E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trena pa kontroll

Një tren që solli ushqime për serbët e Zveçanit, një vit më parë, nxiti reagime nga instancat më të larta vendëse dhe ndërkombëtare. Mirëpo, problemi u harrua, ndonëse për çdo ditë në Zveçan dhjetëra vagonë zbarkojnë mallra nga Serbia, pa i kontrolluar askush. Është dashur që Komisioni Evropian, në raportin për progresin, të tërheq vërejtjen se në territorin e Kosovës po hyjnë trena pa iu nënshtruar asnjë kontrolli.

Doganierët e EULEX-it nga distanca i vëzhgojnë dhe i regjistrojnë vagonët që hyjnë nga Veriu, ndërkaq doganierëve të Kosovës nuk iu bien në dorë dërgesat, pasi që ato shkarkohen rreth tri kilometra larg nga terminali në Mitrovicë. Ata as që e dinë se çfarë po ndodh atje, pasi që menaxhimi kosovar i hekurudhave përfundon deri tek Ura e Ibrit.
Këtu ndahen përgjegjësitë e institucioneve të Kosovës, EULEX-it dhe strukturave paralele të Serbisë. Këta të fundit nuk i japin përgjegjësi askujt për mallrat që sjellin në pjesën e Kosovës, ku nuk funksionon Kushtetuta.

Prej shpalljes së pavarësisë, serbët nuk na lënë qasje në atë pjesë. Ata mund të fusin prej Serbisë mallra pa problem, shpjegon, kryetari i Bordit të Hekurudhave të Kosovës, Sejdi Hoxha.

Kjo temë thotë se është diskutuar shumë herë, por mungon zgjidhja konkrete, pasi që vlerësohet si vendim politik. Ndërkaq, zëdhënësi i Doganave të Kosovës, Adriatik Stavileci, thotë se pikat kufitare në veri të Kosovës janë përgjegjësi e EULEX-it dhe atje nuk ka doganierë kosovarë. Që nga djegia e pikave doganore në Leposaviq dhe Zubin Potok, doganierët e Kosovës nuk janë atje, thekson Stavileci.

Sipas tij, përgjegjësia për menaxhimin e këtyre pikave doganore u mbetet zyrtarëve të misionit evropian në Kosovë, pasi që aty janë vendosur doganierë të tij. Mirëpo, zyrtarët e EULEX-it thonë se nuk është detyrë e tyre mbledhja e taksave dhe kontrolli doganor.

Hanns-Christian Klasing, zëdhënësi për Veri, pohon se detyrë e tyre, për momentin, është që në pikën 1 dhe 31 ti fotokopjojnë faturat e mallrave komerciale dhe ti dërgojnë kamionët në terminalin doganor në Mitrovicë për zhdoganim.

Ngjashëm veprojmë me mallrat komerciale që transportohen me tren. I fotokopjojmë faturat dhe i dërgojmë ato në Mitrovicë, nëse është e mundur, thekson Klasing.
Por, jozyrtarisht nga Dogana merret vesh se deri më tani asnjë mall i sjellë me tren nga Serbia nuk është zhdoganuar në terminalin doganor.

Ministri i Transportit dhe Telekomunikacionit, Fatmir Limaj, sado që pati kundërshtuar hyrjen e trenave pa leje në territorin e shtetit më të ri në botë, vjet e pranoi se nuk ka ndikim në këtë pjesë të Kosovës.

"Me Ligjin mbi Hekurudhat e Kosovës, si në çdo vend tjetër, për lëvizjen e trenit, apo ndonjë operatori tjetër duhet të ketë leje përkatëse. Në qoftë se nuk e kanë këtë leje, praktikisht nënkuptohet që është cenuar sovraniteti i vendit", pati thënë Limaj.

Ai përmes një letre pati kërkuar nga autoritetet e EULEX-it dhe Ministria e Punëve të Brendshme që të mos lejojnë ndërhyrje të tilla të hekurudhave të Serbisë pa lejen e autoriteteve kosovare.

Pavarësisht reagimeve, nën logon Hekurudhat e Serbisë, stacioni në Zveçan për çdo ditë pret dhe përcjell trenat me udhëtarë dhe me mallra, të cilët vijnë nga Beogradi dhe nga Kraleva.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›