Loja promovohet në Vjenë
Ne prani të artistëve, regjisorëve, aktorëve dhe kritikëve austriakë, regjisori Bekim Lumi ka bërë promovimin dhe paraqitjen e teatrit dhe, përmes video-xhirimit, edhe të shfaqjes së tij ‘Këmisha e gjakut’. Ky promovim është bërë në kuadër të projektit ‘Lalish Interkulturelle Dialoge’ (Dialogut Ndërkulturor Lalish), përmes të cilit Teatri Laborator Lalish zakonisht i promovon dhe ia paraqet artistëve dhe publikut austriak përvojat krijuese të artistëve nga vende të ndryshme të botës. Në këtë mbrëmje me karakter promovues ishte i pranishëm edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Republikën e Austrisë, Sabri Kiqmari me bashkëpunëtorët e tij.
Fillimisht, rreth Teatrit Laborator Loja dhe rreth profilit artistik të regjisorit Bekim Lumi ka folur Dr. Nigar Hasib, drejtuese artistike e Teatrit Laborator Lalish. Ajo me këtë rast ka theksuar se promovimi i Teatrit Laborator Loja është një rast i veçantë për t’u njohur nga afër me punën krijuese e artistike të regjisorit Bekim Lumi dhe të një teatri të ri me fizionomi dhe shprehje alternative nga Kosova, i cili, si rezultat i një procesi të gjatë kërkimor dhe eksperimentues, mbi motivet e tri tragjedive të Shakespeare-it e të Kanunit të Lekë Dukagjinit, e ka krijuar shfaqjen ‘Këmisha e gjakut’.
Ndërkaq, duke folur për bashkëpunimin artistik me Kosovën, ajo ka thënë se ky promovim është vazhdimësi e bashkëpunimit ndërmjet Teatrit Laborator Lalish dhe artistëve kosovarë që nga viti 2006 e këndej, fillimisht me pjesëmarrjen dhe paraqitjen e Teatrit Lalish me shfaqjet e tij në disa festivale ndërkombëtare teatrore dhe muzikore në Kosovë dhe me organizimin e disa punëtorive teatrore me studentët dhe aktorët e rinj kosovarë e, më pas, edhe me paraqitjen dhe promovimin e vlerave artistike, teatrore, muzikologjie e etnologjike nga Kosova në hapësirat e këtij teatri në Vjenë.
Ndërkaq, regjisori Bekim Lumi ka thënë se promovimi i Teatrit Laborator Loja në Vjenë është pjesë e përpjekjeve të tij të vazhdueshme për paraqitjen dhe promovimin e artit e të kulturës kosovare në festivalet dhe në ngjarjet e ndryshme artistike ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai ka vënë në pah nevojën e intensifikimit të paraqitjeve të këtilla jashtë Kosovës, përmes të cilave, në një kontekst më të gjerë, verifikohen, krahasohen dhe standardizohen vlerat tona krijuese dhe artistike bashkëkohore. Ai, gjithashtu, ka theksuar nevojën e mbështetjes institucionale për plasimin, paraqitjen dhe promovimin e artit e të kulturës kosovare në botën perëndimore. Ndërkaq, Lumi ka theksuar se promovimi në Vjenë është vetëm fillimi i paraqitjes së Teatrit Laborator Loja dhe i shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’ në skenën teatrore ndërkombëtare.
Më tutje, të pranishmit, për një orë, kanë ndjekur me vëmendje video-xhirimin e shfaqjes ‘Këmisha e gjakut’, për të vazhduar më pas me një dialog të drejtpërdrejtë me regjisorin Bekim Lumi me pyetje, përgjigje, analiza, diskutime e vlerësime rreth shfaqjes dhe, përgjithësisht, rreth aktit krijues në një përvojë të këtillë artistike me një laborator teatror. Shumë nga artistët pjesëmarrës vjenezë janë shprehur me tone admiruese për shfaqjen ‘Këmisha e gjakut’, duke e vlerësuar atë si një performancë teatrore jashtëzakonisht të guximshme dhe me pretendime shumë të larta artistike.