Që ligji i lustracionit të mos kthehet në bumerang
...Pati edhe nga “tifozët” më të verbuar për lidershipin e mazhorancës që, për një moment, e humbën besimin në këmbënguljen e tij për të zbatuar ligjin e lustracionit, sidomos kur klasa politike e majtë, e cila e lufton për jetë a vdekje zbatimin moral të tij, gjithsesi gjeti, edhe në këtë rast, disa ndërkombëtarë, të cilët, nën efektin e lartësisë ku ndodhen apo të narkozës që sjell ryshfeti i majmë, lëshuan fjalë duke shprehur dyshim në korrektësinë e zbatimit të këtij ligji. Vetëm dyshimin... Sepse, askujt nuk ia mban ta kundërshtojë parimisht këtë ligj të domosdoshëm për të gjitha vendet ish-komuniste, për më tepër, sidomos për në Shqipërinë sllavo-komuniste.
Një lobing i jashtëzakonshëm kundër lustracionit në Shqipëri, brenda dhe jashtë vendit, po trondit seriozisht njerëzit e thjeshtë që nesër do të shkojnë drejt kutisë së votimit.
Vini re: si ndërtohen panelet e studiove televizive në debatet për ligjin e lustracionit. Më të shumtët e të ftuarve janë bijtë e bijat e nomenklaturës komuniste, përballë të cilëve gjenden vërtet disa intelektualë të shquar që e mbështesin parimisht këtë ligj, si një domosdoshmëri për të pastruar administratën dhe drejtësinë nga të inkriminuarit dhe, me këtë rast, ndarjen e shqiptarëve nga e kaluara që ende ka fytyrën e kriminelëve të djeshëm. Por vetëm kaq, sepse nga ana e këtyre intelektualëve të nderuar mungojnë faktet e krimeve monstruoze, mungojnë shifrat e njerëzve të vrarë pa gjyqe, të therur si berrat pa asnjë arsye ligjore, të grabitur e të burgosur vetëm sepse ashtu vinin urdhrat nga Beogradi e Moska, si domosdoshmëri për triumfuar me patjetër diktatura e proletariatit në Shqipëri dhe asnjë ish-i burgosur politik, asnjë i internuar, asnjë nga bijtë e bijat e prindërve apo të familjeve antikomuniste që iu kundërvunë diktaturës me të gjitha pasojat që sillte ajo. Nuk ka ndodhur e nuk ndodh në asnjë rast që njerëzit e shquar antikomunistë, intelektualët që vuajtën burgjeve dhe internimeve si antikomunistë apo pinjollët e tyre të cilët gjatë këtyre 18 vjetëve u arsimuan e u kulturuan nëpër shkollat prestigjioze të Evropës e më tej, të ballafaqohen ndonjëherë nëpër panelet televizive private, madje as tek ai shtetërori, përballë ish-persekutorëve apo pasardhësve të tyre, si dy kundërshtarë realë të parimeve politike, në mënyrë që populli të shohë qartë anët e medaljes e të përcaktojë në mënyrë demokratike se cilët janë ata që i mbrojnë realisht parimet demokratike dhe ata që i përmendin sa për sy e faqe, për propagandë. Kjo nuk ka ndodhur deri më sot, sepse lufta politike në Shqipëri për drejtimin e shtetit është bërë dhe vazhdon të bëhet vetëm nga një klasë politike. Nga klasa komuniste që sundoi barbarisht 45 vjet dhe ajo që erdhi “e gatshme” me kostum demokratik po nga shoqëria komuniste... po aq fanatike dhe e papërpunuar me kulturën demokratike, po aq ambicioze dhe alergjike për antikomunizmin... Kjo është arsyeja që tranzicioni ynë është i gjatë dhe komunistizimi i vendit është ende i fuqishëm në Shqipëri, sepse opinionin e përpunon pikërisht kjo klasë politike që disponon paratë dhe pushtetin politik, me njerëzit dhe propaganduesit që nuk dalin asnjëherë jashtë interesit të saj.
Arsyet pse në debatet televizive për problemet kombëtare e strategjike të vendit mungojnë vazhdimisht ish-të burgosurit politikë, intelektualët antikomunistë, pronarët e ligjshëm dhe klerikët e masakruar janë shumë, por unë do të përmendja vetëm dy si më kryesoret... Jo pa qëllim nëpër panelet dhe studiot televizive apo intervista të veçanta “ngulin e shkulin” gjithmonë vetëm dy vetë, dy “heronj” të sajuar, si ata që sajonte dikur Enver Hoxha në kohën e revolucionarizimit të ideologjisë klasore, për të frymëzuar rininë dhe klasën punëtore, pikërisht Fatos Lubonjën dhe Maks Velon, si përfaqësues të të burgosurve politikë apo si intelektualë antikomunistë. Tëpkë siç bënte në kohën e vet Enver Hoxha. Vetëm e vetëm nga frika për t’u ballafaquar me të burgosurit e vërtetë antikomunistë dhe intelektualët që u burgosën për pikëpamje kombëtare dhe antikomuniste. Ndërsa këta dy fakirë, që u zuri rrota bishtin, madje atje, në burg mësuan ç’ishte diktatura, ç’ishte nacionalizimi dhe antikomunizmi. Si thoni ju, a ka by... kjo që këta të dy të përfaqësojnë vazhdimisht të burgosurit dhe intelektualët antikomunistë, këta dy pinjollë nga familjet komuniste, vetëm se pse u erdhi radha të vuajnë nëpër burgjet e diktaturës? Me këta fillon frika për t’u ballafaquar me të vërtetën... Me historitë e vërteta të diktaturës. Që këtu fillon mashtrimi i madh... Ndonëse ka mendime, jo pa inspirim djallëzor, se gjoja “të përndjekurit”, siç kanë qejf t’i cilësojnë politikanët e së majtës kundërshtarët e tyre të vërtetë (ngaqë kanë frikë t’i quajnë me identitetin e tyre real, antikomunistë) nuk kanë kulturë, nuk kanë cilësi në debate televizive, ata përmendin gjithmonë historitë e së kaluarës për të cilat nuk ka më njeri interes, sepse “populli” nuk dëshiron më të dëgjojë ç’ka ka ndodhur në të kaluarën e largët... etj... etj. (kuptohet, “popull” ata quajnë gjithmonë veten dhe njerëzit e inkriminuar me të kaluarën, direkt apo indirekt).
Kurse e vërteta është krejt ndryshe. Madje është pika e dytë e asaj që dua të them.
Nëse ka pasur nga ata që kanë dashur t’u vënë kapak ngjarjeve tragjike dhe antikombëtare të regjimit komunist, që historia e krimeve komuniste dhe e komunizmit të mbyllej sa më shpejt e përgjithmonë, pa dyshim të parët kanë qenë dhe janë pikërisht ata që e luftuan atë regjim, që vuajtën dhe u masakruan nga ai regjim, sepse ata dhe vetëm ata kanë qenë e janë më të interesuarit që regjimi i diktaturës së proletariatit, si ideologji e importuar me dhunë në Shqipëri, për qëllime të cilat tani e kanë të qartë edhe njerëzit më të thjeshtë: mjafton të kuptojnë pse bota perëndimore, demokratike, me në krye SHBA-në bombardoi me avionë regjimin e Milosheviçit dhe e mundi për të çliruar Kosovën... Pra, nëse ka njerëz që e kanë ditur pse shqiptarët vuanin nga një regjim antikombëtar dhe kriminal, ishin pikërisht ata që e luftuan dhe vuajtën për ta larguar klikën e shitur të shqiptarëve që ushtruan diktaturën më gjakatare në botë. Pikërisht këta njerëz duan që, meqë regjimi nuk u përmbys, por ndryshoi me marrëveshje dhe kjo mënyrë dështoi për dekomunistizimin e vendit, dështoi në krijimin e shtetit ligjor, dështoi në konsolidimin e ligjeve të ekonomisë së tregut (përderisa nuk u njohën pronat e ligjshme), dështoi edhe në integrimin e shtresës antikomuniste dhe të viktimave të pafajshme. Me një fjalë, u shpallë me bujë vetëm “fitorja kundër komunizmit”, por pa fitues. U shpall “humbja e sistemit komunist”, por pa humbës!” Sepse, kapitalistë nuk u bënë pronarët e ligjshëm që komunizmi “i mundur” ua kishte grabitur pa të drejtë, por u bënë komunistët dhe bijtë e tyre. Fenomen të cilin nuk e denoncon dhe e dënon një ish-komunist apo biri i një ish-komunisti, por e bëjnë vetëm ata që e luftuan komunizmin në embrion dhe bijtë e bijat e tyre që u ndëshkuan barbarisht vetëm sepse ishin pasardhës të prindërve të tyre. Ja pse mungojnë antikomunistët dhe bijtë e bijat e tyre nëpër panelet e televizioneve privatë, të cilët gëzojnë edhe atribute kombëtare...
Ligjin i lustracionit nuk e duan pasardhësit e komunistëve të rreshtuar përgjithësisht në formacionet e majta, jo se, siç thonë ata, ka shkelje të të drejtave të njeriut apo shkelje të kushtetutës, sepse nuk ka kushtetutë në botë të “ndihet e prekur” kur është fjala për të vepruar kundër “një sëmundjeje vdekjeprurëse” me përmasa kombëtare, siç është sëmundja e “flamës komuniste”. Ata ndihen komodë pa këtë ligj, sepse nuk duan ta marrë vesh populli ç’kanë bërë të parët e tyre, që të vazhdojnë ende të qetë të hardallosen nëpër takimet flakëruese të festave, në ato ditë ku u themeluan tradhtitë kombëtare dhe u shitën interesat e kombit vetëm për karrige shtetërore dhe mirëqenie personale e familjare... Sepse, pastaj, do t’u vijë turp kur të marrin vesh se janë bij e bija apo nipër e mbesa të paraardhësve që kanë vrarë e vjedhur bashkëkombësit e tyre... që kanë vrarë e therur fëmijë në bark të nënës apo në djepin që lëkundej sepse sipas ideologjisë komuniste, krijesa të lindura nga nacionalistët, intelektualët me shkolla perëndimore apo nga ideologë antikomunistë, nuk duhet të mbijetonin në një shoqëri proletare... Sepse nuk do të kenë më sy e faqe të dalin në ditët kur ata sot përkujtojnë heronjtë dhe simbolikat e paraardhësve të regjimit gjakatar. Ndaj them se nëse mazhoranca në pushtet e ka marrë përsipër seriozisht të luftojë “flamën komuniste’’ për ta çliruar vendin realisht, një herë e përgjithmonë, nga komunistizimi i tejskajshëm, së pari, që të mos dështojë duhen ndjekur rrugët e ndershme dhe të guximshme, ndër të cilat duhet të jenë : 1) Të mos ngurrojë për të abroguar ligjin 7501 dhe prona t’i kthehet pronarit të ligjshëm. 2) Të dëmshpërblen të burgosurit dhe të internuarit politikë me ndershmëri, në mënyrë që të mos jetë më e nevojshme përfaqësimi i tyre në ca shoqata të sajuara dhe nga elementë të padenjë e shtirakë. 3) Të zhdukë simbolet komuniste dhe të zhdekorojë të gjithë ata që nuk i meritojnë dekoratat e marra nga Lufta e Dytë Botërore. 4) Të respektojë sipas protokollit qeveritar 21 Majin, Ditën kur filloi Kryengritja e Madhe e të Burgosurve Politikë në Burgun e Spaçit...
Po të ndodhin këto, sigurisht që ideologët komunistë dhe mashtruesit e historisë firojnë vetvetiu nga skena e Shqipërisë demokratike...