vendimit të dhënë verën e dy viteve më parë, pasi edhe atëherë klienti im nuk ishte më anëtar i Federatës Italiane, kur është hetuar nga prokurori federal".

Pra Moxhi përgatit për një rikthim me shumë stil: ish-drejtori i përgjithshëm i bardhezinjve synon fshirjen e pezullimit për t‘u rifutur në botën e futbollit, pa u ndjerë askush i rrezikuar se mos përfundon në gjyq se po bashkëpunon me një të dënuar. Principi i mosgjykimit të një "ish" anëtari prek një kapitull ende të zbuluar të kodit të gjykatës sportive. Presidenti i "Figc", Xhiankarlo Abete njoftoi se këshilli federal i ardhshëm do t‘i japë fund këtij problemi, duke krijuar një normë, e cila i lejon gjykatës sportive të hetojë edhe ata që nuk jam më anëtarë të federatës. Megjithatë, kundërsulmi i Moxhit hap shumë diskutime, sepse ka qenë organi më i lartë i gjykatës sportive, i cili me një vendim gjatë muajit të kaluar, i ka ofruar një asist fantastik të akuzuarit të "Calciopoli"-it. Apeli i Big Luçianos tashmë duhet të gjejë hapësirë në axhendën e gjykatës federale, e cila duket e gatshme të krijojë një nen anti-Moxhi. "Duhet respektuar principi i vendimeve, nënvizon D‘Onofrio. Nëse do të lindë një ligj tjetër, ai nuk do të ishte i aplikueshëm për rastet e mëparshme". Moxhi pret verdiktin e apelit të tij, i cili mund të dalë në momentin kur në Napoli do të rifillojë procesin penal për "Calciopoli"-n dhe në Romë do të jepet vendimi i parë për procesin GEA, për të cilin Moxhi është dënuar me gjashtë vjet burg.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›