Tri shtëpitë e Antigonës
Vepra e dramaturgut Mihal Luarasi, hap nesër sezonin në Teatrin Kombëtar.
Në kalendar që s'është gati akoma do të jetë vetëm një premierë
Klajdi Ymeri tregon për leximin skenografik që i ka bërë veprës së Luarasit. Një vajzë në shtëpinë pa mashkull, në dhomën e vrasësit të të atit, dhe mes mureve me dosje.
Drama "Antigona kërkon të atin", e shkruar dhe e vënë në skenë nga Mihal Luarasi, vjen për publikun në datat 25, 26 dhe 27 shtator, ora 19.00, në sallën "Kadri Roshi" të Teatrit Kombëtar.
Është historia e Antigonës, bija e një ndër shumë të ekzekutuarve gjatë regjim komunist, e cila është vënë në kërkim të eshtrave të të atit me një qëllim: të ketë një varr edhe ai. Është një mision i vështirë gjatë të cilit ajo përballet me pushtetarë të së kaluarës, të cilët janë edhe sot në poste drejtuese (shefi i dosjeve), fajtorë pa faj (pushkatari, i cili ka zbatuar vetëm një urdhër), njeh nga afër falsitetin e proceseve gjyqësore të kohës së diktaturës dhe torturat që kanë kaluar të gjithë të dënuarit e atij sistemi.
Po cila është reja që sjell kjo vepër në diskursin që në sytë e opinionit publik është marrë dhe është të lënë, sa herë flitet për krimet e diktaturës dhe format e ndryshme të shkeljeve të të drejtave të njeriut.
"Ne akoma nuk jemi ndarë nga koha e diktaturës, pasi pushtetarët e asaj kohe, të cilët janë gjallë edhe sot, nuk kanë kërkuar falje", - tha në prezantimin e djeshëm për mediat regjisori Luarasi. Ai shtoi se në të gjitha vendet ish-komuniste është kërkuar falje publike, kurse në Shqipëri ende nuk ka ndodhur.
Titulli, që simbolikisht i referohet figurës së Antigonës së Sofokliut - ajo del kundër kanoneve të luftës dhe të mjedisit të kohës, e cila lufton për të varrosur të vëllanë e vrarë, me gjithë kërcënimin me vdekje të mbretit Kreont.
Luarasi ka zgjedhur dy breza aktorësh si Edi Luarasi (e ëma e Antigonës) dhe Ahmet Pashën (shefi i dosjeve), nga një anë, dhe më anë tjetër të rinjtë Ina Gjonçi (Antigona) dhe Gjergji Mena (pushkatari).
Regjisori e ka komentuar edhe këtë përballje si një demonstrim të mendimeve të atyre që kanë jetuar në kohën e diktaturës dhe të tjerëve, atyre që vetëm kanë dëgjuar për të. Skenografia e veprës është konceptuar nga Klajdi Ymeri, kurse kostumografë nuk ka.
Për herë të parë drama "Antigona kërkon të atin" u vu në skenën e teatrit "Bylis" më19 qershor për ish-të përndjekurit politikë dhe familjet e tyre.
Është zgjedhur qyteti i Fierit për t'u vënë për herë të parë kjo pjesë, për arsye se autori u është referuar jo pak ngjarjeve tragjike të burgosjes dhe gjyqeve të montuara, ndër të tjera, kundër inxhinierëve dhe drejtuesve të naftës në kohën e diktaturës.
Në një intervistë të shkurtër për "Shekulli"-n, Klajdi Ymeri tregon për idetë që ngritën skenografinë e "Antigonës..."
Klajdi, si e konceptove skenografinë e dramës së Mihal Luarasit "Antigona kërkon të atin"?
Përshtypja ime e parë pas leximit të veprës më çoi tek skenari i një filmi. "Antigona kërkon të atin" mund ta shohësh si skenar të mirë për një film, aq edhe një vepër për dramaturgjinë. Me këtë dua të them që nuk të jep shumë dorë të lirë për gjetje skenografike. Ajo është realiste dhe nuk mund të gjesh një lloj konvencioni, përveç atij që të lejon teksti.
Atëherë si u zgjidh?
U mëshua më shumë mbi aspektin funksional. Një skenografi e cila nuk do të pengonte lëvizjen e shpeshtë të skenave. Drama përshkruan tre ambiente, shtëpinë e pushkatarit, shtëpinë e Antigonës dhe zyrën e dosjeve, të cilat janë realizuar ashtu siç përshkruhen në vepër.
Shtëpia e Antigonës është një dhomë e zbrazët, pa jetë, për të dhënë idenë e një shtëpie pa mashkull. Në atë hapësirë boshe ndodhet vetëm një karrocë, në të cilën qëndron nëna e saj.
Kurse ajo e Pushkatarit, është një shtëpi në retrospektivë, pasi vetë personazhi është duke rrëfyer një ngjarje të kaluar, atë të pushkatimit të babait të Antigonës. Edhe ajo është "e varfër" në skenografi, me një tavolinë, tre karrige dhe në mur është varur portreti i diktatorit. Kurse, në zyrën e shefit të dosjeve spikat rafti i madh me dosje të ish-të dënuarve.
Po gjetjet e tua cilat janë?
Sipari është konceptuar me një nga pikturat e famshme të piktorit spanjoll Francisco Goya-së, e quajtur "Pushkatimi". Në çdo ndërrim dekori, ajo ngrihet dhe ulet. Kjo pikturë nuk ka lidhje kohore me dramën, por është parë si një akt estetik të shprehuri. Lidhja e saj me dramën qëndron vetëm tek fakti se edhe aty ka ushtarë që vrasin trupa.
Por ndryshe nga piktura e Goya-së, tabloja është bardhezi, si edhe realiteti që përshkruhet. Një tjetër gjetje është skena e natës kur Antigona dhe ushtari kërkojnë eshtrat. Aty pranë ka një pemë në formën e një dore surreale.
Ajo duket si një dorë që kërkon ndihmë. Kurse, pjesa e portalit është menduar si një dritare bunkeri, ku spektatori sheh ngjarjen e ndodhur brenda atij bunkeri. Këto aspekte janë parë jashtë veprës, pasi siç pohova pak më sipër, ndërrimi i shpeshtë i skenave e cungon skenografin.
Sa mendon kjo skenografi për aktorin?
Kur kemi rënë dakord me Luarasin për këtë lloj skenografie, janë menduar të gjitha. Kjo është një skenografi që nuk e shqetëson as aktorin dhe as spektatorin.
Intervistoi j.p