E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët, kërkesë për gjykim të shkurtuar

Jaho Mulosmani


TIRANË- Mbrojtësit ligjorë të të dënuarit me burgim të përjetshëm për vrasjen e deputetit Azem Hajdari, shtetasit Jaho Mulosmani, avokatët Vladimir Meçi e Denion Bogdani bëjnë gati kërkesën karshi Gjykatës së Shkallës së Parë, për aplikimin e gjykimit të shkurtuar në procesin penal të vrasjes së dyfishtë të Bislim Hykës dhe Isuf Bashkurtit në Tropojë.


Kjo kërkesë pritet të dorëzohet në seancën e parë gjyqësore, që pritet të zhvillohet pranë togave të zeza ndaj të pandehurit Mulosmani, për çështjen e kthyer për rigjykim nga Gjykata e Lartë në fillim të muajt mars të këtij viti.


Ky lajm konfirmohet edhe nga burimet pranë togave të zeza të Gjykatës së Tiranës, të cilët kanë marrë në shqyrtim këtë dosje penale, duke shtuar se "kemi mësuar se avokatët do kërkojnë gjykim të shkurtuar për dosjen e Jaho Mulosmanit".


Ndërsa, gjatë ditës së djeshme, seanca gjyqësore e parashikuar për tu zhvilluar u shty për shkak të mungesës së prokurorit të çështjes, i cili është komanduar në prokurorinë e Elbasanit. "Seanca gjyqësore u shty për shkak të mungesës së arsyeshme të prokurorit të çështjes, i cili kemi mësuar se është deleguar në prokurorinë e Elbasanit dhe nuk ndodhet në prokurorinë e Tiranës.


Do t'i kërkojmë Prokurorisë së Tropojës të caktojë një prokuror tjetër për të përfaqësuar akuzën në këtë dosje penale",-thanë burimet nga gjykata.


I pandehuri Mulosmani akuzohet se pasditen e 4 gushtit 1999 në qendër të Bajram Currit ka ekzekutuar me armë automatike shtetasit Bislim Hyka dhe Isuf Bashkurti, vetëm pak orë pasi u vranë në fshatin Cërrnaj me mina me telekomandë Fatmir Haklaj dhe Fatmir Daka, të njohur si miqtë e ngushtë të të pandehurit të dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›