E Diel, 1 Nëntor 2026

Prishtina, jo bisedimeve pa ndërmjetësues

Paralajmërimet e Bashkimit Evropian, që Serbia e Kosova shumë shpejt do të bisedojmë pa ndërmjetësues ndërkombëtarë, nuk pëlqehet dhe nuk përkrahet si ide nga zyrtarët e Qeverisë së Kosovës.

Ishte shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian, Samuel Zhbogar, ai i cili e lansoi këtë ide ditën e martë. Ai në një intervistë për Radio- Kosovën ka thënë se Serbia dhe Kosova së shpejti do të fillojnë të komunikojnë direkt pa ndërmjetësues dhe të zgjidhin problemet ndërmjet tyre.

Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës,. ndonëse nuk e pëlqejnë shumë këtë ide, vlerësojnë se ende është herët të flitet direkt me Serbinë pa ndërmjetësues.

I pyetur se a është e gatshme Qeveria e Kosovës të takohet me atë të Serbisë pa ndërmjetësimin e BE-së, Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës, tha për “Zëri” se një gjë e tillë nuk mund të bëhet derisa fillimisht nuk do të arrihet i ashtuquajturi Traktati i Paqes.

“Rajonin në tërësi dhe në veçanti raportet e Kosovës dhe Serbisë duhet të kenë ndërmjetësues për çështjet e pazgjidhura. Pasi të arrihet Traktati i Paqes në mes të dy vendeve tona mund të kontaktojmë pa ndërmjetësues. Deri në atë pikë, ne kemi nevojë për ndihmën nga BE-ja dhe SHBA-të”, u shpreh Kuçi.

Por, nga ana tjetër, analistët në Prishtinë mendojnë se është ide e mirë që zyrtarët e institucioneve të Kosovës të takohen me ata të Serbisë pa ndërmjetësues. Madje sipas tyre, Qeveria e Kosovës duhet të fillojë t’i zgjidhë vetë problemet pa ndihmën e të tjerëve.

Shenoll Muharremi, ekspert i integrimeve evropiane, tha për “Zëri” se Kosova duhet të fillojë të sillet si e rritur e jo gjithmonë ta marrë dikush për dore.

Ai merr shembull rastin e para dy ditëve kur krerët e partive politike janë mbledhur në lidhje me zhbllokimin e reformës zgjedhore, dhe si rezultat i pamundësisë për të arritur rezultat kanë kërkuar ndihmën e vendeve të Quintit.

“Të gjithë jemi dëshmitarë të asaj që ndodhi para dy ditëve, kur krerët e partive politike nuk kanë mundur të arrijnë as edhe një vendim bazik dhe si fëmijë kanë kërkuar ndihmën e vendeve të Quintit. E kjo sjellje fëmijërore duhet të ndërpritet”, tha Muharremi.

Sipas tij, është ide e mirë që përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë të takohen pa ndërmjetësues dhe të tregojnë maturinë e tyre politike.

“Mendoj se është pozitive që të ndodhë një gjë e tillë, sepse nuk kemi nevojë që çdo herë të na marrë dikush përdore. Takimi i Thaçit dhe Daçiqit është hap përpara në zbatimin e marrëveshjeve. Por nuk duhet të harrojmë që problemin e kemi në veri, duhet të dalim të flasim me qytetarët, sepse jo çdo gjë rregullohet vetëm me një takim mes liderëve të këtyre vendeve”, tha më tej Muharremi.

Nga ana tjetër, analisti Behxhet Shala thotë se pavarësisht se çka deklaron Qeveria e Kosovës, si në këtë rast zëvendëskryeministri Kuçi, i cili thotë se fillimisht duhet të arrihet Traktati i Paqes, në fund, sipas tij, “ata nuk do t’i pyesë askush dhe nëse BE thotë se duhet biseduar pa ndërmjetësues, do të bisedohet pa ndërmjetësues”.

“Madje shumë shpejt do të bisedohet pa ndërmjetësues, sepse ky është plani i BE-së. Sa i përket Qeverisë së Kosovës, ajo fillimisht pati deklaruar se nuk do të ketë as bisedime politike, as për veriun e që sot po i bën. Edhe vetë kjo qeveri e di që Serbia nuk do ta nënshkruajë traktatin e paqes, sepse Serbia në asnjë moment nuk bën diçka që i vjen era shtetësi e Kosovës”, tha Shala.

Ndryshe, bisedimet politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë kanë filluar para disa muajsh, ku janë takuar disa herë radhazi kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi me atë të Serbisë, Ivica Daçiq, me ndërmjetësimin e baroneshës Chaterine Ashton./Indeksonline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›