Ligji i dosjeve, SHBA përplasen me Berishën
Adi Shkembi
Ligji i dosjeve përplas Shtetet e Bashkuara të Amerikës me krye-ministrin Berisha. Pas qëndrimit kundër, të Shtëpisë së Bardhë për miratimin e këtij ligji, këtë radhë përplasja ka ndodhur lidhur me bisedën mes Nën-Sekretarit të Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Daniel Fried dhe kryeministrit Berisha. I pyetur mbrëmë gjatë një konference për shtyp, nëse gjatë ditës së djeshme kishte folur me Nënsekretarin e Shtetit të SHBA-së, kryeministri Berisha u shpreh se “E shoh se je më e mirinformuar se unë. Sot, nuk kam pasur asnjë bisedë me Ndihmës Sekretarin e Shtetit Dan Fried. Ligji, është e vërtetë, që publikisht ka pasur disa deklarata, por unë dua të garantoj shqiptarët dhe çdo partner e mik të tyre se vota nesër nuk është sfidë ndaj askujt”. Ndërkohë pas deklaratës së kryeministrit Berisha reagoi dhe Ambasada Amerikane në Tiranë. Zëdhënësi i ambasadës tha mbrëmë se “Nën-Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Daniel Fried, ka komunikuar me kryeministrin Berisha të shtunën në orën 18.00”. Burime të besueshme bëjnë të ditur për gazetën se gjatë këtij takimi, zyrtari i lartë i Shtëpisë së Bardhë i ka përsëritur kryeministrit Berisha qëndrimin e SHBA-së të shprehur pak ditë më parë nga ambasadori Withers, sipas të cilit ligji ngre shqetësime serioze kushtetuese dhe ligjore. Pas reagimit të Ambasadës Amerikane në Tiranë, kryeministri Berisha ka sqaruar telefonatën me Daniel Fried. “Zyra e shtypit e Kryeministrit Berisha bën të ditur se në përgjigje të një pyetjeje të bërë nga media, të kontrolluara nga opozita, Kryeministri është përgjigjur se nuk ka pasur sot, ditën e dielë, një bisedë me Nën-Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës z. Daniel Fried në lidhje me ligjin për dosjet. Zyra e shtypit njofton se Kryeministri Berisha ka zhvilluar ditën e shtunë në orën 6 pasdite një bisedë telefonike me Nën-Sekretarin Fried. Biseda është zhvilluar në një frymë të hapur dhe miqësore dhe në të është diskutuar për dosjet dhe për probleme të tjera me interes të përbashkët”, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit të Berishës.
Dule: Ligji i dosjeve përdoret për qëllime partiake
Hapja e dosjeve po përdoret për qëllime të vogla partiake. Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut paralajmëron një ditë para votimit të ligjit votën kundër të saj, duke u bashkuar me shqetësimin e ndërkombëtarëve, se ligji bie ndesh me Kushtetutën. Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule flet në një intervistë për gazetën “Panorama” edhe për Kodin e deklaratat e kreut të “Omonia”-s Vasil Bollano.
Presidenti Topi ka kthyer në Parlament për rishqyrtim Kodin Zgjedhor. Ky veprim i kreut të shtetit nuk është pritur mirë nga dy partitë e mëdha, të cilat e kanë kundërshtuar atë. Ju si e gjykoni dekretin dhe argumentet e paraqitura nga Presidenti?
Presidenti e ka kthyer kodin në bazë të kompetencave të tij kushtetuese dhe në bazë të një arsyetimi konkret. Qëndrimi im ka qenë konstant, të mos komentojmë qëndrimet e kreut të shtetit. Ky do të thotë respekt për shtetin e së drejtës, respekt për institucionin e Presidencës, i cili është institucioni që garanton kushtetutshmërinë dhe mirëfunksionimin e demokracisë në vend. Për ne Kodi zgjedhor ka probleme, të cilat i kemi shprehur në debatet para seancës dhe në Parlament. Do të përqendrohem në administrimin e procesit zgjedhor. Ai monopolizohet nga një pjesë e konkurrentëve në procesin zgjedhor. Duam të jemi shumë të qartë. Në asnjë proces në politikë, ekonomi, shoqëri, kudo, nuk mund të ketë një administrim vetëm prej disa prej palëve pjesëmarrëse. Është pabarazi dhe rrjedhimisht mënyra e organizimit të administrimit të zgjedhjeve shkel parimin thelbësor, që është barazia në zgjedhje. Për ne është një shans i mirë kthimi i Kodit në Parlament, që të vëmë në vend padrejtësinë e bërë në votimin e tij në Kuvend. Duhet të jemi realistë, dispozitat e Kodit ashtu siç u votua në Kuvend, nuk kanë ngjashmëri me asnjë kod tjetër, ku vihen re dy tendenca: e para dhe dominuesja është ajo e administrimit nga komisione jopartiake dhe në vende të caktuara gjithëpartiake. Tek ne nuk preferohet as njëra, as tjetra.
Tani që Kodi u kthye në Parlament, shikoni të ketë hapësira për zgjerimin e numrit të partive, që do të merren me administrimin e zgjedhjeve?
Gjithmonë edhe sikur të mos kthehej Kodi ka hapësirë në bazë të legjislacionit tonë për ndërhyrje, por kthimi i tij përbën një shans shumë të rëndësishëm për reflektim nga të gjitha palët. Duhet të jemi të vëmendshëm ndaj një fakti, nëse duam të kemi procese zgjedhore të pakontestueshme duhet t’i presim rrugën ndërhyrjeve në Kodin zgjedhor gjatë një legjislature, nga shumica e asaj legjislature për zgjedhjet e radhës. Duhet që ndërhyrjet në kod të bëhen për zgjedhjet pas dy herësh, jo për zgjedhjet e radhës. Sepse krijon një tendencë të keqe nga ana e shumicës dhe një dëshirë për të ndërhyrë dhe krijuar hapësirë në favorin e vet.
Zoti Dule maxhoranca po investohet ditët e fundit për miratimin e ligjit të Pastërtisë së Figurave. Por ky ligj, pasi është kundërshtuar nga opozita, është përkufizuar si jokushtetues nga faktori ndërkombëtar në vend. Keni ju një qëndrim për draftin e shumicës?
Është një proces i cili duhet të ishte kryer prej vitesh në Shqipëri, është një transparencë e domosdoshme. Kontestimi ynë qëndron në faktin, se çështja e hapjes së dosjeve përdoret për qëllime të vogla partiake, koniunkturale, për trysni politike apo edhe për konsum politik të ditës. Është çështje shumë më e madhe se kaq. Prandaj kërkojmë më shumë vëmendje dhe bashkëpunim. Kërkojmë standarde mbi vullnetet politike për realizimin e këtij procesi. Ka shumë përvoja në BE dhe kryesisht në vendet e ish-bllokut Lindor lidhur me këtë fenomen. Nuk kemi pse i qëndrojmë njërit apo tjetrit, sepse në të gjitha rastet ka pasur anët pozitive dhe negative. Mund të bëjmë një proces i cili mund të jetë shqiptar, duke përfituar nga përvojat pozitive të vendeve të ndryshme dhe duke i shërbyer realiteteve të Shqipërisë. Ky vend ka nevojë për transparencë. Duhet të ketë një transparencë reale, e cila do të jetë në shërbim të funksionimit normal të shtetit të së drejtës dhe koherencës shoqërore dhe jo të funksionojë së mbrapshti për hakmarrje shoqërore dhe individuale.
A keni një qëndrim për draftin e paraqitur në Parlament nga PD? Vota juaj do të jetë pro?
Nuk besoj se do të tentohet kalimi i këtij ligji në seancën e nesërme. Ne i kemi shprehur mendimet tona nëpërmjet Spiro Peçit në komisionin e Ligjeve. Projektligji konkret ka probleme kundërvënieje me Kushtetutën, rrjedhimisht duhet parë nga ai këndvështrim, pasi s’mund të kalojë një ligj që ka probleme kushtetuese. Dhe së dyti, nga ana politike, ne duam një ligj që të përputhet me realitetet shqiptare, të jetë i gjithëpranuar dhe produkti, që do na japë të jetë në shërbim të mirëfunksionimit të demokracisë.
Zoti Dule, ditët e fundit ka pasur një debat publik lidhur me një letër të shoqatës “Omonia” drejtuar Parlamentit grek. Ndonëse ju dhe zoti Bollano e keni përgënjeshtruar se në letër flitej për kushtëzim të MSA-së nga Greqia për autonominë e Vorio-Epirit apo edhe për kthimin e pronave të minoritetit, kjo ishte e shkruar e zezë në të bardhë. Si është e vërteta sipas jush?
E shikoj se vërejtjet e mia të fundit për më shumë seriozitet nuk kanë zënë vend. Ngaqë jam në gjendje ta njoh mirë gjuhën greke dhe të kem ushtruar për disa vite rresht profesionalisht përkthimin po ju them, se jeni jo vetëm shumë larg, por në kah të kundërt me frymën e promemories, që është e këshillit të përgjithshëm të Bashkimit Demokratik të minoritetit etnik grek “Omonia”, i cili që në rreshtin e parë të tij deklaron përkushtimin e tij në integrimin e Shqipërisë në BE. Në të njëjtën kohë njofton parlamentarët grekë edhe për problemet, që aktualisht ka minoriteti etnik grek. Mos doni të thoni me këtë logjikë se edhe komisioni i BE-së në progres raportin e çdo viti dhe konkretisht të vitit 2008 kur përmend problemet që ka minoriteti grek i kundërvihej integrimit të Shqipërisë në BE?
Pra, ju thoni se në asnjë rresht të deklaratës nuk është përmendur fjala “autonomi”?
Zotëri, nuk kam ardhur për t’iu bërë përkthyesin këtu. Ju si media serioze duhet ta bëni vetë për veten tuaj këtë. Dëshiroj që nëpërmjet jush t’i drejtohem opinionit publik, që të mos bien pre e atyre që mendojnë se me arrogancën e posedimit të mediave mund të krijojnë realitete të ndryshme nga ato ekzistuese. Omonia është e përkushtuar në mbrojtjen e të drejtave të minoritetit etnik grek po në atë shkallë, që është e dedikuar edhe në proceset integruese të Shqipërisë në strukturat euroatlantike. “Omonia” flet për integrim të Shqipërisë në NATO dhe BE, që në vitin e themelimit saj kur forcat e tjera politike nuk dinin ende ku binte Brukseli.
Ju thoni se “Omonia” është njësoj e përkushtuar për mbrojtjen e minoritetit dhe integrimin e Shqipërisë në NATO, por ende deri më sot nuk kemi dëgjuar asnjë deklaratë të kësaj shoqate për Athinën zyrtare që ajo të ratifikojë MSA-në. Greqia është vendi i fundit që nuk e ka ratifikuar akoma, ndërkohë që ka vende si Estonia dhe Letonia që e kanë bërë prej kohësh një gjë të tillë...
Nuk më takon të bëj avokatin e Greqisë, por nuk mund edhe të mos hesht kur njoh një realitet krejt të ndryshëm nga ky që pretendon. Greqia ka qenë dhe le ta përgënjeshtrojë dikush nëse nuk është ashtu, në vijën e parë si në NATO dhe BE për integrimin e Shqipërisë për këto struktura. Çdo parlament nga ana tjetër ka programet dhe procedurat e veta dhe askush nuk mund të imponojë një realitet të ndryshëm.