E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri net koktejl

Nuk ka qenë një delegacion protokolli, por një trupë e kompletuar artistësh, të shoqëruar nga 2-3 zyrtarë, të ardhurit nga Riçione e Italisë këtë fund marsi në Sarandë. Historia e binjakëzimit Saranda-Riçione, pas maturimit 17-vjeçar është shfaqur në një dimension tjetër, duke ardhur si produkt i përbashkët artistik. "Saranda Riçione Festival", i shoqëruar nga kujdesi i shpallur i kryetarit të komunës, Daniele Imola dhe kryebashkiakut Edmond Gjoka, ka nisur të performohet duke u shtrirë në tri ditë e net takimesh të artistëve me publikun. Ato kanë nisur nga skena e hapur e Sarandës dhe janë shfaqur në salla të mbyllura, ku janë bashkuar në një numrat e pjesët artistike dhe jo vetëm ato. Kanë qëndruar mrekullisht mirë bashkë zhonglimi dhe polifonia, koreografia e fëmijëve dhe e të rriturve, saksofonistët italianë dhe fantazia e mjeshtrit sarandjot të kitarës, tingujt finë të violinës dhe panairi i kulinarisë me gatime tipike të shkollave të turizmit. Te spektatori, që gjithashtu ishte dykombësh e dygjuhësh, këto kanë shkuar si "koktejle" artistike, që qytetarët i kanë bërë të ndijehen binjakë jo vetëm në aktin e binjakëzimit, në marrëveshjet e nënshkruara e të realizuara, por edhe në shkëmbimin e vlerave dhe përvojave artistike.

"Saranda -Riçione Festival", i shtrirë në tri ditë aktivitetesh dhe mbrëmje koncertesh të mirëfillta artistike, ka nisur udhëtimin e tij nga një shfaqje modeste, që ka çuar frymën dhe ndjenjën e të qenit bashkë së pari në njerëz të moshës së tretë, te banorët e Qendrës Ditore Polivalente. Prej andej është ndalur në filialin universitar të Sarandës, ku u improvizua një laborator i përgatitjes së topave dhe mjeteve të tjera të zhonglerisë dhe u trajnuan studentët për realizimin e numrave të zhonglimit, nën kujdesin e "Compagnia dei ciarlatani". Interesi i përbashkët për ardhmërinë e zhvillimeve turistike të dy qyteteve ka çuar në asistimin e përbashkët në kabinetin e letërsisë dhe në zhvillimin e disa orëve mësim të gjuhëve të huaja në shkollën e hoteleri-turizmit, "Antoni Athanas", të Sarandës dhe në recetat më tipike të kuzhinës italiane e shqiptare, realizuar nga nxënës të shkollave homologe, që u ekspozuan në panairin e kulinarisë.

Koncerti i parë i përbashkët u ndoq nga qindra spektatorë në sallën e kinoteatrit "Butrinti". Pjesë përbërëse e tij u bënë grupi i instrumentistëve "Miro Saksofon", me kuartetin e saksofonistëve: Sabino Monterizi, Anxhelo Anxheloti, Filippo Dionixhi. Surpriza e këtij grupi simpatik ishte saksofonistja Ana Monterizi, e rrallë në këtë instrument dhe në aftësitë e saj ekzekutuese. Koloriti lab i Sarandës u përcoll nga këngët e kënduara prej grupit polifonik, "Zëri i Bilbilit". Publikun e mbajtën në situata humori dhe ankthi e emocioni të veçantë numrat e zhonglerëve Aleks Gabelini e Francesko Tondi të "Compania dei Ciarlatani". Ata zhongluan bukur dhe rrezikshëm, jo vetëm me topa e bila, por edhe me thika dhe zjarr. Dhe u bënë edhe më të afërt e komunikues me publikun në skenë, pasi ftuan të ngjiteshin në mënyrë spontane e të bëheshin pjesë e lojës dhe mjeshtërisë së tyre edhe djem e vajza që ishin të pranishëm si spektatorë në sallë. Surprizat ndoqën njëra-tjetrën. Artistë dhe zyrtarë riçionezë u dukën të mrekulluar kur në skenë dolën djem e vajza jo më shumë se 10-vjeçarë, valltarët e vegjël të Qendrës Kulturore të Sarandës, që sollën kostume dhe numra koreografikë që prezantonin ritin e dasmës shqiptare. Emocion krijuan edhe pjesët instrumentale për violinë dhe orkestër, që luajti me profesionalizëm solisti Genti Xuxi, nën shoqërinë e kitarës së famshme të Adem Dacit. U quajt një vërshim i spektatorit të zonave deri përtej Butrintit, ndoshta deri në Konispol, ai që u pa në shfaqjen e dhënë në skenën e Ksamilit në kontaktin me vlerat artistike që performoi "Saranda-Riçione Festival". Festivalistët riçionezë dhe sarandjotë ishin të ftuarit e kompozitorit të shquar Limos Dizdari në qendrën e tij të artit, "Dea", ku pjesë e spektaklit të përbashkët u bë edhe polifonia e grupit "Dea".

Kalaja e Lëkurësit dhe skena e saj e hapur u zgjodhën enkas për të mbërritur në kulmet dhe në përmbylljen e tri netëve festival mes Riçiones dhe Sarandës. Grupet "Dea" e "Zëri i Bilbilit", fëmijët valltarë dhe kitara e mjeshtrit Daci, erdhën në formën e tyre më të mirë. Të shkrira organikisht me vlerat që krijuan grupet riçioneze, "Compagnia dei ciarlatani" dhe "Miro Saxophone Quartet", artistët shqiptarë dhe italianë u ndjenë të plotësuar që spektatorit iu përcollën vlera dhe përvoja artistike që i kanë munguar prej kohësh. Pjesë e festivalit dhe e kënaqësisë që i është dhuruar publikut janë bërë edhe valltarë të grupit të valleve "Corfiates", të shkollës koreografike të Arben Çipës në Korfuz dhe të sjellë prej tij në skenën e Lëkurësit.

Hap pas hapi ditët dhe netët e festivalit janë ndjekur edhe nga autoritetet e delegacionit të ardhur nga Komuna e Riçiones: nga Francesko Cavali, drejtor i drejtorisë së kulturës dhe i marrëdhënieve me jashtë në Komunën e Riçiones; Eleonora Parmi, drejtore e politikave rinore në komunë; nga Pietro Cavalaro, kryetar i shoqatës "Agimi"; Giuzepe Champion, drejtor i shkollës së Hoteleri-Turizmit në Riçione etj. Secili prej tyre nxitoi të ishte njëherësh edhe një fotograf apo operator i vlerave dhe përvojave të prezantuara në tri ditë festival.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›