Kukan: Dialogu Prishtinë-Beograd edhe për çështje politike

Radio Kosova: Zoti Kukan, në Parlamentin Evropian, javën e shkuar, pati një debat për ristrukturimin e misionit EULEX. Pritjet e kosovarëve nga misioni EULEX kanë qenë të mëdha, ndërsa ka zëra në Prishtinë që thonë se misioni EULEX nuk ka bërë sa duhet. Pajtoheni ju me këtë qëndrim të Prishtinës?
Eduard Kukan: Komenti im është që misioni EULEX, është një mision i rëndësishëm për të arritur rezultate në Kosovë. Mirëpo, kur flasim për rezultatet e arritura - ka shqetësime dhe kritika se nuk ka bërë sa duhet. Natyrisht, se është dashur të ketë më shumë rezultate nga aktivitetet dhe puna e tij. Të gjithë ata na shpjeguan neve se situata është e vështirë dhe ata kërkojnë më shumë mbështetje nga vendet anëtare. Por, unë dua ta shoh nga një aspekt më i balancuar, se ata kanë bërë punë të mira, por pritjet e mia për misionin janë se ata është dashur të bëjnë më shumë në të kaluarën. Për këtë tash misioni po ristrukturohet në kuadër të asaj që të jetë më funksional dhe të sjellin më shumë rezultate.
Radio Kosova: Javën e shkuar, në veri të Kosovë, pati sërish incidente, ku u plagosën dy ushtarë të KFOR-it. Mendoni se për veriun e Kosovës është nevojë urgjente që të bisedohet?
Eduard Kukan: Mendoj se situata në veri të Kosovës është potencialisht e rrezikshme dhe të gjitha palët duhet të jenë të interesuara dhe të përgjegjshme që të ketë negociata, që të ketë një situatë stabile, afatgjate në këtë rajon, sepse incidentet atje po përsëriten dhe situata vazhdimisht nuk po gjen zgjidhje. Nëse vazhdon kështu është vështirë të pritet që situata atje të jetë normale, e qetë dhe të ketë lëvizje të lirë të njerëzve dhe transporteve. Prandaj, pyetja juaj është shumë e mirë, është shumë urgjente që kjo situatë të shqyrtohet me më shumë seriozitet, të gjinden zgjidhjet dhe të gjitha palët e interesuara duhet ta shohin si një çështje shumë urgjente.
Radio Kosova: Mendoni për një format të ri të bisedimeve Prishtinë-Beograd, ku do të përfshihet në mënyrë të veçantë çështja e veriut të Kosovës?
Eduard Kukan: Pikë së pari, mendoj se dialogu Prishtinë-Beograd është shumë i rëndësishëm; mund të them se për ne, si Parlament Evropian, ky dialog është shumë i rëndësishëm. Unë vazhdoj të mendoj se marrëveshjet e arritura vitin e kaluar duhet të implementohen në emër të asaj që t’i japin më shumë kredibilitet dialogut dhe zgjidhjeve të tij. Dhe në të ardhmen, është e domosdoshme, që dialogu të përfshijë edhe çështje politike dhe kjo është përmendur edhe nga vizita e Miroslav Lajçak në Beograd. Kjo për faktin se situata po ecën përpara; Serbia tashmë është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian; Kosova, po ashtu, po ecën përpara në këtë drejtim; tash po e merr Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave dhe mendoj se të gjitha këto zhvillime të reja reflektojnë në formatin e dialogut.
Radio Kosova: Zoti Kukan, presidenti i ri i Serbisë, Tomislav Nikoliq, thotë se nuk do të heq dorë nga Kosova, edhe nëse duhet të heq dorë nga Bashkimi Evropian. Çfarë do të thotë për ju, kjo qasje e pushtetit të ri në Serbi?
Eduard Kukan: Le të presim se cili do të jetë hapi i tij të radhës si president i zgjedhur. Disa herë në politikë politikanët bëjnë deklarata të forta. Por, unë mendoj se presidenti serb, Tomislav Nikoliq, së shpejti do ta ndien përgjegjësinë që e ka për vendin dhe popullin e tij, për të ardhmen e Serbisë, sepse është e qartë se, populli serb që e votoi atë, e dëshiron Serbinë në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimi përfshinë rezolutat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sepse të gjitha vendet e Bashkimit Evropian edhe ato që akoma nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, e shohin të ardhmen e Kosovës në Bashkimin Evropian, dhe në këtë kuadër, presidenti i Serbisë duhet ta ketë këtë parasysh, nëse dëshiron që vendi i tij të lëvizë përpara drejt Bashkimit Evropian.
Radio Kosova: Por, si mendoni se duhet të veproj Prishtina zyrtare në këtë rast?
Eduard Kukan: Këshilla ime për politikanët në Kosovë do të ishte që të mos reagojnë në mënyrë emocionale, por vetëm ta përsërisin përcaktimin e Kosovës drejt një të ardhme evropiane dhe përcaktimin për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian, që dëshiron ta luaj rolin e një vendi që kontribuon në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Deklarata që Nikoliqi e thotë, nëse eksagjerohet nga palët tjera, vetëm sa do ta komplikojë situatën. Megjithatë, politika kosovare nuk duhet ta injoroj atë që thotë presidenti serb, Tomislav Nikoliq, por ata duhet të reagojnë dhe të sillen në një mënyrë të qetë dhe të matur dhe jo të reagojnë me emocione që mund të sjellin tensione të panevojshme.
Radio Kosova: Qeveria e Kosovës dhe Bashkimi Evropian kanë filluar dialogun e strukturuar për sundimin e ligjit. Po ashtu, tashmë ka një vendim se Kosova, më 14 qershor, do ta marr Udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, megjithatë, a mendoni se Bashkimi Evropian është vonuar në raport me integrimet evropiane të Kosovës?
Eduard Kukan: Mendoj se Bashkimi Evropian është duke i kushtuar vëmendje pozicionit të Kosovës, po ashtu. edhe Komisioni Evropian, sepse unë e di që komisionerja Maelstrom dhe komisioneri Fule, personalisht janë të angazhuar në këto përpjekje, që të shtyjnë përpara zhvillimet për Kosovën. Unë mendoj se Kosova duhet të vazhdoj t’i bëjë punët e shtëpisë. E di që nganjëherë është e vështirë, sepse Kosova pret më shumë reagime pozitive nga Bashkimi Evropian, por nëse Kosova vazhdon me reformat e domosdoshme, me përmbushjen e obligimeve, ajo do të jetë e pranuar, ndoshta pak më vonë, por do të jetë e pranuar. Po ashtu, e di që Kosova pret që procesi i liberalizimit të vizave të ecë më shpejt, por unë mendoj se ajo do të ndodhë, definitivisht.