Dhëndri vret me levë vjehrrin për një copë tokë
Delvinë/Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në Delvinë, ku dhëndri ka vrarë vjehrrin duke e goditur me levë në kokë, e në trup derisa ai ka humbur jetën. Krimi në familje duket se ka marrë përmasa të frikshme, pasi vetëm në tre ditë tre gra janë vrarë nga bashkëshortët e tyre, ndërsa dje prej dhunës së ushtruar u shënua edhe viktima e radhës. Mësohet se ngjarja ka ndodhur në fshatin Kaharaxh të këtij rrethi, kur komisariati u njoftua se dy pleq ishin të plagosur rëndë dhe autori u arratis. Grupi hetimor shkoi menjëherë në vendngjarje dhe konstatoi se në një rrugicë të fshatit Kaharaxh, në afërsi të banesës së tij, Jani Koka, 91 vjeç, për motive pronësie është qëlluar me sende të forta, levë hekuri, nga i dyshuari Kristo Gjini, 65 vjeç, banues po në këtë fshat, me të cilin ishte në marrëdhënie familjare. E dëmtuar ka mbetur edhe vjehrra Lefterie Koka, rreth 90 vjeçe. E dëmtuara u dërgua me urgjencë në spitalin e Sarandës. Mjekët thanë se ajo ka hematoma në trup nga goditjet, që për shkak të moshës së thyer i rrezikojnë edhe jetën. Kurse viktima ka pasur dëmtime në pjesën e majtë të kokës nga goditja me levë hekuri, që i ka sjellë edhe goditjen fatale nga hemorragjia cerebrale.
Hetimet
Nga verifikimet e para u bë identifikimi i të dyshuarit Kristo Gjini, i cili nuk u gjet në banesë dhe u shpall në kërkim. I moshuari është kapur nga agjentët e Zyrës së Krimeve të Rënda Sarandë në përpjekje për tu arratisur nga fshati dhe shpëtuar arrestimit. Nga veprimet e kryera nga grupi hetimor, marrja në pyetje e familjarëve, të dëmtuarës dhe të arrestuarit, rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit, për motive pronësie mes dhëndrit dhe dy bashkëshortëve, tha policia. Mësohet se familjet kishin përplasje për një sipërfaqe trualli para shtëpive të tyre në fshatin Kaharaxh të Delvinës, që pretendonin të dyja. I dyshuari kërkonte që të merrte pjesën e vajzës së bashkëshortëve të moshuar, kurse këta të fundit e mohonin, duke pretenduar se kishin pronësinë e tokës në emër të tyre.
Konflikti
Policia tha se konflikti ka lindur i çastit, por ende nga hetimet nuk është zbuluar plotësisht dinamika e ngjarjes, pasi pritet një dëshmi më e plotë nga e mbijetuara prej sulmit. Trupi i të ndjerit Jani Koka u dërgua në morg për autopsi dhe më pas i është dorëzuar të afërmve për ceremoni mortore. Kurse 90-vjeçarja mbahet me terapi intensive në spital dhe mund të dërgohet në Greqi për mjekim të specializuar nëse do të jetë nevoja. Policia tha se materialet procedurale do ti referohen Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, për shkak se krimet në familje kanë kaluar në kompetencë të saj në bazë të Kodit të ri Penal.
********
Përcillen dy gratë e vrava, 5 fëmijë mbeten jetimë
I jepet lamtumira dy grave që mbetën viktima të krimit në familje nga bashkëshortët e tyre xhelozë. Familjarë dhe miq përcollën dje Valbona Lleshin në Fushë-Mamurras dhe Alketa Canin në Kinostudio të Tiranës. Ceremonitë u kryen nga familjet e grave, kurse fëmijët janë marrë nën kujdesin e gjyshërve. Dy gratë lanë 5 fëmijë të mitur jetimë, pasi njëri është i arrestuar dhe tjetri po lufton me vdekjen në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Po dje u përcoll edhe Valbona Lleshi, 27 vjeçe, në Mamurras, nënë e 3 fëmijëve të mitur, e cila u rrah me shkop druri nga bashkëshorti Marjan Lleshi, 44 vjeç, i arrestuar. Krimi kishte motive xhelozie, pse gruaja dilte pa lejen e tij nga shtëpia.