“Trialog” në RTSH- Pas vendimit të GJK-së, çfarë ndodh tani me Veliajn dhe Tiranën? Qori: Kushtetuesja krijoi precedentin se qeverisja mund të bëhet edhe nga qelia

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese (GJK), i shpallur më 3 Nëntor 2025, që rrëzoi me shumicë votash shkarkimin e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duket se ka hapur një kapitull të ri, por edhe një ngërç institucional të paprecedentë. Ky vendim ishte në fokus të emisionit “Trialog” në RTSH, në moderimin e Alba Alishanit, i cili analizon pasojat ligjore dhe politike. Debati kryesor në emisionin “Trialog” u fokusua te pyetja: Si mund të funksionojë kryeqyteti me kryebashkiakun në burg? Krahas analistëve Preç Zogaj, Lorenc Vangjeli dhe Arion Sulo, në studio ishte i ftuar edhe Arlind Qori, kreu i Lëvizjes “Bashkë”.
Sipas komentit të kreut të Lëvizjes “Bashkë”, vendimi i GJK nuk ishte krejt i paparashikuar, megjithëse krijon situata të reja komplekse.
Qori theksoi se, pavarësisht se duhet pranuar vendimi i GJK, ai i qëndron tezës se shkarkimi i Veliajt ishte bërë me të drejtë.
“I qëndroj tezës se Veliaj është shkarkuar me të drejtë. Me pezullimin e dekretit u krijua dhe ky opsion që shkarkimi i tij ishte i paligjshëm. Pasiguria juridike është e madhe. Nuk kishte ndodhur që të shpalleshin zgjedhjet dhe më pas të anuloheshin,” deklaroi Qori.
Ai nënvizoi dëshirën e tyre që zgjedhjet në Tiranë të zhvilloheshin sa më parë, por pranoi se tani duhet respektuar vendimi i Kushtetueses.
Precedenti i rrezikshëm, qeverisje nga qelia
Qori adresoi gjithashtu situatën e krijuar nga vendimi i GJK. Sipas tij, Presidenti Begaj pati nxitim në nxjerrjen e dekretit për zgjedhjet, një veprim që i shtoi pasigurinë juridike situatës.
Sipas tij, më shqetësues është konstatimi mbi rrethanat e krijuara, ku theksohet se vendimi i GJK ka krijuar precedentin që “një kryetar bashkie mund të qeveris dhe nga paraburgimi edhe 4 vite”.
Kjo situatë, sipas Qorit, tregon se Shqipëria nuk është një vend modern ku secili organ bën punën e vet pa ndikuar tek tjetri, por një vend ku duhet patjetër një kryetar bashkie për të vënë njerëzit në punë.
/rtsh.al/