E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tri zjarre në Tiranë, plagosen dy veta

Punishtja ku ra zjarri

Zjarr në punishten e drurit në Tiranë, dy të plagosur.

Shkak i zjarrit shkëndija në motor, në spital zjarrfikësi e punëtori.

Një punishte druri u përfshi nga flakët paraditen e djeshme në Tiranë, ndërsa ngjarja u bë shkak për plagosjen e një zjarrfikësi gjatë aksionit për shuarjen e zjarrit.
Ngjarja ndodhi në Porcelan. Flakët shkrumbuan godinën prej druri duke u përhapur me shpejtësi, ndërsa rrezikuan edhe një vilë 3-katëshe që ndodhej pranë saj. Situata alarmante i vuri zjarrfikësit dhe policinë në një angazhim maksimal. Zjarrfikësi 34-vjeçar Ervis Toska dhe zdrukthuari Elvis Peqini u lënduan nga ngjarja. Ata janë shtruar në pavijonin e djegieve në QSUT dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ndodhi rreth orës 10:00 në punishten e drurit në pronësi të Fadil Paçramit, që ndodhet në afërsi të shkollës së fëmijëve me aftësi të kufizuar Luigj Gurakuqi, pranë kryqëzimit të rrugës së Porcelanit me Kinostudion, e njohur si IKV. Gjashtë shërbime zjarrfikëse morën pjesë në operacionin për shuarjen e zjarrit, që paraqitej mjaft problematik për shkak se punishtja ishte me konstruksion druri dhe kishte lëndë drusore e lëndë të tjera të para lehtësisht të djegshme, të cilat përdoreshin nga punëtorët e zdrukthtarisë. Flakët përfshinë edhe një godinë tjetër dykatëshe të drunjtë që shërbente si banesë. Shërbimet zjarrfikëse arritën të shpëtonin pa lejuar zjarrin të depërtonte, gjithashtu edhe vilën që ndodhej aty pranë. U deshën thuajse dy orë e gjysmë që zjarrfikësit, të ndihmuar edhe nga banorët e zonës dhe forcat e policisë, që të bëhej e mundur shuarja e plotë e zjarrit. Forca të shumta policie të Komisariatit Nr. 4 evakuuan banorët e zonës për të shmangur çdo rrezik të mundshëm. Ndërkohë, disa makina zjarrfikëse mbërritën menjëherë në vendin e ngjarjes dhe lokalizuan flakët, të ndihmuara edhe nga banorët e zonës. Burime nga forcat zjarrfikëse dhe nga Policia thanë se flakët u përhapën me shpejtësi për shkak të materialeve të drurit në brendësi të godinës, duke rrezikuar edhe disa ndërtesa që ndodhen pranë punishtes. Kreu i zjarrfikësve, Dilaver Laçi, shpjegoi se zjarri ishte shumë i fuqishëm dhe për normalizimin e situatës u angazhuan 6 makina zjarrfikëse. Mësohet se vatra e zjarrit ishte në elektromotorin e thithjes së tallashit, i cili ishte lënë pa pastruar dhe ka pësuar një shkëndijë elektrike. Pasditen e djeshme, një zjarr tjetër përfshiu katër mullarë me bar në zonën e Saukut në Tiranë.

Zjarri te Poligrafiku
Ende pa u shuar dy zjarret në punishten e drurit në zonën e Porcelanit dhe te banesa pranë Shkollës së Kuqe, zjarrfikësit janë njoftuar për një tjetër zjarr në zonën e Ali Demit. Zjarri i tretë ka rënë në afërsi të Poligrafikut, në një objekt që njihet në zonë si ish-Pularia, aktualisht e përshtatur si magazinë për materiale të ndryshme. Sipas zjarrfikësve, janë dashur vetëm disa minuta që situata të vihej nën kontroll për shkak se flakët ende nuk ishin përhapur në të gjithë magazinën. Edhe në këtë rast dyshohet se shkak i zjarrit ka qenë një shkëndijë në një transformator elektrik.

Trualli kërkohej për pallat, digjet banesa
TIRANE – Një banesë përdhese, në të cilën prej katër vitesh nuk banonte njeri, u shkrumbua nga zjarri mesditën e djeshme, duke i mbetur vetëm katër muret. Ngjarja ndodhi në rrugën Riza Cerova, pranë Shkollës së Kuqe në Tiranë. Shtëpia rezulton të jetë në pronësi të shtetasit Demir Abazi, i cili prej 4 vitesh është larguar bashkë me familjen për të jetuar në një zonë tjetër të Tiranës. Menjëherë pas sinjalizimit për zjarrin që kishte përfshirë banesën përdhese, drejt vendit të ngjarjes është nisur një makinë zjarrfikëse, që fillimisht, për shkak të rrugës së ngushtë, ka pasur vështirësi për tu afruar shtëpisë që po digjej. Kjo ka bërë që godina e braktisur të digjej plotësisht. Pas shuarjes së flakëve në vendngjarje kanë shkuar edhe ekspertët kundër zjarrit, që kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes për përcaktimin e shkaqeve. Sipas burimeve, në banesë nuk kishte asnjë objekt që përcjell energji elektrike, po ashtu as objekte me gaz apo ndonjë lëndë djegëse që mund të sillnin zjarr, pasi aty nuk banonte askush. Duke marrë parasysh edhe faktin që e njëjta godinë është djegur edhe para disa muajsh, grupi hetimor ka hedhur dyshime se zjarri mund të jetë vënë qëllimisht. Nisur edhe nga deklarimet e banorëve, se prej dy vitesh ka pasur interesime për lirimin e truallit ku ndodhej banesa, pasi aty ishte planifikuar të ndërtohej një pallat, policia dyshon se zjarri është i qëllimshëm dhe ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve.

ETLEVA DELIA

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›