Polici mashtrues vodhi 12 persona, mbyllet hetimi
Ish- efektivi i Policisë së Burgjeve u arrestua nga policia katër muaj më parë pranë spitalit civil duke vjedhur një qytetar
I akuzuari iu prezantohej si oficer personave të ndryshëm duke iu thënë se akuzoheshin për vjedhje
TIRANË- Prokuroria e kryeqytetit, pas hetimeve disa mujore arriti të zbardhë 12 vjedhje të kryera me anë të mashtrimit nga i pandehuri Genci Qoli, që tashmë pritet të gjykohet nga togat e zeza për konsumimin e veprës penale të "mashtrimit".
Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare pranë institucionit të akuzës, të cilët saktësuan se brenda një afati 6 mujor, i pandehuri Qoli, duke u prezantuar si efektiv policie, i ka grabitur me anë të mashtrimit 12 hallexhinjtë në kryeqytet.
Sipas kërkesës për gjykim të përpiluar nga prokurori Albert Demirneli mësohet se 36- vjeçari Qoli nga Laçi, me banim në kryeqytet, kohë më parë ka qenë proceduar penalisht dhe përjashtuar më pas nga efektivët e policisë së burgjeve, për "shkelje të rregullave të shërbimit të rojës". "Jam oficer policie, duhet t' ju bëjë një kontroll pasi dyshohet se keni kryer një vjedhje.
Më jepni çantën t'ju kontrolloj dhe sendet me vlerë që keni bashkë me aparatin celular dhe hajdeni pas meje". Kjo ka qenë metoda që i pandehuri Qoli, mashtronte qytetarë të ndryshëm që ndodheshin nëpër institucione të ndryshme, stacion të autobusëve, trenit dhe vende të ndryshme duke pritur zgjidhjen e halleve të tyre.
Sipas kërkesës për gjykim, që tashmë është dorëzuar pranë kryesekretarisë së Gjykatës së Shkallës së Parë, thuhet se janë bashkuar 12 procedime të ndryshme në ngarkim të 36- vjeçarit Genci Qoli. "I pandehuri i pikaste me shumë kujdes personat që më pas i mashtronte, duke iu afruar me kujdes, ku iu prezantohej si punonjës policie, konkretisht punonjës i sektorëve të ndryshme "shef krimesh", "shef i krimit ekonomik"; "i plotfuqishmi i zonës" etj, etj.
Pas prezantimit që bënte, i pandehuri Qoli mbante në brez në vende të ekspozuara nja radio polici për t'i bindur më shumë "të peshkuarit" e tij, duke ia kërkuar të gjitha sendet që kishin me vete, portofolin me paratë brenda, bizhuteri apo flori, aparat celular e sende të ndryshme me vlerë. Këto "sekuestrime" 36 -vjeçari Qoli i kryente me pretendimin se po bënte detyrën, pasi personi i ndaluar dyshohej për një vjedhje nga Policia.
Sipas prokurorisë, nga 12 vjedhjet e kryera i pandehuri Qoli ka përvetësuar shuma të ndryshme parash që nga 5 mijë lekë të reja deri në 2 mijë euro që kishin me vete personat e "mashtruar" si dhe sende të ndryshme me vlerë.
"Nga hetimet e kryera, ka rezultuar se i pandehuri Genci Qoli, pasi prezantohej si efektivë policie i kërkonte "hallexhinjve" ta shoqëronin, duke i ulur në lokale të ndryshme, sidomos pranë Komisariatit numër 2, ku pasi ulej me "të peshkuarin" e tij, largohej me sendet e sekuestruara.
Largimi i tij nga lokali në të shumtën e rasteve është justifikuar se "po shkoj deri në Komisariat të lajmëroj shefin për shoqërimin tënd" dhe largohej me sendet e sekuestruara"-thuhet në kërkesën për gjykim.
Kjo mënyrë mashtrimi, sipas akuzës, është praktikuar në 12 raste nga i pandehuri Qoli, në katër raste gjatë muajt janar të këtij viti, një rast në muajin shkurt, dy raste në muajin mars, tre raste në muajin maj dhe dy raste gjatë muajit qershor.
Pas këtyre denoncimeve, policia në bashkëpunim me organin e akuzës arriti të identifikojë autorin e këtyre mashtrimeve dhe më datën 11 qershor 2009, teksa po mashtronte një shtetas tek Qendra Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, policia ka ndërhyrë duke e arrestuar në flagrancë për akuzën e "mashtrimit".
Rastet
Më datë 23 janar 2009 në afërsi të "Hotel Diplomat", mashtroi shtetasin Xh.C.
Më datë 23 janar 2009 tek rruga "Bërryli", mashtroi shtetasin D.H.
Më datë 23 janar 2009, në afërsi të qendrës në kryeqytet, mashtroi shtetasin K.B.
Më datë 28 janar 2009, në afërsi të Spitali nr.5, mashtroi shtetasin I.Sh
Më datë 28 shkurt 2009, në afërsi të rrugës së "Elbasanit" mashtroi shtetasit N.D. dhe E.P.
Më datë 5 mars 2009, në afërsi të qendrës së kryeqytetit mashtroi shtetasin R.K.
Më datë 30 mars 2009, tek rruga e "Durrësit", mashtroi shtetasin H.S.
Me datë 7 maj 2009, në afërsi të qendrës së kryeqytetit, mashtroi shtetasit V.S.; A.Gj. dhe M.C.
Më datë 11 maj 2009, tek rruga e "Durrësit", mashtroi shtetasin H.Xh.
Më datë 13 maj 2009, tek rruga e "Durrësit", mashtroi shtetasin H.T.
Më datë 5 qershor 2009, tek rruga e "Durrësit", mashtroi shtetasin A.I.
Më datë 11 qershor 2009, në Qendrën Spitalore Universitare në Tiranë, mashtroi shtetasin M.M.
Bashkiaku i Tepelenës
Ekspertiza: Abedini paketoi drogën në makinë
TIRANË- Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tepelenës, i arrestuari Petrit Abedini, i ka paketuar vetë në makinën e tij 34 pakot e mbushura me hashash. Ky është konkluzioni, që kanë nxjerrë ekspertët e Institutit të Laboratorit Shkencor pranë Ministrisë së Brendshme, të cilët kanë kryer ekspertimin daktiloskopik të gjurmëve të gishtave të gjetur në pakot e hashashit, të sekuestruar më 17 gusht 2009 në kamionin e Abedinit.
Sipas këtij akt-ekspertimi, bie poshtë alibia e ngritur nga vetë i arrestuari Abedini dhe mbrojtësi i tij ligjor se "arrestimi i Petrit Abedinit ishte një kurth politik, pasi ai nuk kishte dijeni për drogën".
Në akt-ekspertimin e kryer nga ekspertët janë konstatuar dy gjurmë gishtash në 34 pakot e sekuestruara, ku njëra prej këtyre dy gjurmëve është cilësuar e vlefshme për ekspertim dhe që ka rezultuar se është e shtetasit të arrestuar Petrit Abedini, me detyrë kryetar i Këshillit Bashkiak të Tepelenës. Ndërkohë, në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit 2009, i arrestuari Abedini, ishte përfaqësues i "PSV 91" në këtë qytet.
Ndërsa, sipas prokurorisë, i arrestuari Abedini jo vetëm që kishte dijeni, por, e kishte paketuar vetë drogën në automjetin e tip MAN, me targa "TP 27 98 B" (koka e kamionit), dhe trajlerin me targa "TP 28 08 B".
Nga sekuestrimi i 34 pakove të drogës, ka rezultuar se brenda tyre janë fshehur 34 kg hashash të presuar, i vjelur vetëm pak ditë para sekuestrimit të kësaj sasie. Gjithashtu, po dje, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda vendosi të rrëzojë kërkesën e avokatit mbrojtës të të arrestuarit Abedini, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë nga Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda për masën e sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të hetimeve.