E Shtunë, 31 Tetor 2026

Trepça ’89 e shijon trofeun e parë

Trepça ’89 e ka shijuar trofeun e parë në futbollin e pasluftës. Pasi dështoi ta fitonte titullin e kampionit, skuadra mitrovicase ia doli ta fitojë Kupën e Kosovës në futboll, pasi që sot e mposhti në finale Ferizajn me rezultat 3:0, në duelin e zhvilluar në stadiumin e qytetit në Prishtinë.

‘Xehetarët’ ishin më të mirë gjatë pjesës më të madhe të takimit, duke fituar me meritë. Pas një rasti të qindpërqindtë të Kastriot Rexhës, ky i fundit e shënoi golin e parë të mitrovicasve në minutën e 35-të.

Në anën tjetër, skuadra nga Liga e Parë e pati një rast të mirë me Besfort Sopën, kurse Veton Hasaj e qëlloi tërthorësen, pas një goditjeje me kokë, në pjesën e parë.

Ekipi i kaltër shënoi një gol në pjesën e dytë, por gjyqtari Përparim Hasani nuk e pranoi atë, me pretekst se më parë ishte shkaktuar faull, i cili në të vërtet nuk ekzistonte.

Për t’i mbyllur të gjitha dyshimet e fituesit të këtij dueli u përkujdes sulmuesi Festim Krasniqi, që shënoi me kokë në minutën e 74-t të takimit, pas një topi të marrë nga e djathta nga Emin Baliqi.

Kurse, vulë këtij takimi i dha Kastriot Rexha, që e shënoi golin e dytë personal, të tretin për ekipin e tij, në minutën e 85-të.

Në fund, ferizajasit e goditën sërish shtyllën, por sërish ishin të pafat. Ferizaj dështoi ta fitonte trofeun e parë në futbollin e pasluftës.

Mirëpo, duhet përshëndetur kjo skuadër për arritjen në finale, pasi për të arritur deri këtu, eliminoi skuadra të mëdha kosovare.

Para kësaj përballjeje u zhvillua edhe finalja e Kupës në konkurrencën e femrave, e cila i takoi Kosovës së Prishtinës, që triumfoi pas ekzekutimit të penalltive ndaj Trepçës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›