"Gërdeci", zëvendësohet avokati që mungonte në seancë
Një ditë pas apelit të KLD-së për të mos zvarritur proceset, gjykata u detyrua të shtyjë seancën, pasi një prej mbrojtësve ishte në një gjyq tjetër
Edhe dje familjarët e viktimave të shpërthimit të viti të kaluar janë indinjuar nga zvarritja e procesit në ngarkim të të akuzuarve
TIRANË- Vetëm 24 orë nga paralajmërimi i Presidentit të Republikës z.Bamir Topi, njëkohësisht kreu i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për një kontroll nëpër Gjykatat e Shkallës së Parë dhe të Apelit për zvarritjet e proceseve gjyqësore, togat e zeza të kryeqytetit u detyruan për të pestën herë të shtyjnë gjyqin e tragjedisë së "Gërdecit" për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës.
Mungesa e mbrojtësit ligjor të ish-zv\Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjeneral Agim Lala, Artan Kodheli që ndodhej në një proces tjetër gjyqësor pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda shtyu seancën e djeshme.
Mungesa e tij në sallën e gjyqit ndaj 28 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, e detyroi kryesuesin e treshes gjykuese, Ridvan Hado, ta zëvendësojë atë me avokatin që ndodhej në këtë proces penal, Marash Ibraj, si masë mbrojtëse për mos shtyrjen e seancës gjyqësore.
Por, edhe pse avokati Kodheli u zëvendësua me avokatin Ibraj, ky i fundit kërkoi t'i jepet një javë kohë për tu njohur me dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Lala.
Gjykata e gjendur në këtë pozitë, vendosi të ndërpresë seancën gjyqësore, e cila zgjati rreth 45 minuta vetëm me prezantimin dhe konfirmimin e palëve në këtë proces, duke e shtyrë më pas për me datën 30 shtator ora 10:00.
Në sallën e gjyqit, kishin preferuar të paraqiteshin vetëm shtatë të pandehurit që ndiqen në gjendje të lirë, ndërsa asnjëri nga pesë të arrestuarit nuk janë paraqitur, duke kërkuar të përfaqësohen nga avokatët e tyre.
Edhe shtyrja e djeshme, nuk u kalua e qetë nga familjarët e viktimave të shpërthimit të punishtes së demontimit në fshatin Gërdec, të cilët shprehen indinjatën e tyre për këto zvarritjet e vazhdueshme, duke paralajmëruar për vetëgjyqësi.
Pranë kësaj gjykate, ndodhen për gjykim 28 të pandehurit e akuzuar për "tragjedinë" e Gërdecit, ndërsa, ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes tashmë me detyrën ministër i Mjedisit, deputetit Fatmir Mediu, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë ka vendosur pushimin e çështjes për shkak të imunitetit të tij të fituar në zgjedhjet parlamentare të datës 28 qershor.
Ndërkohë, familjarët e viktimave të përfaqësuar nga avokatja mbrojtëse, kërkojnë që çështja ndaj Mediut të rikthehet për gjykim.
Avokatja, përfaqësuesja ligjore e tyre, Blerta Kraja, është shprehur pak ditë më parë se ligji ka hapësira për rihapjen e çështjes, hapësirë kjo që do të shfrytëzohet për të ringritur akuzat ndaj ish-ministrit Mediu.
Sipas akuzës, më 15 mars 2008, aty rreth orës 12:00 në ish-repartin tankeve ka ndodhur shpërthimi i rreth 450 tonëve barut dhe një sasie të konsiderueshme predhash, duke sjellë vrasjen e 28 personave, plagosjen e mbi 300 të tjerëve dhe miliarda lekë dëme materiale në banesat përreth fabrikës së "ferrit" të ngritur nga i pandehuri Mihal Delijorgji dhe kompania e tij.