E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trëndafilat



“Trëndafilat”, piktura e Llambi Blidos mbush 31 vjet nga dita e krijimit, një tablo që u ndalua për të mos u ekspozuar kurrë deri në ditën e sotme. E ruajtur në fshehtësi, kolegu i tij, Besim Tula, sjell historinë e saj paralel me një zhvillim individual në ditët e sotme të pikturës. Si u rezistoi kohëve piktura e rrallë që nuk e ndaloi Blidon të jetonte në dy botë, atë të survejimit politik të jashtëm dhe individit të ndjeshëm, plot emocione në kohën e diktaturës

Trëndafilat

Gjithmonë më ka ndenjur në mendje ideja se a kemi arritur vepra në pikturën tonë, që janë të krahasueshme me artin perëndimor? Nuk është fjala për subjektin, apo për një arritje të rastësishme, por për probleme më të gjera dhe delikate siç janë ato profesionale. Arritjet në këtë fushë zakonisht janë konkluzione përvojash të gjata të kombinuara me pasione. Tradita jonë e vogël në shumëllojshmërinë e stileve të pikturës dhe mungesa e komunikimit me Perëndimin ishin pengesa të mëdha për të realizuar kërkesa të tilla. Bile dhe vetë mjedisi ynë artistik nuk e kishte të nevojshme të përparojë shumë në një drejtim, pasi nuk hynte në punë, përveçse mund të sillte ngatërresa.

***

Historia e pikturës sonë nuk mund të quhet e re. 70 vjet janë të mjaftueshme për të bërë histori. Ato u ndanë njëra deri në 1944, tjetra deri në ‘90-n dhe e fundit pas ‘90-s e deri tani. Sigurisht periudha më e gjatë dhe më e vështirë për në mungesën e lirive ishte diktatura.

Nuk është e lehtë të ndash me thikë veprat që janë krijuar për cilësinë e tyre. Shumë artistë kanë arritur në krijimet e tyre veçanti stilistike, arritje plastike, koloristikë, si dhe gjetje në zbërthimin vizual të idesë etj., të cilat të prekin.

Në këtë fond dy janë veprat me të cilën arti të tërheqë vëmendjen, për problemet që shtrohen dhe forma me të cilën zgjidhen. Njëra shquhet për arritje në fushën e ngjyrës dhe tjetra për qëndrimin hiper-realist në trajtimin e subjektit vizual. Fjala është për “Trëndafilat” e Llambi Blidos dhe tjetra “Partizani i vogël” i Avenir Sadikajt (Vepra e Avenirit tani nuk ekziston. Pasi u kritikua për një qëndrim objektivist, surrealist etj., natyrisht cilësime injorante, që e shtynë autorin ta fshinte).

Kjo është një humbje e madhe për artin tonë, që tentonte të afrohej me Perëndimin.

“Trëndafilat” e Blidos mbushin 31 vjet

Vepra “Trëndafilat” (1978) e piktorit Blido sivjet mbush 31-vjetorin e krijimit. Subjekti është ky: një grup i madh trëndafilash të kuq, rozë dhe të bardhë gurkali, metaforë e një grupi vajzash dhe djemsh të hijshëm, mbushin gjithë sipërfaqen e tablosë. Është kompozuar në një mënyrë të pazakonte midis natyrës së qetë dhe një krijimi dekorativ. Trëndafilat janë të ndryshëm siç janë fytyrat e njerëzve. Të pangjashëm dhe të hijshëm. Janë vizatuar me forma të qarta dhe të përgjithshme si të një skulpture. Nga mënyra e vendosjes nëpër tablo, trëndafilat herë janë në grupe dhe herë veçan, duke krijuar të gjithë së bashku një ritëm puhie.

Nga pikëpamja e ngjyrimit, e kuqja e trëndafilave është e fuqishme, rinore, e butë si kadife dhe e ndritshme. Kjo është ndjesia që të krijon akordi i ngjyrave. Ai është i fuqishëm dhe plot gjallëri. Trëndafilat e kuq dhe rozë në një pjesë më shumë se gjysma e sipërfaqes kanë sfond jeshil, ndërsa një kapriçio e artistit në pjesën tjetër të tablosë i vendos në sfond rozë, pra trëndafila rozë në sfond rozë. Ato janë kaq afër njëra-tjetrës si ngjyrë saqë duken si kalime akuareleske. Fantazia e autorit krijon një ndërhyrje me trëndafila të bardhë gurkali në këtë qetësi rozash. Pastaj gjejmë trëndafila jeshil në sfond jeshil apo lejla në sfond gurkali, pra kombinime të pafund. Tabloja është mjaft e thjeshtë për t’u kapur nga syri. Ajo është e ekuilibruar në të gjitha zonat dhe ka një dekorativitet të shkëlqyer. Penalata është e butë dhe ndjek lëvizjen e formave.

Arsyet

Në thelbin e saj, vepra ka entuziazmin për të bukurën. Magjia që i krijon Llambit ajo është si një fill i gjatë që i përshkon shumë pjesë të krijimtarisë. Megjithatë lind pyetja përse Llambi në veprën e tij i kushton gjithë pasionin kësaj filozofie pozitive, pasi jeta në përgjithësi është në drejtimin e kundërt ku zotëron dhimbja dhe drama? Dhe nga ana tjetër, jeta e tij nuk ka qenë aspak më e mirë se e shumë kolegëve që në veprat e tyre janë dramatikë. Bile, ajo në ndonjë rast ka qenë shumë më e rreptë me të. Si pasojë do të ishin më të natyrshme vepra të një karakteri tjetër.

Çfarë motivesh e shtyjnë të krijojë një vepër që mund të mos e shihte dritën e ekspozimit gjithë jetën? Jemi në vitin 1978, dhe ishte kaq larg shpresa për ndryshim sa dhe të prisje të ngjallesh i vdekuri. Nuk kishte shpresë për të tërhequr vëmendjen e partisë dhe shtetit për përfitime kushtesh, as shpresë për ta ekspozuar jashtë, as shpresë për ta shitur. Çdo lloj arsyetimi nuk e justifikon, pasi fundi i secilës është hiçi.

Ajo ka zgjatur dy vjet për t’u krijuar. Kur mbaroi sezoni i trëndafilave, nga ku Llambi zgjidhte më tërheqësit, duhej pritur sezoni i ardhshëm për ta vazhduar. Kërkohej të “konservonte” ndjenjat, që të mbarohej në një mënyrë krijimi. Piktura nuk është as letërsi, muzikë apo fotografi ku mund të ruash kopjen. Ajo është unike dhe po e mbulove ngjyrën, nuk ka kthim mbrapa. Edhe po ta lash me solucione, ruan një tis, i cili e plak tingullin në raport me ngjyrat e tjera. Për ata artistë që duan të maten me problemet e larta koloristike, kjo është një dramë e vërtetë. A mund të realizohej një vepër me përmasa të tilla pa objektivë?

Po ta shohim në një krah tjetër, ky si artist është pa formim të mesëm artistik (Ka mbaruar për gjeologji) dhe i është dashur të kapërcejë fazat e formimit me ritëm të shpejtë. Me karrierën dhe me shkrimet e tij ka ndihmuar mjaft piktorë të rinj për t’i evidentuar, kur më tradicionale në mjediset tona artistike ka qenë të ndihmosh vetëm miqtë. Kjo gjerësi si njeri dhe si intelektual fillon dhe ndriçon faktin e arsyes së kësaj vepre. Prirja për të bërë gjëra pa përfitime personale ilustron qartë se ai është ideatori kryesor i ekspozitës së përvitshme të pikturës “Nëntor”. Po kështu flet dhe botimi i 4 numrave të gazetës “Arti” në 1994, kohë kur as që i shkonte mendja kujt për një botim profesional etj...

Gjithë këto veprime nuk mund t’i bëjë një intelektual i zakonshëm. Ato kërkojnë të mendosh ndryshe nga tradita, të shikosh më lart. Duke pasur parasysh gjithë këto arsye, atëherë është më thjesht të shpjegohet vepra “Trëndafilat”. Ai është një artist me tonus të lartë optimizmi. Kjo gjendje e shëndetshme emocionale i siguron gjithë energjinë, karakteristikë e njerëzve që bëjnë vepra të rëndësishme.

Autorit mund t’i duket e natyrshme ky fenomen. Madje, ka rrezik të thjeshtohet problemi se bëra disa trëndafila, më pëlqyen, ishin të bukur dhe kishin ngjyra të mrekullueshme. Këto bindje ishin në kohën e diktaturës. Veprimet dhe pasionet e tij ishin larg stampave të kohës, për të cilat ka ndjerë neveri.

Çështje konceptesh

Vepra e tij ngeli pothuaj tërësisht e paekspozuar. Ai ishte piktori më i papranueshëm për ekspozitat tona. Si i tillë, ai është realisht piktori i vërtetë disident si Kasem Trebeshina në letërsi. Një vepër jashtë stampave gjithmonë ngjall diskutime. P.sh., vepra e kinez Xiao Yu, “Ruan”, (1999) që paraqiste fetusin e një fëmijë në trupin e pulëbardhës dhe me sy lepuri, megjithëse kaloi pa u vënë re në dy bienale, të Venecias dhe të Lionit, në Bernë për të u shkruan 3000 artikuj. Gregor Schneider ka bërë të ditur që në prill të këtij viti në projektin e ardhshëm ka ftuar një të sëmurë që të vdesë direkt në ekspozitë në Krefeld të Gjermanisë (kjo si shenjë proteste ndaj mjekësisë gjermane). Jonathan Mese, një artist i ri në një telajo 270x360 cm (vepër e vitit 2008) në formë inteligjente improvizon me ngjyra, duke i shfrytëzuar kësaj forme shprehjeje gjithë mundësitë, që nga thekset, rrjedhjet, penelatat dinamike e kombinimi mes tyre, duke ruajtur një tingëllim koloristik shumë të kulturuar. Në vendin tonë ende jemi herët për të pasur artistë me pavarësi të tilla. Secila është e veçante nga tjetra në filozofinë e krijimit dhe për pasojë gëzojnë origjinalitetin.

Vepra “Trëndafilat” është për artin tonë një tjetër qëndrim. Duke qenë se kjo vepër qe e papërshtatshme për diktaturën, ashtu dhe e papërshtatshme për qëndrimet ironike, dramatike apo qaramane për kohën dhe mospërputhja me këto dy qëndrime, që në një farë mënyre ngjajnë nga dogmatizmi, tregon se jemi para një vepre me vlera. Vlera është se kemi qëndrim të pavarur me stampat e kohës, e plotësuar me angazhim të madh për ta arritur.

Në fakt pas viteve ’90-të në hapësirën e madhe që u hap, shumë artistë bënë korrigjime në qëndrimin e tyre ndaj krijimit. Pozicioni i ri ishte një lëvizje në mendim për mënyrën, për ta parë jetën dhe lidhjen e saj me artin. Secili ishte i lirë ta përdorte artin siç donte. Filozofitë e reja nuk mund të kishin asnjë kufi dhe as se deri ku mund të shkohej. Kjo është normale për secilin artist. Ishte e natyrshme për vendin tonë që të kishte teprime, për nivelin kulturor tonin dhe të pamësuar me pavarësinë e mendimit. Ajo qe dukej si “e huaj” (imituar) ishte më e aprovuara. Kjo mënyrë zhvillimi kishte të keqen brenda, pasi duhej të mohoje shumë kënaqësi që të thoshe të vërteta vetjake. Mirëpo, a mund të krijohet me entuziazëm dhe pasion një gjë që duhet ta bësh dhe për t’u dukur?

Vepra e madhe

Arti në thelbin e tij do padyshim të bësh një gjë të madhe. Çfarë është kjo e madhe që duhet bërë për t’u quajtur vepër arti? Përgjigjja nuk mund të jepet paraprakisht. Kur realizohet një vepër, atëherë ajo mund të diskutohet, pasi idetë e artistit nuk mund të parashikohen. Tani Damien Hirst ka krijuar veprën më të shtrenjtë dhe më të çuditshme për kohën. Një kafkë njeriu (më e vogël se natyralja) e mbuluar tërësisht me gurë të çmuar. Ajo buzëqesh me një pamje tallëse dhe luksoze. Lëvizja e madhe u bë në një krah të paparashikuar ai, as nuk vizatoi, as nuk gdhendi, por një objekti tragjik i ktheu rrjedhën dhe është një nga veprat më të shtrenjta të kohës.

Cila është ajo e madhe që bëri Llambi? Shkurt një penel, një ngjyrë e ndryshme. Kjo vepër me këtë entuziazëm krijimi që ka do të ketë konkurrent vetëm atë artist që do të realizojë një gjë të madhe në përkushtimin ndaj asaj, përndryshe vendi afër saj do të rrijë bosh.

Ngjyra të ndritshme

Kur shohim një pikturë nga afër, duken lloje të ndryshme ngjyrash, por sapo largohemi, piktura shuhet në tërësi dhe ne ndodhemi para një kuadri të errët.

Këtë e kanë provuar si shikuesit, ashtu dhe vetë artistët. Mungesa e tingullit koloristik është një problem që e ndesh shpesh në veprat e pikturës, në të gjitha kohërat dhe tani. Po kështu, shohim piktura që nga larg kanë ngjyrë vetëm në një zonë të saj dhe pjesa tjetër është pa tingull, ose e kundërta, shumë ngjyra, por që nuk janë të lidhura me njëra-tjetrën dhe ajo është një vepër e ç’akorduar.

Tek vepra “Trëndafilat” mendoj se u arrit një pastërti e tingullit të ngjyrave, e pakapur nga asnjë në artin tonë. Arti ynë ka një vepër, që nuk mund t’i gjendet shoqja nga kjo arritje.

Jeff Koons deklaron në një intervistë se nuk ka artist që t’i bëjë sfumaturat më mirë së unë. Me të vërtetë, sfumaturat e tij janë të mrekullueshme. Ndërsa unë mendoj se nuk ka artist në artin tonë që t’i kombinojë ngjyrat më mirë se Blido. Vepra e tij si dhe e Buzës ka individualitet. Kjo na kujton fjalët e një kolegu, i entuziazmuar nga tingujt e Blidos thoshte, se “aman more ku i blen ngjyrat Llambi?”. Janë të lumtur ata, që nuk ja ndjejnë fuqinë kësaj vepre.

Qartësi shprehjeje

Duke parë veprën, jemi para një artisti, i cili kërkon t’iu shkojë problemeve në rrënjë. Nuk bindet pa e kuptuar gjënë. Kur shikon tablonë, sikur marrim dhe përgjigjen. Ǒështë vizatimi dhe çfarë përfaqëson ai? ǒështë ngjyra dhe si duhet përdorur? Nga fillimi në fund, vepra lexohet qartësisht. Ai solli i pari racionalizmin, pra ta mendosh veprimin. Racionalizmi në pikturë nuk është gjë tjetër, por frymëzimi bëhet i zbërthyeshëm.

Pse duhen kaq shumë ngjyra

Thjesht se çdo trëndafil, petal apo sfond, ka një ngjyrë të tijën të ndryshme dhe kjo e bën të veçantë. Ne i shohim të gjithë duke i cilësuar për ngjyrat që kanë. Në qoftë se në letërsi ne kemi gjendjet e personazhit kryesor në situata të ndryshme, krijimi i sa më shumë ngjyrave krijon të njëjtën gjendje dhe syri ka mundësi të ndjejë më shumë. Kjo vepër në këtë drejtim është si një roman vëllimor.

Kontrolli i secilës ngjyrë, një për një, mendoj se shkon afër zbulimeve të Sera dhe Itten. Ato arritën në njohjen e mundësive optike, por në rastin e kësaj vepre ajo është emocionale.

Mjeshtrat

Buza është i zoti të vendosë penelata ngjyrash të ndryshme, që kombinojnë shumë mirë me njëra-tjetrën brenda një objekti apo figure, pa gabuar askund. Jukniu në shumë tablo arrin të harmonizojë ose të akordojë mirë ngjyrat në shumë raste dhe me tingëllim të ulët, duke i shpërndarë ato në vende të ndryshme të veprës dhe ajo lexohet njëherësh nga syri, duke krijuar balanca të tingullit. Ndërsa ambiciet e Blidos do të shkojnë më tej. Ai kërkon që të krijojë krahas tingullit të pastër, duke i shfrytëzuar gjithë mundësitë e kalimeve, që mund bëhen prej tij dhe për një paletë ndjesore poetike. Bile, ai ka një synim më të guximshëm, të krijojë pa bërë gabime. Absurde për artin tonë, por e vërtetë dhe e ka arritur. Dëshmi është kjo vepër, ku nuk mund të gjesh stonatura, shuarje apo mbitingëllim.

Një vepër e mirë nuk është një bashkësi rastësish.

***

Gjendja e tij është tipike pagesa që merr në vendin tonë një intelektual që kërkon të ecë në profesion pa shërbyer që nga 1944-2009: i varfër, i mënjanuar, në kushte të rënda ekonomike, pa studio dhe pa pension të veçantë dhe pa asnjë titull etj. Ata që mund të bëjnë diçka me sa duket nuk kanë dijeni se çfarë është arritur, pasi nuk kanë njohuri të mjaftueshme për këtë degë të artit.

Besim Tula, piktor

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›