E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kokëçarje me veri

Pjesëtarë të KFOR’it kanë vendosur bllokada të reja në rrugët e veriut të Kosovës, fare pranë pikës kufitare në Jarinje. Serbët e revoltuar kanë përforcuar barrikadën në urën mbi lumin Ibër. Ministri Bajram Rexhepi ka thënë se barrikadat do të hiqen patjetër, por thotë se kjo nuk do të ndodhë pa koordinim me faktorin ndërkombëtar. Ndërkohë, banda serbësh janë rrahur ndërmjet vete. Nga Nebih Maxhuni më 30 shtator 2011 në ora 08:54

Ushtarë të KFOR-it kanë vendosur bllokadë të re në rrugën magjistrale në veri të Kosovës, përkatësisht qindra metra në dalje nga baza e KFOR-it, përtej pikës kufitare Jarinje në drejtim të kufirit me Serbinë, afër Rudnicës.

Ata kanë vendosur automjetet e tyre të blinduara edhe në rrugën tjetër alternative afër Jarinjes, të ndërtuar ditë më parë nga grupet ekstremiste serbe, dhe nuk po lejojnë qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve në këtë rrugë.

Ushtarët e KFOR-it me automjetet e tyre kanë nisur të mbyllin tërësisht rrugën alternative. Në fakt ata kanë bartur dheun nga pjesët anësore dhe po e bllokojnë këtë rrugë.

Ndërkohë, serbët kanë përforcuar barrikadat e rërës mbi lumin Ibër edhe me tre kamionë zhavorr të mërkurën pak para mesnatës. Mediat kanë njoftuar se grupet kriminale serbe, të dëshpëruar për vendosjen e një kontingjenti të KFOR-it gjerman në afërsi të lumit Ibër, si kundërpërgjigje kanë zbrazur kamionët me rërë.

Megjithatë, situata në veri të Kosovës ka qenë e qetë. Qetësi ka pasuar edhe në dy pikët kufitare - Bërnjak dhe Jarinjë, ndërsa serbët kanë bërë roje gjatë gjithë natës në afërsi të barrikadave, kanë njoftuar burimet.

Rexhepi: I heqim vetë

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë se bllokadat rrugore të vendosura nga serbët e veriut të Mitrovicës do të largohen. Ai gjithashtu është zotuar se autoritetet vendore nuk do të ndërmarrin ndonjë hap të njëanshëm.

Rexhepi thotë se largimi i barrikadave është veprim i pashmangshëm pasi që ato bllokojnë lirinë e lëvizjes për njerëzit dhe për mallrat.

Duke folur për AP, ai tha se çdo veprim do të koordinohet me KFOR-in dhe me misionin evropian për sundim të ligjit në Kosovë, EULEX.

Ndërkohë radikali Tomisllav Nikoliq dhe zëvendësi i tij Aleksandër Vuçiq kanë hyrë ilegalisht në veriun e Kosovës.

Sipas burimeve, këta dy liderë të ekstremit radikal serb do të vizitojnë serbët e plagosur në Spitalin e Mitrovicës si dhe do të mbajnë takime me përfaqësuesit e tyre në Zveçan.

Ndërkohë që gjendja shëndetësore e serbëve të lënduar para dy ditëve në përleshje me KFOR-in është stabile dhe ata vazhdojnë të qëndrojnë në spitalin që ndodhet në veri të Mitrovicës.

Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë thënë se deri më tash nuk kanë ndonjë indikacion që mund të çonte në përkeqësimin e situatës. Situatë më e tensionuar thuhet të jetë në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës, lagje kjo e banuar me popullatë etnikisht të përzier. Po ashtu edhe zëdhënësi i KFOR-it, Frank Martin, thotë se situata në veri të Kosovës vazhdon të jetë e qetë. “Situata është e qetë dhe e qëndrueshme, ajo nuk ka ndryshuar. Për momentin, forcat e KFOR-it janë vetëm duke e monitoruar gjendjen - në gjithë territorin”. Përfaqësuesi i shqiptarëve të kësaj lagjeje, Adem Mripa, tha për “Rel” se nga e mërkura janë shtuar masat e sigurisë në lagjen e tyre.

“Karabinierët janë në mbrojtje të popullatës në Lagjen e Boshnjakëve... Mbrëmë kam biseduar me banorët, sidomos me rininë e lagjes, që mos ta përshkallëzojnë situatën se ajo shkon në dëm të popullatës shqiptare”, theksoi Mripa.

Serbët do të padisin KFOR-in

Forcat paqeruajtëse kanë thënë se nuk kanë përdorur dhunë joproporcionale me rastin e aksionit më 27 shtator ndaj serbëve në Jarinje. Por, serbët e Leposaviqit planifikojnë të padisin ushtarët e KFOR-it për, siç thonë, trajtimin jonjerëzor që u kanë bërë disa të arrestuarve që janë marrë dhe janë mbajtur atë ditë. Madje, drejtoresha e Shtëpisë së Shëndetit në Leposaviq thotë se “me gjuajtjen në drejtim të ambulancës” është thyer Konventa e Gjenevës.

Rrahje ndërmjet bandave

Rrahje masive mes dy bandave nga veriu i Mitrovicës dhe Zveçani ka ndodhur të enjten pasdite në veri të Mitrovicës, ku janë përdorur armë të ftohta, mjete të forta dhe gurë, bëjnë të ditur burime të Kosovapress-it. Sipas këtyre burimeve, janë shumë persona të lënduar, por deri tani vetëm dy prej tyre kanë kërkuar ndihmë në spitalin që ndodhet në veri të Mitrovicës. Incidenti ka filluar në shkollën e mesme teknike, për të vazhduar nëpër rrugët e qytetit dhe duke përfunduar në njërën prej lokaleve, të cilin e kanë demoluar tërësisht.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›