E Shtunë, 31 Tetor 2026

Elbasan, 51 milionë lekë për qendrën e artit

Bashkia e Elbasanit, në buxhetin e saj të vitit 2008, ka miratuar një fond prej 51.750 milionë lekësh për Qendrën e Artit në qytet. Në këtë fond do të përfshihen rikonstruksioni i Muzeut Etnografik, ndërtimi i një galerie arti, e cila do të realizohet në godinën e shtëpisë së patriotit dhe dijetarit të shquar elbasanas Aleksandër Xhuvani, ndërtimin e obeliskut të arsimit si dhe vazhdimin e punimeve në mozaikun e zbuluar disa muaj më parë shumë pranë sheshit të Bezistanit në qendër të qytetit. Kreu i bashkisë, Qazim Sejdini, tha se tashmë kanë nisur punimet për gërmimet në mozaikun e zbuluar muaj më parë, ku punëtorët do të gërmojnë rreth 800 m2 dhe fondi i akorduar për vazhdimin e gërmimeve është 1 milion lekë të reja. Nga gërmimet e punëtorëve të shërbimit të Mirëmbajtjes së Rrugëve, në këtë mozaik, i përcaktuar si i stilit romak të shekullit të tretë apo të katërt të erës sonë, janë gjetur mjaft objekte si: shtylla mermeri të gjata rreth 5 metra; me punime dekorative, të cilat janë vendosur në hollin e muzeut etnografik të qytetit, i vetmi që ruan çdo vlerë të lashtë të këtij qyteti. Gjithashtu, arkeologët që morën pjesë vetë në gërmimin e mozaikut kanë gjetur edhe një kapitel, (objekt zbukurimi) që vendoset sipër kolonave, një afresk që ndodhet në mur, si dhe dy varre të cilat i përkasin shekullit të pestë. Mendohet se mozaiku është një bazilikë paleokristiane, një ndërtim ky që i përket fundshekullit të katërt të erës sonë.

Në fund të përfundimit të gërmimeve do të realizohet një tjetër projekt për ta kthyer këtë mozaik në një monument kulture, ku do të dalin në pah vlerat karakteristike të qytetit të Elbasanit. Ndërkohë, po nga buxheti i bashkisë janë përcaktuar 21 milionë lekë për ndërmarrjen e gjelbërimit për të zgjeruar sipërfaqet e gjelbra nëpër lagje dhe për të rritur numrin e pemëve dekorative në qendër të qytetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›