Tri subjekte politike, tri qëndrime të ndryshme

Është opozita parlamentare në Kosovë, e përbërë nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.
Derisa Vetëvendosje kërkon në vazhdimësi dorëheqjen e Qeverisë, AAK-ja ka shprehur gatishmëri të bëhet pjesë e ekzekutivit të vendit. E LDK-ja në këtë rast si partia më e madhe opozitare, ka zgjedhur mesin.
Lëvizja Vetëvendosje është subjekti i vetëm opozitar që në mënyrë të vazhdueshme kërkon dorëheqjen e Qeverisë së Kosovës. Pothuajse në çdo konferencë për media, në çdo deklaratë shtypi apo paraqitje publike të secilit prej zyrtarëve të këtij subjekti, dorëheqja e Qeverisë shtrohet si kërkesë. Nënkryetari i kësaj lëvizje, Shpend Ahmeti thotë se kjo është kërkesa më e rëndësishme për vendin.
“Ne vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e kësaj qeverie, sepse tashmë çdo javë kemi nga një skandal të korrupsionit dhe në fund të fundit po e dimë se këta njerëz të korruptueshëm dhe të shantazhueshëm, po e përfaqësojnë Kosovën në negociatat me Serbinë”, tha Ahmeti.
Një qasje e tillë e Vetëvendosjes, nga nënkryetarja e LDK-së, Teuta Sahatqija konsiderohet joserioze.
“Në qoftë se një parti kërkon çdo javë dorëheqjen e Qeverisë dhe ajo nuk ndodhë, atëherë kuptohet që ajo kërkesë nuk është kërkesë reale, nuk është kërkesë e bazuar, por është thjesht marketing politik për të treguar se kinse po bëjmë diçka. Ne kur ta kërkojmë dorëheqjen do ta heqim qafe këtë qeveri. Në atë moment që do të krijohen kushtet, ne do ta kërkojmë dhe do ta kryejmë punën”, tha Sahatqija për Radio Kosovën.
Ndërkaq AAK-ja, si parti opozitare me 12 deputetë, ka kohë që ka shprehur gatishmërinë për marrjen e përgjegjësive në kuadër të Qeverisë. E kjo gatishmëri është rritur pas kthimit të liderit të saj, Ramush Haradinaj nga Haga. Megjithatë, sekretari i përgjithshëm i kësaj partie, Burim Ramadani, beson se AAK-ja vazhdon ta luaj rolin e saj opozitar.
“Ne kemi gatishmëri për të marrë përgjegjësi për vendin, por derisa të marrim përgjegjësi për vendin, jemi opozitë”, tha ai.
Nënkryetari i Vetëvendosjes, Shpend Ahmeti ka një porosi për dy partitë tjera opozitare, LDK e AAK. “Do të ishte mirë të rivlerësojnë qëndrimin e tyre, sepse çfarëdo koketimi me partinë në pushtet, do të thotë se do ta ndajnë përgjegjësinë”, tha Ahmeti.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, është çështja që më së shumti i ndanë tri partitë opozitare, për faktin se Vetëvendosje e kundërshton dialogun pa kushte, ndërsa LDK e AAK i kanë dhënë mbështetje Qeverisë për nisjen e këtij dialogu. Madje AAK-ja, ka shprehur gatishmëri ta ndërrojë edhe statusin e saj nga ‘opozitë’ në ‘pozitë’, për t’u bërë pjesë e Qeverisë. Aktualisht tri partitë opozitare në Kuvendin e Kosovës përfaqësohen me 51 deputetë, LDK-ja me 27, kurse Vetëvendosje e AAK me nga 12 deputetë. /Indeksonline/