E Diel, 1 Nëntor 2026

Tri drama shqipe, pjesë e “Dramës më të mirë europiane”

Tri drama shqiptare janë përzgjedhur nga Teatri Europian Konvencional për t’u bërë pjesë e një botimi që përfshin tendencat e dramës bashkëkohore në Europë.

“Teatri Europian sot; 11 pjesët më të mira ngjitur në skenën e 41 shteteve”, titullohet botimi i përgatitur për vitin 2012. Arben Iliazi me “Delirium”, Ferdinand Hysi me “Tri mendje në ankand” dhe Agim Shehu me “Kostandini i Madh”, janë tri dramat shqiptare të përzgjedhura për t’u bërë pjesë e këtij botimi. Bordi që përzgjedh këto vepra, i përbërë nga specialistë të disa shteteve, ka marrë në shqyrtim vetëm ato pjesë që janë vendosur në skenë të paktën dy vitet e fundit.

Në njoftimin për shtyp të “ETC” (European Theatre Convention), thekson se kjo është një mënyrë për të kuptuar tendencat e dramës bashkëkohore sot në Europë dhe për të ndihmuar këto pjesë të dialogojnë me krijues të tjerë e të vihen në skena e për një publik më të gjerë.

Për këtë arsye, në këtë botim, çdo dramë shoqërohet me një sinopsis në anglisht dhe frëngjisht. Pjesë e këtij unioni është edhe Teatri Kombëtar i Shqipërisë. Dramaturgu Arben Iliazi e sheh këtë përzgjedhje si një mundësi e mirë që drama e tij të mund të depërtojë edhe në profesionistë të teatrit përtej Shqipërisë.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›