Tribut Paskaljevic-it në Festivalin e Selanikut
"Muajt e mjaltit" dhe roli i kinemasë në ditët e sotme
Edicioni i pesëdhjetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Selanik, 13-22 nëntor hapet me "Muajt e mjaltit", të parin bashkëprodhim kinematografik shqiptaro-serb. Lajmin e bëri të ditur zyra e shtypit e festivalit, e cila njoftoi se në këtë jubile gjysmëshekullor, programi "Balkan Survey" do t'i kushtohet regjisorit serb të "Honeymoons", Goran Paskaljevic.
Ai do të jetë i pranishëm në TIFF për të prezantuar filmat e tij, do të drejtojë një masterclass dhe do të nderohet me çmimin më të madh që jep për karrierën festivali i Selanikut. Një "Golden Alexander" për kontributin që Paskaljevic ka dhënë për artin e kinemasë.
"Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Selanik feston 50-vjetorin duke zhvilluar një dialog për natyrën dhe rolin e kinemasë në ditët e sotme. Vepra humaniste e Goran Paskaljevicit, duke shpërfillur stereotipet dhe duke shmangur didaktikat, reflekton në mënyrën më të mirë të mundshme nevojën për të riparë pozitën tonë në një shoqëri që po ndryshon shpejt", - pohon drejtoresha e festivalit, Despina Mouzaki.
Pjesa më e madhe e filmave të Paskaljevic-it do të shfaqen gjatë ditëve të festivalit, duke përfshirë dy filmat e tij të shkurtër dhe veprën e fundit, "Honeymoons", një bashkëprodhim i Qendrës Shqiptare Kombëtare Kinematografike dhe me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës Serbe. Skenari, për të cilin është folur dhe shkruar mjaft tashmë, mban firmën e Genc Përmetit dhe vetë Paskaljevic-it.
Tek "Honeymoons", ashtu si në filmat e mëparshëm të këtij regjisori, politika nuk deklamohet dhe nuk gjen aty deklarata të kësaj natyre. Ashtu siç ai vetë e ka theksuar shpesh, qëllimi i tij kryesor ndërsa bën kinema, janë historitë e jetës së përditshme dhe ndjesitë njerëzore.
Kurse politika është e nëndheshme dhe e maskuar pas një humori të zi, i cili, sipas Paskaljevic-it, është tepër i veçantë për serbët. Shpesh personazhet e tij përballen me zakone të rënda, por nuk përfundojnë në melodrama.
Pas katër dekadash krijimtari, ai konsiderohet sot si një nga kineastët e rëndësishëm të Evropës Lindore.
Zbulohen 2 copë monedha mesjetare në Amfiteatrin e Durrësit
Monedhat u zbuluan në rrënojat mesjetare të amfiteatrit gjatë gërmimeve që po kryen ekspedita arkeologjike shqiptaro-italiane, gërmime që kanë filluar dy ditë me parë. Monedhat janë me diametër rreh 22 mm dhe kanë përbërje bakër dhe argjend.
Specialistë të misionit të gjashtë arkeologjik italo-shqiptar thanë se monedhat janë krejt të ndryshme nga ato të zbuluara në pjesën jugore të amfiteatrit një vit me parë.
Sipas tyre, dy monedhat i përkasin mesit të shekullit të 13-të dhe mund të jenë derdhur në qytet. Sipas numizmatit italian, Paolo Bobio "monedhat, krejt të ndryshme nga ato të zbuluara gjatë ekspeditave të para në pjesën jugore të amfiteatrit, kanë një diametër prej 22 mm, me një përzierje të lehtë argjendi. Ato janë gjetur në të njëjtin shtresëzim të rrënojave të godinës mesjetare, ku misionet e kaluara zbuluan dhe skeletet e viktimave të tërmetit të vitit 1273".
Specialistët thonë se i përkasin Manfredit, sundimtarit të fundit të Bizantit nga dinastia Svevo. Në pjesën e përparme kanë si simbol një shqiponjë të dinastisë Svevo, ndërsa në anën tjetër një kryq me katër yje.
Megjithëse zbulimet vendase nuk përmbajnë fakte që në këtë periudhë në Durrësin antik ka pasur prerje monedhash prej argjendi, specialistët italianë mendojnë se ato mund të jenë prodhim i fonderive vendase në vitet 1259-1279 ose dhe të Korfuzit.
Por ata saktësojnë se në këtë kohë Durrësi vazhdonte ta ruante pozitën e vet të fortë si qytet tregtar shumë më superior në krahasim me Korfuzin, i cili kishte pasur epërsi në antikitetin e hershëm, kur Durrësi imitonte monedhat e Korkyrës duke i prodhuar vetë ato.
Prerjet e para të monedhave antike në Durrës datojnë në vitet 460 para Krishtit. Kishin simbole korintik Athinanë me pegasin, si dhe legjendën e këtij qyteti të shkruar mbi një epsilon arkaik.
Më pas prerjet datojnë rreth viteve 404 para Krishtit dhe në monedhat e asaj kohe ishin simbolet e Korkyrës lopë dhe viç, shoqëruar me legjendën e qytetit YP ose YPP (Dyrrachion). Në vitin 280 para Krishtit, mbreti ilir Monun (Monunio) preu monedhat e tij mbi ato të Dyrrachionit, lopë e viç, duke shtuar emrin e tij Bassileios Monuniou.
Amfiteatri i Durrësit vazhdon të jetë surprizues me të rejat e përvitshme që dalin nga gërmimet. Që nga ekspeditat për zbulimin e plotë të tij janë gjetur monedha romake, bizantine e deri të shekullit të XVII të Republikës së Raguzës, të cilat janë gjetur vitin e kaluar në një poçe balte dhe që ishin rreth 1700 copë. Ato janë dëshmi e pozitës së rëndësishme që Durrësi ka pasur si nyje tregtare e rrugëve të Lindjes dhe të Perëndimit.